Republika Sërpska ka shpenzuar katër milionë dollarë nga buxheti i saj për të paguar lobistë në Uashington, që të promovojnë pavarësinë e këtij entiteti nga Bosnje dhe Hercegovina, tregojnë të dhënat e Departamentit amerikan të Drejtësisë, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë.
Kontrata e fundit me kompaninë izraelito-kanadeze Dickens & Madson është vetëm pjesë e një fushate shumëvjeçare lobimi që autoritetet e Republikës Sërpska zhvillojnë në Shtetet e Bashkuara. Që nga viti 2015, për këtë qëllim janë shpenzuar të paktën 8.3 milionë dollarë.
Objektivat e lobimit kanë përfshirë, mes tjerash, heqjen e sanksioneve amerikane ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe sfidimin e legjitimitetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.
Shtetet e Bashkuara i hoqën sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij në vitin 2025, ndërsa Schmidt dha dorëheqje në maj të këtij viti. Nga rishikimi i buxhetit për vitin 2025, autoritetet e Republikës Sërpska ndanë edhe 54.9 milionë marka konvertibile, apo rreth 28 milionë euro, për aktivitete lobuese. Këto mjete u miratuan nga shumica qeverisëse në Kuvendin Popullor të Republikës Sërpska, i udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.
Në anën tjetër, institucionet shtetërore të Bosnje dhe Hercegovinës kanë angazhuar vetëm një herë një kompani lobuese që nga përfundimi i luftës në vitin 1995. Kjo ka ndodhur vitin e kaluar, kur për dhjetë muaj është kontraktuar një firmë për të mbrojtur integritetin territorial të shtetit.
Ari Ben-Menashe, ish-oficer i inteligjencës ushtarake izraelite dhe themelues i kompanisë Dickens & Madson, refuzoi t'u përgjigjej pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse pavarësia e Republikës Sërpska mbetet ende objektivi i angazhimit të kompanisë dhe si synon ajo ta promovojë këtë politikë para institucioneve amerikane dhe ndërkombëtare.
“Nuk mund t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve për shkak të detyrimeve të konfidencialitetit që rrjedhin nga kontrata”, tha Ben-Menashe në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Pyetjeve nuk iu përgjigjën as Qeveria e Republikës Sërpska, e cila nënshkroi kontratën me Ben-Menashen në shtator të vitit 2025, dhe as Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, e cila në fillim të vitit 2025 kishte angazhuar për një periudhë të shkurtër lobistë për të mbrojtur integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës dhe interesat që i kundërshtojnë ato të autoriteteve të Republikës Sërpska.
Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Bosnje dhe Hercegovinës, entitetet nuk kanë të drejtë të shkëputen nga shteti, përfshirë edhe organizimin e referendumit për një çështje të tillë, edhe pse autoritetet e Republikës Sërpska e kanë përmendur këtë mundësi disa herë në të kaluarën.
Nëntorin e kaluar, në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, Shtetet e Bashkuara ritheksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, duke thënë se mbeten fuqimisht të përkushtuara për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Kush lobon për një Republikë Sërpska të pavarur?
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Qeveria e Republikës Sërpska ka angazhuar gjithsej 15 kompani amerikane lobimi dhe juridike, përfshirë edhe zyrën e saj përfaqësuese në SHBA, të regjistruar për të kryer aktivitete lobuese.
Deri në fund të vitit 2025, këtyre kompanive u janë paguar të paktën 8.3 milionë dollarë, sipas bazës publike FARA (Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj) të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Të gjitha kompanitë e angazhuara për lobim ose shërbime juridike kanë lidhje me qarqe politike republikane në Uashington.
Në qendër të vëmendjes është kontrata më e fundit, e nënshkruar më 6 shtator 2025 me kompaninë Dickens & Madson, në vlerë prej katër milionë dollarësh. Në këtë kontratë thuhet shprehimisht se “pavarësia e Republikës Sërpska nga Bosnje dhe Hercegovina është qëllimi ynë përfundimtar”.

Lobimi për pavarësi nuk ndalohet nga ligjet amerikane dhe lobistë mund të angazhojë kushdo, përveç personave ose subjekteve që janë nën sanksione. Kushti i vetëm është që aktiviteti të regjistrohet në përputhje me Ligjin për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj, i miratuar në vitin 1938. Ky ligj kërkon që individët dhe organizatat që veprojnë në emër të qeverive, partive politike ose subjekteve të huaja, t’i bëjnë publike marrëdhëniet dhe aktivitetet e tyre.
Kompania Dickens & Madson u themelua nga Ari Ben-Menashe, një biznesmen izraelito-kanadez, i cili thotë se ka qenë ish-oficer i inteligjencës ushtarake izraelite. Në vitin 2002, Ben-Menashe u mor në pyetje në Zimbabve në lidhje me akuza për një komplot të dyshuar për “eliminimin” e liderit të atëhershëm autoritar, Robert Mugabe.
Akuzat mbështeteshin në incizime të përgjimeve të takimeve të Ben-Menashes me liderin opozitar, Morgan Tsvangirai, i cili më vonë u shpall i pafajshëm. Në vitin 2019, ai loboi për Këshillin Ushtarak Kalimtar të Sudanit, i cili mori pushtetin pas grushtshtetit që rrëzoi diktatorin shumëvjeçar, Omar al-Bashir. Dy vjet më vonë, ai loboi edhe për juntën ushtarake të Mianmarit, pasi ushtria mori pushtetin dhe arrestoi lideren civile, Aung San Suu Kyi.
Ben-Menashe ka marrë, gjithashtu, një pjesë të fondeve nga financues të panjohur nga Rusia për të lobuar në favor të Sadyr Japarovit, i cili në atë kohë ushtronte detyrën e presidentit të Kirgizisë.
A e shkel Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës lobimi për pavarësinë e Republikës Sërpska?
Njëmbëdhjetë deputetë nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës dorëzuan në shkurt të vitit 2026 një kallëzim penal kundër Mlladen Fillipoviqit, nënshkruesit zyrtar të kontratës me kompaninë Dickens & Madson. Fillipoviç drejton Zyrën Përfaqësuese të Republikës Sërpska në Austri, përmes së cilës u financua kontrata e lobimit. Ata e akuzuan atë për “sulm ndaj rendit kushtetues dhe cenim të integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Megjithatë, Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës e hodhi poshtë kallëzimin, duke thënë se kjo vepër penale nënkupton “përdorimin e forcës, kërcënimeve ose veprimeve të tjera të kundërligjshme, të drejtuara ndaj ndryshimit me dhunë të rendit kushtetues ose integritetit territorial të shtetit”.
“Paratë e buxhetit, në financimin e të cilit kontribuojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset në Republikën Sërpska, por edhe në të gjithë Bosnje dhe Hercegovinën, po shpenzohen për lobim të paligjshëm dhe antikushtetues kundër shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Denis Zvizdiç, një nga nënshkruesit e kallëzimit penal.
Ai i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, e cila ende nuk ka marrë qëndrim për këtë çështje. Zvizdiç kërkon që Gjykata Kushtetuese të ndalojë përdorimin e mjeteve buxhetore nga të gjitha nivelet e pushtetit për lobim në mbështetje të objektivave që, sipas tij, bien ndesh me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e institucioneve të Bosnje dhe Hercegovinës. Megjithatë, një vendim i mëhershëm i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, i vitit 2008, përcaktoi se secila nga 13 qeveritë në vend, ajo shtetërore, dy qeveritë e entiteteve dhe dhjetë qeveritë kantonale - ka të drejtë të angazhojë kompani lobuese. Kjo e drejtë, sipas vendimit, i takon edhe Qeverisë së Republikës Sërpska.
Ky vendim u mor pasi ish-anëtari i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Haris Sillajxhiq, kërkoi shfuqizimin e kontratës së parë të Republikës Sërpska me një kompani lobimi në SHBA, duke argumentuar se politika e jashtme është kompetencë ekskluzive e shtetit dhe jo e entiteteve.
Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë argument, duke konstatuar se aktivitetet e Republikës Sërpska kishin për qëllim lobimin jashtë vendit për promovimin e interesave të saj si entitet dhe se ato nuk përbëjnë ushtrim të kompetencave ekskluzive të Bosnje dhe Hercegovinës në fushën e politikës së jashtme apo tregtisë së jashtme.
Kë paguan Republika Sërpska për të lobuar?
Sipas kontratave të nënshkruara gjatë dhjetë vjetëve të fundit, pas vendosjes së sanksioneve të para amerikane ndaj Millorad Dodikut në vitin 2017, Republika Sërpska ka shpenzuar të paktën 8.3 milionë dollarë për kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara. Shuma reale është edhe më e lartë, pasi vlera e disa kontratave është e censuruar në dokumentet publike. Në regjistrimet sipas ligjit FARA, janë mbuluar honorarët mujorë të kompanisë Zell & Associates International Advocates, e themeluar posaçërisht për lobimin në emër të Republikës Sërpska nga avokati izraelito-amerikan, Marc Zell.
Ai është kryetar i degës së Partisë Republikane amerikane në Izrael dhe konsiderohet i afërt me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Nga pjesët e dukshme të kontratës shihet se Zell do të merrte 500 mijë dollarë menjëherë pas nënshkrimit të saj, shumë që përfaqësonte 50 për qind të vlerës totale të kontratës. E censuruar është edhe kontrata me kompaninë RRB Strategies, të drejtuar nga ish-guvernatori i Illinoisit, Rod Blagojevich, i cili ka vizituar disa herë Banja Llukën.
Blagojevich ishte dënuar për përpjekje për të “shitur” vendin vakant në Senatin amerikan, të mbetur pas zgjedhjes së Barack Obamës president i SHBA-së, si dhe për raste të tjera të korrupsionit politik dhe zhvatjes. Presidenti amerikan, Donald Trump, ia shkurtoi dënimin me burg në vitin 2020, ndërsa në vitin 2025 e fali plotësisht, duke thënë se Blagojevich kishte qenë viktimë e një ndjekjeje të padrejtë dhe një dënimi tepër të ashpër. Prindërit e tij ishin emigrantë serbë dhe ai ka folur shpesh për lidhjet me Serbinë, duke marrë pjesë edhe në aktivitete të diasporës serbe. Në mesin e kompanive të angazhuara veçohet edhe CRB Global, e cila gjatë vitit 2026 përfaqëson njëkohësisht Qeverinë e Serbisë dhe Ministrinë për Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës Sërpska.
Dokumentet e regjistruara sipas FARA-s tregojnë se përfaqësues të CRB Global kanë zhvilluar të paktën dy takime me Bankën Amerikane të Eksportit dhe Importit (EXIM Bank), ku është diskutuar për sanksionet ndaj Qeverisë së Serbisë, pa u bërë publike detaje të tjera. Për shërbimet e kësaj kompanie, Serbia paguan 10 mijë dollarë në muaj, ndërsa Republika Sërpska paguan 100 mijë dollarë në muaj.
Heqja e sanksioneve dhe mbyllja e OHR-së
Megjithëse kontratat ndryshojnë në përmbajtje, objektivat politike që synojnë, janë pothuajse të njëjta. Një ndër prioritetet kryesore është heqja e sanksioneve amerikane ndaj Millorad Dodikut, bashkëpunëtorëve të tij, anëtarëve të familjes dhe personave e kompanive të lidhura me ta. Shtetet e Bashkuara hoqën shumicën e këtyre sanksioneve në tetor të vitit 2025.
Megjithatë, Ambasada amerikane njoftoi në maj të vitit 2026 se “vazhdon të monitorojë sjelljen e të gjithë aktorëve dhe partive, përfshirë ish-presidentin Dodik, dhe ruan të drejtën të vendosë sanksione ndaj individëve kur kjo të jetë e nevojshme”.
Kontratat e lobimit përfshijnë edhe qëllime të tjera, si: mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR); vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt; promovimin e qëndrimeve të Republikës Sërpska për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, e cila i dha fund luftës në fund të vitit 1995, si dhe rishpërndarjen e kompetencave ndërmjet shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës dhe entiteteve.
Schmidt dha dorëheqje në maj të këtij viti, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ende po përpiqen të bien dakord për emërimin e pasardhësit të tij. OHR-ja mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa përfaqësuesi i lartë gëzon të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, të cilat i mundësojnë të ndryshojë ligje dhe të shkarkojë zyrtarë publikë. Pikërisht për moszbatimin e vendimeve të OHR-së, Millorad Dodik u dënua nga Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike.
Disa prej kontratave të lobimit parashohin edhe organizimin e takimeve të zyrtarëve të Republikës Sërpska me zyrtarë amerikanë, ofrimin e këshillimit politik, zhvillimin e fushatave mediatike - veçanërisht në rrjetet sociale - ku përfshihen edhe ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe mbështetje për krijimin e kontakteve dhe komunikimin me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin dhe Departamentin e Shtetit.
Zyrtarë të Republikës Sërpska, të cilët deri vonë ishin nën sanksionet amerikane, përfshirë edhe Millorad Dodikun, kanë vizituar disa herë Shtetet e Bashkuara. Më 7 prill, Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit amerikan, Donald Trump, qëndroi në Banja Llukë. Kontratat e Republikës Sërpska me kompanitë lobuese nuk përcaktojnë afate kohore për arritjen e objektivave politike. Në to, kompanitë angazhohen të vazhdojnë promovimin e interesave të Republikës Sërpska pranë institucioneve amerikane.
Institucionet shtetërore aktualisht pa lobistë
Në regjistrimet publike sipas ligjit FARA nuk figurojnë kontrata aktive lobimi për Këshillin e Ministrave, Presidencën, Asamblenë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës, Qeverinë e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës apo për ndonjë zyrtar individual.
Politologu boshnjako-amerikan, Jasmin Mujanoviç, thotë se Republika Sërpska ka një strukturë institucionale më të thjeshtë, gjë që ua lehtëson partive në pushtet - të cilat qeverisin prej më shumë se dy dekadash - mobilizimin dhe financimin e rrjeteve lobuese.
“Republika Sërpska ka një aparat institucional më të centralizuar, gjë që i jep pushtetit më shumë hapësirë për të organizuar lobim në arenën ndërkombëtare”, vlerëson Mujanoviç për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, “nëse te forcat politike në Sarajevë, që e konsiderojnë veten shtetformuese, do të ekzistonte vullneti politik, ka një sërë modelesh për të lobuar në emër të Bosnje dhe Hercegovinës”.
Por, ai shton se një vullnet i tillë aktualisht mungon.
“Ndoshta këta aktorë politikë do të evoluojnë në muajt dhe vitet e ardhshme, por kam frikë se kjo mund edhe të mos ndodhë”, thotë Mujanoviç.
Një përjashtim është Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje dhe Hercegovinës, e drejtuar nga politikani i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviç, e cila ka nënshkruar një marrëveshje njëvjeçare me organizatën Aleanca Boshnjake-Amerikane për ofrimin e shërbimeve të lobimit, por pa kompensim financiar.
Përmes kësaj organizate, në prill të vitit 2025 u lidh një kontratë me kompaninë lobuese, Continental Strategy, për përfaqësimin e interesave të Bosnje dhe Hercegovinës para vendimmarrësve amerikanë.
Megjithatë, kontrata u ndërpre pesë muaj më vonë.
Ndërkohë, në janar të vitit 2026, Republika Sërpska nënshkroi një kontratë njëvjeçare me të njëjtën kompani, Continental Strategy, në vlerë prej 420 mijë dollarësh, për lobim dhe këshillim në marrëdhëniet me administratën amerikane lidhur me çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë./REL
Lini një Përgjigje