
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e polakes në ishullin Ko në Greqi.
Sipas informacioneve të publikuara në mediat greke, autoritetet e drejtësisë kanë në duar një video të viktimës duke dalë nga shtëpia së bashku me autorin kryesor të vrasjes, 32-vjeçarin nga Bangladeshi.
Video konfirmon se krimi nuk ka ndodhur brenda shtëpisë së 32-vjeçarit, ashtu sikurse ka dëshmuar në polici shoku i të riut. Aktualisht 32-vjeçari nga Bangladeshi ndodhet në paraburgim. Akuzat me të cilat përballet i riu janë për vrasje dhe rrëmbim. Autoritetet shpresojnë se rezultatet e analizave laboratorike do të japin përgjigje për identitetin e autorit.
Ai mohon akuzat, ndërsa mësohet se ka ndryshuar edhe dëshminë e tij. Fillimisht mohoi se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të renë, por më vonë tha se ata kryen marrëdhënie por me dëshirën e plotë të 27-vjeçares së vrarë.
Sakaq, ka dyshime se autori nuk ka vepruar vetëm dhe se dikush e ka ndihmuar për të transferuar trupin e pajetë të Anastazias, i cili u gjet në një zonë të shkretë në gjendje të dekompozuar, i mbështjellë me qese dhe i mbuluar me degë e barishte. Në lidhje me ngjarjen policia mori në pyetje disa herë të dashurin e 27-vjeçares, gjithashtu nga Polonia. Por deri më tani nuk ka asnjë fakt që të dëshmojë përfshirjen e tij në krim, ndonëse dyshohet se e dinte se ku ndodhej partnerja e tij dhe nuk shkoi ta ndihmonte.
Informacionet që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht thonë se pavarësisht apelit të dëshpëruar të 27-vjeçares, partneri i saj polak nuk është mobilizuar menjëherë edhe pse të dy kanë komunikuar me mesazhe.
“Nuk e njihnim 32-vjeçarin nga Bangladeshi”, thotë partneri i Anastazias. 28-vjeçari duke folur për protothema.gr pohoi se as ai dhe as Anastazia nuk e njihnin 32-vjeçarin e arrestuar.
“Nuk e njohim njeriun nga Bangladeshi që është arrestua. Ai nuk ishte as shok e as koleg nga puna e saj”, tha ai, ndërsa nuk e fshehu trishtimin për përfundimin tragjik të kërkimit për 27-vjeçarin.
“Jam në gjendje shumë të keqe psikologjike. Së bashku me mamanë e Anastazias bëmë gjithçka për ta gjetur dhe kishim një shpresë që ajo të ishte gjallë”, tha ai.
Nëna dhe partneri i Anastazias janë nisur për në Poloni, ndërsa policia i ka dhënë leje nënës 27-vjeçares dhe partnerit të saj për t’u larguar nga ishulli Ko, por i ka kërkuar që të qëndrojnë në dispozicion. Rasti ka ngjallur interes të madh në Poloni, me ambasadën e vendit që dërgoi një përkthyes në ishull për të mësuar nga afër se çfarë po ndodh në procesin para-hetues.
Lini një Përgjigje