TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Nëntor 2024, 17:37

Izraeli dhe Irani manovra të rrezikshme, Lindja e Mesme në pragun e luftës së madhe!

Shkruar nga Julien Barnes-Dacey, Ellie Geranmayeh & Hugh Lovat

Izraeli dhe Irani manovra të rrezikshme, Lindja e Mesme në pragun e

Ndërsa presidenti i ardhshëm amerikan, është zotuar se do të sjellë paqe në rajon dhe do ta tërheqë SHBA-në nga misionet ushtarake, një luftë e plotë midis Iranit dhe Izraelit mund t’i tërheqë trupat amerikane në një përballje të drejtpërdrejtë.

Donald Trump do ta nisë presidencën e tij të dytë, duke u përballur me një Lindje të Mesme të shkatërruar: luftërat katastrofike në Gaza dhe Liban midis Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani, rrezikojnë të provokojnë një konflikt më të gjerë midis Izraelit dhe Iranit, madje edhe përpara se Trump të marrë detyrën në janar.

Gjatë këtij viti, Izraeli dhe Irani janë përfshirë në 2 raunde të paprecedentë sulmesh të drejtpërdrejta ushtarake ndaj njëri-tjetrit. Tani ata janë të përgatitur për një raund të ri sulmesh. Teherani po premton një “kundërpërgjigje dërrmuese” ndaj sulmeve të 26 tetorit të Izraelit kundër bazave të tij ushtarake.

Ndërsa fitorja e Trump, ka nxitur një lloj ndërprerje të këtyre manovrave, Izraeli dhe Irani ka të ngjarë të përpiqen të përpiqen të krijojnë një avantazh në terren që përpara fillimit të presidencës së tij. Por në këtë mënyrë, ata rrezikojnë që ta përshkallëzojnë situatën dhe ta zhysin rajonin në një luftë akoma më të madhe.

Ndërsa presidenti i ardhshëm amerikan, është zotuar se do të sjellë paqe në rajon dhe do ta tërheqë SHBA-në nga misionet ushtarake, një luftë e plotë midis Iranit dhe Izraelit mund t’i tërheqë trupat amerikane në një përballje të drejtpërdrejtë.

Evropianët duhet të bashkëpunojnë urgjentisht me shtetet arabe të Gjirit, për të parandaluar këtë skenar, duke e denoncuar iluzionin e rrezikshëm të Izraelit për riformësimin e panoramës ushtarake të rajonit, dhe duke i bërë presion ekipit të Trump për të ndihmuar në rivendosjen e mekanizmave të frenimit në dinamikën e shkallëzimit, përpara se të jetë tepër vonë.

Vizioni megaloman i Netanyahut

Qëllimi i kryeministrit izraelit Binyamin Netanyahu për të “ndryshuar” Lindjen e Mesme pasqyron përshkallëzimin e mendjemadhësisë së izraelitëve, pas arritjeve të rëndësishme taktike kundër Iranit dhe partnerëve të tij në Gaza dhe Liban që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023.

Sulmet e rënda ushtarake izraelite, e kanë dëmtuar ndjeshëm rrjetin e aleatëve rajonalë të Iranit, i njohur dhe si “boshti i rezistencës”, dhe kanë nxjerrë në pah paaftësinë e Teheranit për të frenuar sulmet. Tani Izraeli e tani ndjen brishtësinë e mekanizmit parandalues të Iranit, pjesërisht për shkak të ngurrimit të këtij të fundit për të nisur një konflikt në shkallë të plotë kundër Izraelit, dhe për rrjedhojë edhe SHBA-së.

Ka shumë gjasa që Netanyahu sheh rreziqe por edhe dhe mundësi pas zgjedhjeve të fundit në SHBA. Trump dhe këshilltarët e tij të zjarrtë pro-izraelitë, do të mbështesin padyshim Izraelin. Por Trump bëri fushatë me një platformë për t’i dhënë fund luftërave, dhe thuhet se i ka kërkuar Izraelit që t’i japë fund luftimeve para se ai të marrë detyrën në 20 janar 2025.

Prandaj, periudha nga tani e deri në ceremonia e inaugurimit të Trump, mund të jetë një moment kritik, teksa Izraeli po synon të maksimalizojë përfitimet e tij ushtarake kundër Iranit dhe Hezbullahut, përpara se Trump të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve, ose të krijojë një situatë në të cilën Trump detyrohet të mbështesë ndërhyrjen e SHBA-së në krah të Izraelit.

Pra Netanyahu, mund ta shohë periudhën aktuale, si një mundësi të artë për ta bllokuar administratën e ardhshme amerikane nga ndërmarrja e veprimeve ushtarake të drejtpërdrejta kundër Iranit, edhe nëse Trump dëshiron ta shmangë këtë skenar.

Duke pasur parasysh inercinë e administratës Biden për luftërat në Gaza dhe Liban, Netanyahu shpreson se SHBA-ja mund të detyrohet të mbështesë një fushatë ushtarake në zgjerim kundër Iranit, duke pasur parasysh presionin politik me të cilën do të përballet Uashingtoni brenda vendit për të qëndruar në një linjë me Izraelin, sidomos nëse kjo mund të justifikohet si vetëmbrojtje kundër sulmeve iraniane.

Llogaritjet e ndërlikuara të Teheranit

Shumë gjëra do të varen nga reagimi i  Iranit ndaj sulmeve izraelite të 26 tetorit. Presidenti i ri reformator, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani mund të zbusë kundërpërgjigjen e tij në rast se do të ketë një armëpushim në Liban. Por ky i fundit do të kërkojë kohë.

I çliruar nga presioni i zgjedhjeve në SHBA, Biden mund të përdorë disa leva ndikimi për ta nxitur Izraelin të shkojë drejt një armëpushimi, por ky hap mund të jetë i vonuar duke pasur parasysh rikthimin e afërt të Trumpit në pushtet dhe kërkesat maksimaliste të Izraelit.

Teherani ka dërguar disa sinjale se është gati të ulë tensionet me administratën e ardhshme. Javad Zarif, që është tani këshilltar i Pezeshkian, shkroi në platformën X se shpreson që Trump do të “pozicionohet kundër luftërave, ashtu siç edhe premtoi gjatë fushatës”.

Po ashtu, Irani po përdor një ton më pajtues ndaj programit të tij bërthamor, fiks disa ditë përpara takimit në Teheran me drejtorin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Një vizitë pozitive dhe shenjat e përparimit të mundshëm në bisedime, mund të zbusin qasjen e Trump ndaj Teheranit, duke pasur parasysh deklaratën e tij të fundit, se nuk synon ndryshimin e regjimit, por vetëm një Iran pa armë bërthamore.

Por nëse politikat e Trumpit në rajon do të diktohen nga ‘skifterët’ anti-iranianë që do të jenë në kabinetin e tij, Teherani ka të ngjarë të synojë të rivendosë ekuilibrin e parandalimit me kundërshtarët e tij që përpara ardhjes në pushtet të një presidenti amerikan akoma më të ashpër.

Ç’duhet bërë

Edhe pas tmerreve që u panë gjatë vitit të kaluar, rreziqet e një konflikti edhe më të gjerë midis Izraelit dhe Iranit, duhet të ngjallin një shqetësim të madh në Evropë. Sepse mund të ndodhë që Irani të shfrytëzojë programin e tij bërthamor shumë të avancuar për të prodhuar armë, si dhe të thellojë lidhjet e tij ushtarake me Rusinë, dy lëvizje që bien ndesh me qëllimet afatgjata të evropianëve.

Qeveritë evropiane nuk duhet ta pranojnë iluzionin e Izraelit se mund të riformatojë Lindjen e Mesme përmes fuqisë ushtarake. Ndërkaq, ato duhet të jenë jashtëzakonisht të shqetësuara nga perspektiva e një lufte më të gjerë shkatërruese, e cila mund të sjellë përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe aleatëve të saj evropianë.

Ata duhet të veprojnë me shpejtësi për ta parandaluar këtë konflikt, duke e pranuar se rreziku më i madh mund të jetë në javët e fundit të presidencës Biden, teksa Irani dhe Izraeli ka të ngjarë të përpiqen që ta anojnë peshoren e fuqisë, përpara se Donald Trump të marrë detyrën.

Duke pasur parasysh dobësinë e qartë të Biden, Trump është tani - edhe para se të marrë zyrtarisht detyrën  - ndoshta i vetmi person që mund të ushtrojë presion ndaj Izraelit, që të përmbahet para se të jetë tepër vonë. 

Ai mund t’ia bëjë të qartë edhe Teheranit, se dëshira e tij për të ecur drejt arritjes së marrëveshjeve dhe lehtësuar sanksionet ekonomike, në vend të thellimit të konfliktit dhe presionit maksimal, varet nga ulja tensioneve midis 2 vendeve, përfshirë shmangien e përgjigjes ndaj sulmeve të 26 tetorit nga ana e Izraelit.

Mënyra kryesore sesi evropianët mund ta bindin Trumpin të ndjekë këtë qasjeje, do të jetë bashkëpunimi me kryeqytetet arabe. Që nga mandati i parë i Trump, ka pasur një afrim domethënës midis shteteve të Gjirit Arab dhe Teheranit. Kryeqytetet arabe e shohin me shqetësim një rikthim të mundshëm tek politikat e presionit maksimal të SHBA-së ndaj Iranit, sepse kjo ka të ngjarë të përshpejtojë perspektivën e një lufte izraelito-iraniane.

Ndaj një koalicion i vendeve evropiane dhe i atyre arabe, veçanërisht Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duhet t’ia bëjë të qartë Trumpit se ky skenar rrezikon ta futë SHBA-në në një konflikt akoma më të madh. Gjithsesi është e qartë, se paparashikueshmëria e Trump - e kombinuar me zellin e Netanyahut për fitore ushtarake dhe vendosmërinë e Iranit për të rivendosur frenimin e tij, nënkupton se evropianët duhet të përgatiten për një periudhë shumë të rrezikshme në të ardhmen./Përshtati “Pamfleti” nga “European Council on Foreign Relations”

Lini një Përgjigje