Sa më pak i përkushtuar ndaj mbrojtjes së Ukrainës do të shfaqet Trump, aq më pak nxitje do të ketë Putin për të negociuar apo bërë kompromise. Pra nëse Trump dëshiron që gjërat të ecin shpejt, kërcënimi ndaj Moskës duhet të jetë shumë më i fortë...
Një sondazh i publikuar javën e kaluar, zbuloi një rënie të ndjeshme të përqindjes së ukrainasve që besojnë se mund të dëbojnë pushtuesit rusë nga i gjithë territori i tyre. Dhe kjo nuk përbën habi. Sepse për Kievin, 2024-a ishte një makth, i krijuar kryesisht nga një kolapsi i formulës fituese në fillim të luftës: përshtatja e fuqisë punëtore të motivuar ukrainase, me arsenalet ushtarake të sofistikuara të Perëndimit.
Pra, a do të thotë kjo që Donald Trump - që sapo mori detyrën të hënën, dhe ka pasur një sukses fillestar në sigurimin e një armëpushimi në Gaza - do të arrijë shumë shpejt diçka të ngjashme edhe në Ukrainë? Absolutisht jo, të paktën jo për kushtet që Kremlini është aktualisht i gatshëm të marrë në konsideratë.
Ajo nuk do të ishte një marrëveshje paqeje, të cilën e duan ukrainasit, por një kapitullim, të cilin ata nuk e duan. Dhe kjo situatë do të testojë premtimin e Trump për të arritur paqen përmes forcës, ashtu si në Gaza. Por këtu sfida është shumë me e madhe.
Pasi në dallim nga Toka e Shenjtë, Trump ka shumë më tepër ndikim tek pala më e dobët se ajo më e fortë. Sa më shpejt që Trump do të dëshirojë t’i japë fund luftës, aq më shumë do t’i duhet që së pari të forcojë pozitën e Ukrainës, në mënyrë që ta bindë presidentin Vladimir Putin, se ai mund të humbasë duke refuzuar një paqe të vërtetë me fqinjin e tij.
Anasjelltas, sa më pak i përkushtuar ndaj mbrojtjes së Ukrainës do të shfaqet Trump, aq më pak nxitje do të ketë Putin për të negociuar apo bërë kompromise. Pra nëse Trump dëshiron që gjërat të ecin shpejt, kërcënimi ndaj Moskës duhet të jetë shumë më i fortë.
Unë mendoj se ka disa shenja se ekipi i politikës së jashtme të administratës së re e ka kuptuar këtë, pasi ka nisur që të shtyjë pritshmëritë për kohën e një marrëveshje paqeje nga 24 orë pas inaugurimit të Trump, deri në 100 ditë apo edhe më shumë.
Por deri më tani, të vetmet raporte mbi një qasje konkrete, sugjerojnë se ata shpresojnë se lehtësimi i sanksioneve ndaj naftës ruse, mund ta joshë Putinin që të negociojë seriozisht. Megjithatë, kjo do të ishte aq naive saqë e kam të vështirë ta vlerësoj ndryshe, përveçse si pjesë e një strategjie shumë më të gjerë.
Nuk është se takimi me Putinin apo ofrimi i heqjes së sanksioneve, janë në vetvete lëvizje idiote. Por do të ishin të tilla veçmas, siç e zbuloi Trump kur takoi diktatorin e Koresë së Veriut Kim Yong Un në Singapor gjatë mandatit të tij të parë.
Ashtu si Kim, Putin do të përdorte samitin dhe çdo lëshim si dhurata falas, dhe do të vazhdonte luftën. Ndaj çdo “karotë” duhet të shoqërohet me një “shkop”, dhe duke pasur parasysh investimin e madh në jetë ushtarësh dhe para të Putin në pushtimin e Ukrainë, qasja e ashpër ka shumë rëndësi.
Skenari më i mirë do të ishte ringjallja e simbiozës midis fuqisë punëtore të Ukrainës dhe armëve perëndimore, që ekzistonte deri vitin e kaluar. Gatishmëria e Ukrainës për t’u mbrojtur ndaj pushtimit rus ndezi imagjinatën publike dhe bujarinë e amerikanëve dhe evropianëve (edhe pse shumë pak të tjerëve).
Ukrainasit u frymëzuan të dilnin vullnetarë në front, pjesërisht nga perspektiva se do të kishin mjetet e duhura për të luftuar edhe nga mbështetja ndërkombëtare për të dominuar mbi një kundërshtar shumë më të fuqishëm. Mjerisht, kjo qasje filloi të zbehet pas ofensivës së dështuar të Ukrainës në verën e vitit 2023.
Dhe u shkatërrua fare vitin e kaluar, kur Kongresi i SHBA-së vonoi dhënien e më shumë se 60 miliardë dollarë ndihmë jetike, pjesa më e madhe e saj ushtarake, dhe kur aleatët filluan të shkatërrojnë rezervat e tyre të armëve dhe municioneve shtesë.
Në të njëjtën kohë, u zhduk avantazhi në burime njerëzore në front që kishte Ukraina. Kjo ndodhi kryesisht nga perceptimi në rritje midis rekrutëve të rinj potencialë se “regjistrimi ishte një biletë vetëm me një drejtim, ku e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund shërbimit është të vdesësh ose të bëhesh njeri me aftësi të kufizuara” siç thotë Oleksandr Danylyuk, një ish-këshilltar special për forcat e armatosura të Ukrainës dhe agjencitë e inteligjencës.
Mungesa e municioneve dhe pajisjeve të nevojshme për të mbijetuar, e lëre më pastaj për të fituar ndaj makinerisë luftarake të Rusisë, e bëri edhe më pak tërheqëse idenë e vullnetarizmit. Por kjo tendencë mund të rikthehet në kahun e kundër këtë vit.
Kapaciteti i vetë Ukrainës për prodhimin e armëve është rritur shumë që nga fillimi i luftës. Aq sa në shumë zona të frontit nuk kërkohen armë dhe municione perëndimore, por vetëm para për t’i blerë në vend nga kompanitë private.
Edhe pse perspektiva në fushën e betejës është e zymtë, teksa Ukraina po detyrohet të pranojë strategjinë e lëshimit të territorit në këmbim të humbjeve maksimale ruse, nuk ka ende shenja të një kolapsi ukrainas apo një përparimi rus.
Ukraina jo vetëm që e ka dëbuar marinën ruse nga Deti i Zi, por mund të konkurrojë tani në luftën me raketa me rreze të gjatë dhe dron që Moska e ka zhvilluar që në fillim. Bombardimi i vazhdueshëm i posteve komanduese, sistemeve të mbrojtjes ajrore, depove të armëve dhe rafinerive të naftës shumë prapa vijës ruse të frontit nuk është më e parëndësishme.
Ashtu si sanksionet ekonomike apo fushata e raketave dhe dronëve të Rusisë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës, kjo nuk do të vendosë fatin e luftës, por do të shtojë koston e vazhdimit të pushtimit.
Pasja e më shumë ushtarëve ukrainas të pajisur mirë për të mbështetur linjat mbrojtëse të Ukrainës dhe për të rimarrë iniciativën në fushën e betejës do të jetë kritike për ta bindur Putinin që të negociojë një zgjidhje të vërtetë.
Në terma afatgjatë, kjo do të ishte po aq në dobi të Rusisë sa edhe të Evropës dhe SHBA-së. Por deri sa kjo të bëhet e qartë për të gjitha palët në këtë konflikt, si Putin ashtu edhe Trump do të jenë zhdukur prej kohësh nga skena politike./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje