TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Nëntor 2024, 21:06

Pse Scholz gjeti “tempullin e faljes” te Vladimir Putin?!

Shkruar nga Pamfleti
Pse Scholz gjeti “tempullin e faljes” te Vladimir Putin?!
Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë bisedës telefonike me Vladimir Putin

Një Scholz-i të pashpresë, i duhej një tempull falje për të shpëtuar nga vdekja politike dhe “mëkatari” Vladimir Putin mesa duket ishte përgjigja.

I ndodhur në furtunën e prishjes së koalicionit qeverisës, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri një lëvizje “alla Trump”, e cila nëse luhet në mënyrën e duhur mund t’i shërbejë atij për të rifituar një mandat të dytë qeverisës.

Olaf Scholz zhvilloi një bisedë telefonike me presidenti rus, Vladimir Putin e cila zgjati më shumë se një orë, pasditen e sotme, duke shënuar komunikimin e parë pas dy vitesh, që nga nisja e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Në fokus të bisedës raportohet se ishte lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet ruso-gjermane të cilat kanë degraduar që nga nisja e luftës. Zyra e Scholz theksoi se Kancelari i kërkoi Putinit të ndalonte agresionin rus në Ukrainë dhe të nisë bisedimet për paqe.

Kam folur me presidentin Putin në telefon dhe i kam bërë thirrje që t’i japë fund luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe të tërheqë trupat e saj. Rusia duhet të tregojë një gatishmëri për të negociuar me Ukrainën - me synimin për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha zyra e Scholz.

Telefonata u konfirmua edhe nga ana e Kremlinit i cili tha se pati një telefonatë mes dy liderëve me iniciativë të palës gjermane. Në njoftimin e Kremlinit, u theksua se u zhvillua një shkëmbim i detajuar dhe i sinqertë i pikëpamjeve për situatën në Ukrainë, teksa shtohej se Putin tregoi gatishmërinë e tij për të nisur negociatat për një marrëveshje paqeje.

“U zhvillua një shkëmbim i detajuar dhe i sinqertë i pikëpamjeve për situatën në Ukrainë. Vladimir Putin kujtoi se kriza aktuale ishte rezultat i drejtpërdrejtë i politikës agresive të gjatë të NATO-s që synonte krijimin e një ure anti-ruse në territorin ukrainas duke injoruar interesat e vendit tonë në fushën e sigurisë dhe duke shkelur të drejtat e banorëve rusishtfolës. Për sa i përket perspektivave për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit, presidenti rus vuri në dukje se pala ruse nuk ka refuzuar kurrë dhe mbetet e hapur për rifillimin e negociatave që u ndërprenë nga regjimi i Kievit”, thuhej në deklaratën e Kremlinit.

Por përse pikërisht tani dhe çfarë do të thotë kjo telefonatë për Scholzin?

Pas kësaj telefonate fshihen dy motive dhe objektiva kryesorë të Scholz. Në një kohë kur Gjermania pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe kur sondazhet vendase tregojnë një rënie të popullariteti të tij, Scholzit i duhej një lëvizje e madhe edhe nëse ajo shkonte kundrejt rrymës së BE-së dhe pikërisht atë bëri. Scholz vendosi të zhvillojë një telefonatë me atë që për dy vitet e fundit është shpallur armiku i përbashkët i Perëndimit, Vladimir Putin.

Me anë të kësaj telefonate, Scholz do të tregojë aftësitë e tij si lider botëror i cili arrin të bëjë lëvizje të mëdha dhe të sjellë palët në tavolinën e bisedimeve gjë që për gjermanët, të cilët paguajnë një shumë të majme faturash me ndihma në Ukrainë, do të ishte një melodi. Arritja e paqes në Ukrainë do të thotë për shumë gjermanë frymëmarrje dhe ulje e kostove të jetesës. Kjo lëvizje e Scholz do të nxiste gjermanët të votonin për një qeveri e cila është e gatshme të bëjë marrëveshje me Putinin pavaësisht kushteve, pas një lufte rraskapitëse mbi 2-vjeçare. 

Gjithashtu, kjo telefonatë do të rriste shpresat e gjermanëve për rregullimin e marrëdhënieve me Rusinë. Që do të thotë se në një të ardhme të shpejtë Gjermania mund të nisë sërish marrjen e burimeve energjetike nga Rusia, gjë që do të sillte uljen e kostove të gazit dhe naftës, të cilët kanë pësuar rritje si shkak i sanksioneve të vendosura ndaj Moskës dy vitet e fundit. 

Një tjetër motiv që bëri Scholzin që të ndërmerrte këtë hap i cili nuk u prit mirë as nga ana e Ukrainës por as nga aleatët e BE-së, është zgjedhja e Trump-it si president i SHBA-së. Duke qenë se Trump ka deklaruar se në ditët e para të qeverisjes së tij ai do të ulet në tryezë me Rusinë për të vendosur paqe në Ukrainë pavarësisht kushteve, Scholz po mundohet t’i rrëmbejë presidentit të ardhshëm të SHBA-së një pjesë të skenës, por pse jo, t’i bëhet edhe aleat mbështetës në idenë e tij shumë të kritikuar nga të gjithë.

Në një kohë kur Trump do edhe 2 muaj që të marrë presidencën, Scholz po mundet të luajë shpejtë kartat e negociatorit për të rritur imazhin e tij të brishtë si brenda ashtu edhe në rangun ndërkombëtare.

Nisma e Scholzit është një thikë me dy presa, se sa do të realizohen pritshmëritë e tij mbetet për tu parë, por një gjë është e sigurt, kancelari gjerman sapo i ka vendosur flakën politikës anti-ruse të Europës!

Pavarësisht së gjithash, një Scholz-i të pashpresë, i duhej një tempull falje për të shpëtuar nga vdekja politike dhe “mëkatari” Vladimir Putin mesa duket ishte përgjigja./Pamfleti

Lini një Përgjigje