
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka paralajmëruar për një përshkallëzim të rëndë të dhunës nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, pasi një fëmijë palestinez u vra në një sulm të lidhur me kolonët pranë Ramallahut.
Sipas raportit të OCHA-s, incidenti i së mërkurës në zonën e Ramallahut përfshiu kolonë që dyshohet se vodhën rreth 700 krerë bagëti nga banorët palestinezë, ndërsa detyruan të paktën dy familje të largoheshin me forcë nga shtëpitë e tyre.
Agjencia e OKB-së thekson se gjatë vitit 2026 ka dokumentuar më shumë se 800 sulme nga kolonët izraelitë, të cilat kanë prekur 220 komunitete palestineze. Kjo shifër tregon një rritje të konsiderueshme krahasuar me periudhat e mëparshme.
Vetëm midis 5 dhe 11 majit, rreth 70 palestinezë, prej të cilëve 10 fëmijë, u plagosën nga forcat izraelite ose kolonët. Shumica e plagosjeve ndodhën gjatë bastisjeve ushtarake izraelite dhe sulmeve të kolonëve ndaj fshatrave palestineze.
“Dhuna e kolonëve po përshkallëzohet në të gjithë territorin e pushtuar palestinez, duke krijuar frikë dhe pasiguri të vazhdueshme te komunitetet palestineze”, thuhet në raportin e OCHA-s.
Sulmet e kolonëve përfshijnë shpesh djegie të shtëpive, prerje të ullinjve, vjedhje të bagëtive dhe sulme fizike të drejtpërdrejta ndaj civilëve palestinezë. Shumë nga këto incidente ndodhin në prani ose me mbështetjen e heshtur të forcave izraelite, sipas dëshmive të banorëve dhe organizatave të të drejtave të njeriut.
Ky raport i fundit i OKB-së vjen në një kohë kur tensionet në Bregun Perëndimor janë të larta, me rritje të dhunës që nga sullet e 7 tetorit 2023. Kolonët izraelitë, të mbështetur nga qeveria izraelite e ekstremit të djathtë, kanë intensifikuar veprimet për të zgjeruar vendbanimet e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Ende nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet izraelite për incidentin e fundit në zonën e Ramallahut.
Lini një Përgjigje