
Hetimi mbi vjedhjen e bujshme në Muzeun e Luvrit më 19 tetor ka hyrë në një fazë të re. Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, zhvilloi sot një konferencë për shtyp për të bërë publike detajet e fundit të hetimit, e shoqëruar nga përfaqësues të Brigadës kundër banditizmit (BRB) dhe të Zyrës Qendrore për Luftën kundër Trafikut të Pasurive Kulturore (OCBC) – dy strukturat që po drejtojnë hetimet.
Sipas Beccuau, hetimi ka njohur “përparime të mëdha” ditët e fundit, falë angazhimit të mbi 100 hetuesve. Ajo konfirmoi se dy persona janë arrestuar të shtunën mbrëma.
I pari, një 34-vjeçar me origjinë algjeriane, u ndalua në aeroportin Roissy–Charles de Gaulle, teksa po përpiqej të hipte në një fluturim pa kthim për në Algjeri. Ai është i njohur për disa shkelje rrugore dhe një vjedhje të mëparshme.
I dyti, një 39-vjeçar nga Aubervilliers, u arrestua pranë banesës së tij dhe nuk kishte planifikuar të largohej nga Franca. Edhe ai ka precedentë për vjedhje të rëndë.
Të dy kanë qenë në paraburgim që nga e shtuna dhe, sipas burimeve të hetimit, kanë pranuar pjesërisht përfshirjen e tyre në krim. Ata pritet të akuzohen zyrtarisht për “vjedhje të organizuar” dhe rrezikojnë deri në 15 vite burgim dhe një gjobë të rëndë financiare.
Dy persona të tjerë, të dyshuar si pjesë e grupit që kreu vjedhjen, janë ende në arrati. Hetuesit besojnë se ata kanë ndihmuar në operacionin teknik, duke manovruar vinçin që i mundësoi grupit të hynte në Galerinë e Apolonit, ku ruheshin bizhuteritë, dhe më pas janë larguar me ta përgjatë lumit Sena.
Megjithatë, prokurorja theksoi se “deri tani nuk ka asnjë provë që të sugjerojë ndihmë ose bashkëpunim nga brenda muzeut”. “Nuk përjashtohet që pas tyre të ketë një grup më të gjerë apo një porositës”, shtoi ajo.
Beccuau konfirmoi se pjesa më e madhe e plaçkës, e vlerësuar në 88 milionë euro, ende nuk është gjetur. Deri tani është rikuperuar vetëm kurora e Perandoreshës Eugénie, e cila ra gjatë arratisjes së hajdutëve dhe u gjet e dëmtuar. Drejtoresha e muzeut ka deklaruar se restaurimi i saj do të jetë shumë delikat.
“Edhe pse bizhuteritë nuk janë ende në posedimin tonë, unë dua të besoj se ato do të gjenden”, tha prokurorja me tone optimiste.
Ajo theksoi gjithashtu se këto objekte janë “praktikisht të pashitshme” dhe çdo përpjekje për t’i shitur do të sillte ndjekje penale për fshehje dhe trafik kulturor. “Është ende koha për t’i dorëzuar”, u bëri thirrje ajo kujtdo që mund t’i mbajë ende bizhuteritë.
Hetimet, nën drejtimin e dy gjyqtarëve hetues të specializuar për krimin e organizuar, do të vazhdojnë në sekret të plotë për të mos penguar procesin.
Lini një Përgjigje