Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë aktorët në Lindjen e Mesme, duhet të reflektojnë me maturi mbi ngjarjet në zhvillim e sipër, dhe të hartojnë strategjitë e tyre të ardhshme me synim si parandalimin e tragjedive më të mëdha, ashtu edhe për të hapur një rrugë drejt një Lindje të Mesme më të mirë dhe më të sigurt...
Vrasja e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar është në vazhdën e eliminimit të liderëve të tjerë të Hamasit dhe Hezbollahut. Plani i eliminimit të liderëve të së ashtuquajturit “boshti i rezistencës”, është me sa duket pjesë e strategjisë së Izraelit për t’i prerë krahët Iranit në rajon, si një parakusht për ta izoluar këtë të fundit, dhe ndoshta për të neutralizuar programin e tij bërthamor.
Ata që besojnë se Izraeli do të vazhdojë të veprojë në kontekstin e para sulmit të 7 tetorit 2023 gabohen. Besimet, këndvështrimet dhe planet që Irani dhe i ashtuquajturi “bosht i rezistencës” kanë përfshirë në strategjitë e tyre për ta luftuar Izraelin, kanë dështuar.
Ato janë të vjetruara. Gabim e kanë edhe ata që besojnë ende tek shkaktimi i dëmeve dhe dhimbjeve ndaj shoqërisë izraelite, siç pasqyrohet së fundmi nga strategjia e re e Hezbollahut për t’u përballur me Izraelin. Shoqëria izraelite është jo vetëm e gatshme të përballojë dhimbjen dhe dëmet në nivele personale, komunitare dhe shtetërore, por edhe t’i shkaktojë shkatërrime të mëdha armiqve, pavarësisht kostos.
I takon Hezbollahut që të bjerë dakord me qeverinë libaneze dhe të gjitha komunitetet libaneze për të zbatuar Rezolutat nr,1701 dhe 1559 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra qeveria libaneze duhet të imponojë autoritetin e saj në të gjithë Libanin, dhe të çarmatosë dhe çmontojë të gjitha milicitë dhe grupet, përfshirë Hezbollahun.
Po ashtu, edhe Hamasi duhet të pajtohet me kërkesat e Izraelit, por edhe të Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe Egjiptin, për të dorëzuar armët, për të liruar pengjet dhe për t'u larguar nga Gaza. Vetëm në këtë mënyrë, Jeruzalemi do të niste një proces për rehabilitimin e Gazës, me shumë gjasa në bashkëpunim me vendet e Gjirit.
Egjipti ka shumë të ngjarë të luajë një rol kyç për stabilizimin e Gazës. Njëkohësisht, Izraeli duhet të jetë i kujdesshëm që të mos e teprojë. Ideja e tij e gjerë për riformatimin e Lindjes së Mesme, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Kjo është një ide utopike, e synuar dikur nga asirianët, babilonasit, persët, grekët, romakët, arabët, osmanët dhe britanikët; dhe që të gjithë dështuan.
Asnjë qytetërim nuk ishte në gjendje të ndryshonte Lindjen e Mesme. Lindja e Mesme, ose më mirë të themi Lindja e Mesme e Madhe, nuk është e pasur vetëm në diversitet, kultura dhe popujt e saj, por edhe në mospërputhjet, kontradiktat, të metat dhe realitetet e ashpra sociale dhe politike.
Izraeli dhe rajoni kanë nevojë për paqe. Por konteksti dhe sfondi mbi të cilin është kërkuar ajo, ka ndryshuar shumë. Problemi është se tani rajoni është më i paqëndrueshëm se kurrë, dhe fuqitë rajonale kanë nisur të hartojnë strategji për t’iu kundërvënë ngjarjeve që po zhvillohen, të cilat kanë pasoja të padëshiruara.
Siç e përmenda më lart, Izraeli do të vazhdojë të veprojë në politikën e tij për të dobësuar ndikimin e Iranit në rajon. Rrjedhimisht, bazuar tek precedentët (bombardimi i reaktorit bërthamor të Irakut në vitin 1981, pavarësisht kundërshtimit të SHBA-së) dhe zhvillimet e shpalosura (së fundmi sulmi me dron i Hezbollahut ndaj rezidencës së kryeministrit të Izraelit), Izraeli ka shumë të ngjarë të bombardojë impiantet bërthamore të Iranit.
Po ashtu ai mund të bombardojë selinë e Gardës Revolucionare (IRGC), të shënjestrojë zyrtarët e lartë; dhe të bombardojnë fabrikat e raketave dhe dronëve iranianë. Vonesa e Jeruzalemit në kundërpërgjigjen ndaj sulmit të fundit të Iranit ndaj Izraelit dhe bisedimet me administratën Biden, janë më shumë mbi kohën e duhur për ta goditur Iranin sesa për rezultatet përfundimtare.
Izraeli udhëhiqet nga besimi se e tashmja dhe e ardhmja e tij, janë të kërcënuara ekzistencialisht nga Irani dhe përfaqësuesit e tij në rajon, dhe për këtë arsye sulmi ndaj tyre është në qendër të strategjisë së Izraelit.
Në këtë aspekt, pavarësisht nga dallimet midis SHBA-së dhe Izraelit, Uashingtoni do të qëndrojë në krah të Jeruzalemit, sepse në nivel strategjik dhe gjeopolitik Uashingtoni (dhe aleatët e tij perëndimorë) nuk mund të pranojë apo tolerojë më aktorët jo shtetërorë (Huthit, Hasd Al-Sha’bi, Hezbollahun), duke kërcënuar ose me bllokimin e rrugëve detare apo destabilitetin rajonal.
Sot lufta është zgjeruar shumë përtej Gazës. Edhe fuqitë rajonale si Arabia Saudite, Egjipti dhe Turqia, kanë filluar që të hartojnë plane për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e tyre kombëtare, duke mos qenë vetëm spektatore të asaj që po shpaloset por duke u bërë aktive në mbrojtjen e vetes.
Nuk është rastësi që Muhamed Bin Salman (MBS), udhëheqësi de fakto i Arabisë Saudite, ka vizituar së fundmi Kajron. MBS i dha fund inercisë në marrëdhëniet Egjipt-Arabi Saudite, dy vendet më të fuqishme arabe. Në dallim nga koha e Luftës së Ftohtë, kur Kajro përqafoi pan-arabizmin e ashpër dhe Arabia Saudite konservatorizmin në dy kampe diametralisht të kundërta, sot këto dy vende e shohin veten në një kamp.
Së pari, ato e shohin reciprokisht se janë bërë shtete potenciale të vijës së parë të frontit në një luftë të mundshme Izrael-SHBA-Iran. Së dyti, po e shohin se Irani dhe përfaqësuesit e tij po diktojnë orientimin e politikave rajonale, duke e dobësuar kësisoj rolin e tyre rajonal.
Së treti, ata janë të shqetësuar për rolet që po luajnë Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara në rajon, dhe veçanërisht për angazhimin e Uashingtonit për sigurinë e tyre. Së katërti, ata shqetësohen për zemërimin e popujve arabë dhe për pasojat e tij për aleatët e tyre, veçanërisht Jordaninë dhe Bahreinin, përveç sigurisë së tyre personale dhe të përbashkët.
Rrjedhimisht, Arabia Saudite ka premtuar një investim të madh në Egjiptin, si një mbështetje të fortë ndaj Kajros për të rimarrë rolin e saj rajonal në diktimit e tonit të politikës arabe, përfshirë konfliktin arabo-izraelit dhe më saktë atë palestinezo-izraelit por edhe ndaj Iranit. Ndërkohë, nuk është aspak rastësi që presidenti egjiptian El-Sissi, ka emëruar një drejtues të ri të shërbimit sekret, gjeneralmajorin Hassan Mahmoud Rashad, që zëvendësoi gjeneralmajor Abbas Kamel, i cili shërbente në këtë detyrë që nga viti 2018 dhe ishte shumë i besueshëm për presidentin.
Egjipti e ka zgjeruar tashmë rolin e tij në Afrikë, duke forcuar marrëdhëniet e tij me Eritrenë dhe Somalinë. Ekspertët theksojnë se ky aks i ri synon ushtrimin e presionin ndaj Etiopisë, një vend pa dalje në det, me të cilin vendet e aksit kanë konflikte.
Por një mënyrë tjetër për të parë këtë rol të ri të Egjiptit, pasqyron dëshirën e Kajros për të fituar një pikëmbështetje përgjatë hyrjes së Detit të Kuq përballë sfidës së rebelëve Huthi pro-Iranit. Jo më pak domethënës është fakti që Egjipti i është bashkuar aleancës BRICS, dhe është sot importuesi i katërt më i madh i armëve ruse.
Ndërkohë, Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit Persik, e kanë bërë të qartë se bazat e ushtrisë në vendet e tyre nuk do të përdoren kundër Iranit, dhe se nuk do ta lejojnë Izraelin që të përdorë hapësirën e tyre ajrore për të sulmuar Iranin.
Po ashtu, edhe Turqia ka kërkuar zyrtarisht që t’i bashkohet BRICS, teksa ka rivendosur kontaktet me regjimin sirian dhe kurdët në Siri. Ankaraja është në favor të një bote multipolare dhe është e shqetësuar për një pushtim të mundshëm të Sirisë nga Izraeli, i cili mund të ndryshojë të gjithë dinamikën si në Siri ashtu edhe në Irak.
Egjipti dhe Arabia Saudite, janë të shqetësuara se paqja me Izraelin, nuk është më e bazuar tek një ekuilibër rajonal i fuqisë. Ata mendojnë se balanca është zhvendosur shumë në favor të Izraelit, ashtu siç edhe ndodhi pas luftës së vitit 1967, kur Izraeli ishte shumë i fuqishëm.
Ajo situatë e detyroi Egjiptin të kryente një sulm të befasishëm ndaj Izraelit pak vite më vonë, për të rivendosur një lloj ekuilibri rajonal të fuqisë që ndihmonte për paqen. Kjo ndjenjë përforcohet nga koncepti se qeveria e krahut të djathtë e Netanyahut, nuk është e interesuar për paqen dhe zgjidhjen e çështjes palestineze.
Në këtë drejtim, Jordania e ndan këtë shqetësim me Egjiptin dhe Arabinë Saudite. Është e qartë se nëse nuk bëhen aktivë në skenën rajonale dhe ndërkombëtare, Egjipti, Arabia Saudite dhe Jordania, mendojnë se arabët do të jenë humbësit e mëdhenj kur të mbarojë lufta dhe qetësohen gjakrat.
Po ashtu, ata besojnë se Irani po e nënvlerëson vendosmërinë me të cilën Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen që ta dobësojnë. Sot, situata e Iranit është shumë e ngjashme me atë të Perandorisë Osmane në pragun e Luftës së Parë Botërore.
Sundimtarët iranianë, pohojnë kredencialet e tyre islamike ashtu si Xhonturqit mburreshin dikur me ideologjinë e tyre nacionaliste. Ndërkaq Irani është aleat me Rusinë dhe Kinën, njëlloj si Turqia ishte bërë aleate me Gjermaninë kundër fuqive perëndimore.
Rezultati ishte shtrirja e luftës në Lindjen e Mesme, bllokimi i bregdetit të Levantit dhe në fund disfata e Perandorisë Osmane. E njëjta gjë mund të ndodhë sot me Iranin, edhe pse në rrethana të ndryshme, ku Irani mund të humbasë dhe disa vende dhe kombe të Lindjes së Mesme, si Libani, Siria, Iraku dhe ku palestinezët do të paguajnë një kosto të rëndë, duke përfshirë humbjen territoriale.
Kjo nuk do të thotë se Izraeli mund të mos ketë një “Fitore si të Pirros” me një kosto goxha të lartë! Edhe Shtetet e Bashkuara mund të humbasin terrene ndaj Rusisë, Kinës dhe Jugut Global. Kjo luftë e vazhdueshme tashmë është bërë rajonale, dhe e lidhur me rivalitetin e fuqive të mëdha.
Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë aktorët në Lindjen e Mesme, duhet të reflektojnë me maturi mbi ngjarjet në zhvillim e sipër, dhe të hartojnë strategjitë e tyre të ardhshme me synim si parandalimin e tragjedive më të mëdha, ashtu edhe për të hapur një rrugë drejt një Lindje të Mesme më të mirë dhe më të sigurt. Përndryshe, tokat e feve abrahamike do të jenë të dënuara të jetojnë në një konflikt dhe kaos të përjetshëm./Përshtati Pamfleti nga “Eurasia Riview”
Shënim: Robert Rabil, është profesor i shkencave politike në Universitetin Atlantik të Floridës, SHBA. Ai ishte pjesë e misionit të Kryqit të Kuq në Liban gjatë luftës civile në këtë vend, dhe ka shkruar shumë libra mbi Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje