
Një paqe e negociuar në Ukrainë, mund të jetë e besueshme vetëm nëse përfshin angazhime të forta ndërkombëtare për të siguruar pavarësinë afatgjatë të këtij vendi. Zgjidhja me e sigurt, është përfshirja e mbrojtjes së NATO-s për Ukrainën...
Samiti i fundit i NATO-s muajin e kaluar, përfundoi me një deklaratë të paqartë nëse Ukraina do të jetë në një moment anëtare e aleancës. Por ndërsa është e pamundur të sigurohet një datë e saktë për pranimin e Ukrainës, në një kohë vendi është në luftë, ngjarja që duhet ta shkaktojë atë duhet të jetë e qartë: Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s duhet të jenë gati t’i ofruar mbrojtje të plotë Ukrainës sa më shpejt, në mënyrë që të arrihet marrëveshja e paqes me Rusinë.
Kjo do ta inkurajonte qeverinë e Ukrainës të bëjë zgjedhjet e vështira që janë të nevojshme për t’i dhënë fund luftimeve. Hapi i parë drejt përcaktimit të një rruge për arritjen e paqeje të qëndrueshme në Ukrainë, është njohja e faktit se Rusia nuk e nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në vitin 2022, vetëm sa për të aneksuar një pjesë të territorit ukrainas.
Synimi nuk ishte as për të parandaluar përmbushjen e premtimeve të paqarta për anëtarësimin në NATO të Ukrainës në të ardhmen, edhe pse Kremlini i shfrytëzoi ato për t’i bindur rusët dhe të tjerët, se pushtimi ishte vendimtar për parandalimin e kërcënimeve serioze ndaj sigurisë së Rusisë.
Përkundrazi, qëllimi i Rusisë ka qenë përherë shkatërrimi i Ukrainës si një vend demokratik i pavarur, të cilin presidenti rus Vladimir Putin e sheh si një kërcënim ekzistencial për regjimin e tij autokratik. Mungesa e garancive të sigurisë për Ukrainën nga ana e NATO-s, nxiti iluzionin e Vladimir Putinit se vendi fqinj mund të mposhtej lehtësisht në fushën e betejës.
Pas më shumë se dy vitesh luftë, ky iluzion është zhdukur. Qëndrimi zyrtar i qeverisë ukrainase, është se forcat e saj do të vazhdojnë të luftojnë derisa të çlirojnë të gjithë territorin që ndodhet aktualisht nën pushtimin rus. Ky qëndrim, nuk duhet parë si një pengesë për paqen:nëse qëllimi i kundërshtarit është shkatërrimi juaj i plotë, atëherë lëshimet territoriale nuk do të sjellin fundin e luftës; ato vetëm sa do ta dobësojnë pozicionin tuaj.
Pengesa e vërtetë për çdo zgjidhje të arsyeshme të konfliktit dhe garantimin e paqes është Putin, i cili mbetet i përkushtuar që të mos mbijetojë dot një Ukrainë e lirë dhe demokratike, dhe që të ketë një histori të gjatë të refuzimit të premtimeve dhe shkeljes së traktateve nga ana e Perëndimit.
Meqë asnjë institucion politik në Rusi nuk mund ta detyrojë Putinin të respektojë kushtet e një marrëveshjeje paqeje, është e arsyeshme të supozohet se ai do ta braktiste atë dhe do të ri-pushtonte Ukrainën në rastin më të parë të mundshëm, përveçse nëse komuniteti ndërkombëtar i jep atij një arsye shumë të mirë që të mos e bëjë këtë.
Një paqe e negociuar në Ukrainë, mund të jetë e besueshme vetëm nëse përfshin angazhime të forta ndërkombëtare për të siguruar pavarësinë afatgjatë të këtij vendi. Zgjidhja me e sigurt, është përfshirja e mbrojtjes së NATO-s për Ukrainën në çdo lloj marrëveshje për paqe.
Tek e fundit, është kërcënimi i luftës me NATO-n, ai që e pengon Rusinë të pushtojë shtetet baltike. Një rrugë e mundshme, do të niste me stabilizimin e vijës së frontit nga ushtria e Ukrainës, duke përdorur armë dhe ndihmën perëndimore. Pasi të përmbushet ky kusht, Ukraina mund të ulet me Rusinë në tryezën e bisedimeve, me mirëkuptimin e përbashkët se çdo marrëveshje do të mbështetet nga garancitë e NATO-s.
Për shembull, anëtarësimi në NATO, mund të përfshijë kushtin që mbrojtja e aleancës mbulon vetëm pjesët e Ukrainës të kontrolluara nga qeveria ukrainase në kohën e pranimit në aleancë. Kjo qasje, do t’i siguronte ukrainasit se çdo lëshim territorial, nuk do t’i japë mundësi Rusisë që në të ardhmen të pushtojë territore të tjera të vendit.
Kjo nuk do të ishte hera e parë që NATO pranon në gjirin e saj vende me mosmarrëveshje territoriale të pazgjidhura. Por mund të merren në konsideratë edhe qasje të tjera. Për shembull, Ukrainës mund t’i ofrohet një lloj anëtarësimi de facto në NATO, ose negociatorët mund të bien dakord ta kufizojnë praninë normale ushtarake të NATO-s në pjesë të Ukrainës, siç ndodhi në Norvegji gjatë Luftës së Ftohtë.
Një angazhim i madh shumëpalësh për zhvillimin e ushtrisë së Ukrainës, do të forconte më tej parandalimin e një agresioni rus në të ardhmen. Natyrisht, NATO mund t’i ofrojë Ukrainës anëtarësimin edhe pa përfshirjen e Rusisë.
Por përfshirja e garancive të sigurisë së NATO-s në një marrëveshje paqeje, në vend se t'i vendosë ato veçmas, do ta bënte më të vështirë për Putinin që t’i bindë rusët se ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë.
Dhe për të qenë të qartë, ato nuk janë. Sepse arsenali i madh bërthamor i Rusisë, i garanton asaj sigurinë shumë mirë. Kur rusët ta kuptojnë se mbrojtja e Ukrainës nga NATO nuk përbën ndonjë kërcënim për Rusinë, do të jenë më pak të prirur të mbështetin luftërat parandaluese.
Garancitë e sigurisë së NATO-s për Ukrainën - qoftë në formën e anëtarësimit apo ndonjë marrëveshje tjetër - do të përbënin një angazhim të madh për SHBA-në dhe aleatët e saj, me kosto dhe rreziqe të mëdha. Por këto alternativa, duhet të peshohen përkundrejt perspektivës së zgjatjes së një lufte evropiane, që tashmë ka rezultuar në shkatërrim të madh dhe ka kushtuar qindra mijëra jetë njerëzish, me kërcënime të rregullta për përshkallëzim të mëtejshëm.
Në fund të fundit, do të varet nga vetë Ukraina që të vendosë se si do të menaxhojë kompromiset e vështira dhe të kushtueshme që do të kërkojë çdo lloj negociate për paqe. Janë ukrainasit ata që do të detyrohen të shmangin një pushtim të paprovokuar rus, dhe vetëm ata mund të vendosin se çfarë janë të gatshëm të sakrifikojnë për të çliruar territoret e pushtuara.
Por nga ana tjetër i takon komunitetit ndërkombëtar - dhe veçanërisht NATO-s - të sigurohet që kur Ukraina të vendosë të negociojë, çdo marrëveshje paqeje të jetë e besueshme dhe që të jenë të garantuara pavarësia dhe siguria afatgjatë e vendit. Ashtu si shumë vëzhgues të tjerë të luftës në Ukrainë, edhe ne do të dëshironim ta shihnim Putinin dhe miqtë e tij para gjyqit për nisjen e një lufte agresioni të paprovokuar, vrasjen e civilëve dhe terrorizimin e komuniteteve.
Po ashtu, do të donim që të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia të rikthehen në kontrollin e Ukrainës. Por prioriteti më urgjent, duhet të jetë dhënia fund e luftës dhe garantimi i sigurisë së ardhshme të ukrainasve. Dhe këtë mund ta bëjnë të mundur vetëm garancitë e dhëna nga NATO.
Shënim:Roger Myerson, fitues i Çmimit Nobel në ekonomi dhe profesor i Studimeve të Konflikteve Globale në Universitetin e Çikagos. Timothy Mylovanov, një ish-ministër i Ekonomisë dhe Bujqësisë i Ukrainës, aktualisht drejtues i Shkollës Ekonomike të Kievit.
Konstantin Sonin, ish-zëvendës rektor i Shkollës së Lartë të Ekonomisë në Moskë, aktualisht profesor në Universitetin e Çikagos. /Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”
Lini një Përgjigje