
Një politikan i mirë, duhet të kuptojë nevojat e të gjithë njerëzve, madje edhe të atyre që nuk janë dakord me të (dhe që nuk e kanë votuar), dhe të krijojë një mjedis, ku të gjithë mund të flasin pa pasur frikë nga pasojat negative.
Shumë sipërmarrës dhe menaxherë të suksesshëm, besojnë se qeveria duhet të funksionojë si një biznes. Nuk mungojnë shembujt, nga Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy si rastet më të freskëta në Shtetet e Bashkuara, deri tek figurat e së shkuarës në Itali si Berlusconi, Passera, Montezemolo, Calenda, Colao e të tjerë.
Por qeverisja e një shteti, nuk është njëlloj si të drejtosh një biznes privat. Aftësitë dhe strategjitë që funksionojnë në sektorin privat, mund të dështojnë në sektorin publik. Në një kompani, efikasiteti është gjithçka. Prandaj është thelbësore që ju të përfitoni sa më shumë nga burimet që keni në dispozicion.
Por në qeverisjen e një vendi, efikasiteti mund të ketë kufij. Për shembull ne nuk duam që policia të kursejë karburant gjatë ndjekjes së një krimineli, dhe që as gjykatat të “nguten” në dëm të drejtësisë, apo që mjekët të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale të shpejta, duke lënë pas dore sigurinë e pacientëve.
Kur je pjesë e qeverisjes së një vendi, synimi nuk është vetëm të jesh efikas, pra të maksimizosh përdorimin e burimeve që ke në dispozicion. Por të jesh efektiv, do të thotë të arrish rezultatet e dëshiruara në mënyrë të balancuar. Pra duke u siguruar që efikasiteti të mos e rrezikojë sigurinë, lirinë, barazinë ose vlera të tjera thelbësore, të cilat përfaqësojnë mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë.
Për ta kuptuar më mirë këtë ndryshim, imagjinoni sikur keni për detyrë të përgatisni një tortë. Të jesh efikas në këtë rast, do të thotë të përdorësh sa më pak kohë dhe përbërës. Por në rast se torta nuk është e mirë ose diçka mungon, rezultati nuk do të jetë i kënaqshëm.
Megjithatë të jesh efektiv, do të thotë të bësh një tortë që është e mirë dhe e pëlqejnë që të gjithë, edhe nëse kjo kërkon më shumë kohë apo përdorimin e më shumë përbërësve. Sipërmarrësit dhe menaxherët e kompanive private që bëhen politikanë të mirë, ndjekin në përgjithësi 3 rregulla themelore, të cilat megjithatë normalisht nuk janë të miratuara dhe përdorur në praktikën e përditshme të biznesit.
I pari rekomandon që t’i dëgjoni të gjithë. Një politikan i mirë, duhet të kuptojë nevojat e të gjithë njerëzve, madje edhe të atyre që nuk janë dakord me të (dhe që nuk e kanë votuar), dhe të krijojë një mjedis, ku të gjithë mund të flasin pa pasur frikë nga pasojat negative.
I dyti këshillon që të provosh idetë me hapa të vegjël. Një politikan nuk mund të rrezikojë shumë, sepse një gabim i madh mund të dëmtojë shumë njerëz. Për këtë arsye, është më mirë të bësh ndryshime në doza të vogla, për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo.
Rregulli i tretë dhe më i vështirë, është të mendosh për të tjerët. Ndërsa ata që punojnë në kompani private e bëjnë këtë për të fituar para, një politikan duhet të punojë për t’i ndihmuar njerëzit të ndihen më mirë.
Në biznes, vlera krijohet për të marrë fitime, ndërsa në qeverisje vlera krijohet për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Është një ndryshim thelbësor, i cili kërkon një ndryshim të dukshëm në mentalitet. Edhe sepse zakonisht, qeveritë kujdesen për gjërat që tregjet nuk mund ose nuk duhet t’i bëjnë, si për shembull garantimi i arsimit për të gjithë, mbajtja e rrugëve në gjendje të mirë apo mbrojtja e kufijve kombëtare./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Fatto Quotidiano”
Shënim: Vincenzo Imperatore, konsulent menaxhimi, gazetar dhe eseist.
Lini një Përgjigje