Një banderolë në aeroportin ndërkombëtar Sunan të Phenianit shkruante se “miqësia midis Koresë së Veriut dhe Rusisë është e përjetshme”. Për këtë arsye, ne duhet të shqetësohemi: edhe nëse Rusia nuk ka më nevojë për artilerinë e Koresë së Veriut në një botë post-Ukrainase, diçka na thotë se ky rreshtim i shteteve diktatoriale nuk do të prishet shumë shpejt.
Vajtja e presidenti rus Vladimir Putin në Phenian, në vizitën e tij të parë zyrtare në Korenë e Veriut në 24 vjet që kur është ngjitur në pushtet, nuk duhet të injorohet thjesht si një shfaqje formale force. Ky është takimi i dytë midis dy diktatorëve në më pak se një vit.
Kim Jong Un vizitoi Rusinë në shtatorin e vitit të kaluar. Edhe nëse samiti thjesht sjell më shumë shtërngime duarsh para kamerave dhe nënshkrime formale dokumentesh, mesazhi nga dy liderët do të jetë i qartë: një koalicion anti-perëndimor nuk është thjesht një trillim, por një realitet shqetësues.
Në vitin 2000, Koreja e Veriut ishte vetëm 6 vjet larg kryerjes së testit saj të parë bërthamor - edhe pse larg suksesit - dhe po përpiqej me të gjitha mënyrat të rimerrte veten nga një uri shkatërruese e shkaktuar nga politikat e saj. Po ashtu, Pheniani po ndihej i tradhtuar nga aleatët e dikurshëm pas përfundimit të Luftës së Ftohtë në vitin 1991.
Vetëm një vit më herët, Bashkimi Sovjetik kishte vendosur marrëdhëniet diplomatike me Korenë e Jugut, pra atë që Veriu e quante prej kohësh një “shtet kukull” të Shteteve të Bashkuara. Sigurisht që Koreja e Veriut u revoltua me aktin e Moskës.
Dhe që nga ai moment tregtia e Veriut me mbrojtësin e saj të kohës Luftës së Ftohtë nuk do të bëhej më në një frymë të madhe miqësie. Një goditje tjetër ndaj Phenianit erdhi në vitin 1996, kur Rusia u tërhoq nga një traktat i vitit 1961 midis Bashkimit Sovjetik dhe Koresë së Veriut, Traktati për Miqësinë, Bashkëpunimin dhe Ndihmën e Ndërsjellë, i cili premtonte ndihmë të ndërsjellë në rastin e ndonjë sulmi ushtarak ndaj secilës palë.
Megjithatë, ardhja e Vladimir Putinit në pushtet në marsin e vitit 2000, do të kënaqte liderin e atëhershëm të Koresë së Veriut, Kim Jong Il. Të dyja shtetet nënshkruan një traktat të ri, edhe pse disi më të paqartë, që i angazhonte të dyja palët për “miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim”.
Marrëdhëniet tregtare u përmirësuan shumë. Menjëherë pasi Kim Jong Un u bë lider i Koresë së Veriut në dhjetor 2011, Putin ra dakord të shlyejë 90 për qind të borxhit të Koresë së Veriut të epokës sovjetike, që arrinte një shumë jo të parëndësishme prej afro 11 miliardë dollarësh.
Teksa kjo marrëveshje i nënshkrua në vitin 2014, nuk ishte ndonjë befasi që muaj më parë, Koreja e Veriut e mbështeti justifikimin e Rusisë për pushtimin dhe aneksimin e Krimesë nga Ukraina. Edhe përkundër mbështetjes së mëvonshme të Rusisë ndaj sanksioneve që vendosi Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut, do të vinte koha kur mbështetja retorike do të shtrihej në diçka më shumë.
Raportet u forcuan shumë për të ardhur deri në ditë tona. Koreja e Veriut është sot jo vetëm një shtet i armatosur me armë bërthamore, aftësi raketore gjithnjë e më të sofistikuara, por afrimi i saj me Rusinë ka arritur nivele të reja pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga kjo e fundit në shkurt 2022.
Në një artikull të botuar në mediat shtetërore të Koresë së Veriut dy ditë më parë, Putin u zotua se vizita e tij në Phenian do t’i vendoste marrëdhëniet dypalëshe “në një nivel akoma më të lartë”. Zëdhënësi i presidentit rus shkoi një hap më tej, duke thënë se do të nënshkruhet “një traktat gjithëpërfshirës i partneritetit strategjik”.
Dhe përderisa të dyja vendet janë të njohura për agresivitetin e tyre, nuk duhet t’i hedhim tërësisht poshtë deklarata të tilla. Deri më sot, marrëdhënia midis Moskës dhe Phenianit, ka qenë kryesisht e bazuar tek një marrëdhënie e leverdisë së ndërsjellë, me të dyja vendet që e shfrytëzojnë në avantazhin e tyre luftën e vazhdueshme në Ukrainë.
Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me afro 7000 kontejnerë municionesh - që arrijnë në disa milionë copë - dhe madje edhe raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, në këmbim të ndihmës ushqimore, parave, ekspertizës dhe teknologjisë ushtarake, por edhe teknologji satelitore.
Dhe mjafton të rikujtojmë vizitën e Kim Jong Un në kozmodromin Vostochny shtatorin e 2023-ës, për të kuptuar se është teknologjia, ajo që ai vlerëson më shumë se çdo gjë tjetër.
Që nga ajo vizitë, Moska dhe Pheniani kanë pohuar në mënyrë të përsëritur natyrën “e pathyeshme” të marrëdhënieve të tyre.
Rusia e ndihmon në mënyrë aktive Korenë e Veriut që të shmangë sanksionet shumëpalëshe, veçanërisht duke e furnizuar direkt me naftë vendin më të izoluar në botë. Së bashku me një Kinë të kujdesshme, ato e kanë reduktuar me sukses Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në pak më shumë sesa një dyqan të pafuqishëm, dhe të paaftë për të kufizuar as Rusinë dhe as veprimet e Koresë së Veriut.
Thelbi i samitit Kim-Putin mbetet i panjohur. Por një pyetje e hapur, është nëse të dyja shtetet do të përmirësojnë realisht marrëdhëniet e tyre në atë të një aleance. Sepse nëse ndodh diçka e tillë do të ishte në kundërshtim me ideologjinë e Juche të Koresë së Veriut, e cila e vë theksin tek pavarësia në sferat e politikës, ekonomisë dhe mbrojtjes ushtarake dhe kundërshton në mënyrë aktive çdo formë të mbështetjes tek vendet e tjera.
I vetmi vend me të cilin Koreja e Veriut ka ndonjë lloj traktati të mbrojtjes është Kina, partneri më i madh ekonomik i Veriut. Ndërsa Kim Jong Un ka synuar të largohet nga varësia nga Pekini, nuk ka asnjë dyshim se presidenti kinez Xi Jinping do të vëzhgojë nga afër rezultatet e samitit Kim-Putin, veçanërisht pasi ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve komuniste të Azisë Verilindore.
Edhe nëse mes shtrëngimeve të duarve dhe buzëqeshjeve, do të kemi vetëm një deklaratë që konfirmon unitetin midis Rusisë dhe Koresë së Veriut, në kundërshtimin e asaj që Putin e quajti “armikun agresiv”, pra Shteteve të Bashkuara, ne do të tregoheshim naivë nëse do t’i konsideronim boshe këto fjalë.
Duke ia kthyer vizitën e Kim në Rusi më pak se 1 vit më parë, të dy udhëheqësit po i dërgojnë një mesazh të qartë Perëndimit. Pra që në mendjet e tyre, çdo përpjekje për të izoluar Rusinë ose Korenë e Veriut do të dështojë, dhe se një rreshtim anti-perëndimor nuk është më një pjellë e imagjinatës së Perëndimit, por një aktualitet.
Me shtrimin e tapetit të kuq për ceremonitë e mëdha dhe miqtë e shquar, dhe me rrugët e Phenianit të zbukuruara me flamuj rusë dhe portrete të mëdha të Putinit, nuk do të ishte një veprim i zgjuar po të shpërqendroheshim nga optika e kësaj vizite.
Një banderolë në aeroportin ndërkombëtar Sunan të Phenianit shkruante se “miqësia midis Koresë së Veriut dhe Rusisë është e përjetshme”. Për këtë arsye, ne duhet të shqetësohemi: edhe nëse Rusia nuk ka më nevojë për artilerinë e Koresë së Veriut në një botë post-Ukrainase, diçka na thotë se ky rreshtim i shteteve diktatoriale nuk do të prishet shumë shpejt./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”
Shënim: Edward Howell, lektor i politikës në Universitetin e Oksford. Nismëtar i hapjes së Shërbimit Botëror të BBC-së për Korenë e Veriut.
Lini një Përgjigje