Një skandal i rëndë ka shpërthyer në Zvicër, pasi hetimet mbi Klinikën e Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar të Cyrihut (USZ) kanë zbuluar shkelje serioze etike dhe një numër vdekjesh shumë më të lartë nga sa pritej statistikisht.
Sipas platformës zvicerane “Swissinfo”, analiza për periudhën 2016-2020 evidenton se nga rreth 4.500 operacione të kryera në klinikë, janë regjistruar 68 deri në 74 vdekje më shumë sesa norma normale e pritshme.
Vetë spitali universitar i Cyrihut ka konfirmuar zyrtarisht ekzistencën e problemeve dhe parregullsive të konstatuara gjatë hetimit.
Në qendër të skandalit ndodhet profesori italian Francesco Maisano, i cili drejtonte klinikën e kardiokirurgjisë gjatë asaj periudhe. Hetimet fokusohen veçanërisht te përdorimi i implantit “Cardioband”, një pajisje për riparimin e valvulave të zemrës, e prodhuar nga një kompani ku Maisano kishte interesa financiare.
Sipas raportit, implanti dyshohet se është përdorur në mënyrë të papërshtatshme në të paktën 13 raste dhe mund të lidhet me numrin e lartë të vdekjeve të regjistruara.
Spitali Universitar i Cyrihut ka referuar rastet në Prokurori, duke përfshirë vdekjet dhe përdorimin e pajisjes “Cardioband”, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse janë kryer vepra penale.
Hetimi analizoi më shumë se 300 vdekje të pacientëve gjatë mandatit të Maisano-s. Sipas dokumenteve, janë identifikuar 75 ndërhyrje kirurgjikale problematike, 64 vdekje të konsideruara “mjaft të papritura” dhe 11 raste të cilësuara si “tërësisht të papritura”.
Raporti kritikon ashpër edhe menaxhimin e spitalit, duke theksuar se drejtuesit e atëhershëm dështuan të ushtrojnë kontrollin e nevojshëm dhe reaguan shumë vonë ndaj sinjaleve alarmuese.
Sipas hetimit, Maisano ishte emëruar në vitin 2014 pa një verifikim të mjaftueshëm të kualifikimeve dhe interesave të tij profesionale.
Skandali doli në dritë falë denoncimeve të një ish-kardiokirurgu të klinikës, i cili kishte ngritur publikisht shqetësime për parregullsitë dhe më pas kishte kërkuar vazhdimisht hetime mbi aktivitetin e klinikës.
Drejtoresha aktuale e Spitalit Universitar të Cyrihut, Monika Jänicke, e cila mori detyrën në vitin 2023, shprehu mirënjohje për sinjalizuesin që ndihmoi në zbulimin e çështjes, megjithëse nuk komentoi faktin se ai humbi vendin e punës pas denoncimeve.
Leku dhe perfitimi nuk pyet se ku je, ne Zvicer apo Honolulu, prof. Italian, rraca e mutit.