
Një bombë e tillë do të kishte një fuqi sa rreth 1/10 e bombës që ra mbi Nagasaki, theksojnë autorët e dokumentit.
Ukraina mund të ndërtojë një bombë bërthamore taktike brenda disa muajve, nëse Donald Trump vendos të ndërpresë ndihmën ushtarake të SHBA-së. Kjo bëhet e ditur në një dokument informues të përgatitur për Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës.
Raporti në fjalë thekson se Ukraina është në gjendje të ndërtojë shpejt një pajisje shpërthyese me bazë plutoniumi, me një teknologji të ngjashme me bombën që u pagëzua më nofkën “Fat Man” (Trashaluqi) të hedhur në Nagasaki të Japonisë në vitin 1945.
“Ndërtimi i një bombe atomike të thjeshtë, siç bënë Shtetet e Bashkuara në kuadër të Projektit Manhatan, nuk do të ishte një detyrë e vështirë 80 vjet më vonë”, thuhet në dokument.
Duke mos pasur kohë për të ndërtuar dhe vënë në punë objektet e mëdha të nevojshme për pasurimin e uraniumit, Ukraina e kohës së luftës do të detyrohet të mbështetet në përdorimin e plutoniumit të nxjerrë nga shufrat e karburantit të konsumuara, të marra nga reaktorët e saj bërthamorë.
Kievi kontrollon ende 9 reaktorë që janë në punë, dhe ka një ekspertizë të rëndësishme në fushën bërthamore, pavarësisht se në vitin 1996 hoqi dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë. Raporti thekson më tej: “Pesha e plutoniumit në dispozicion të Ukrainës mund të vlerësohet në 7 tonë… Një arsenal i rëndësishëm armësh bërthamore, do të kërkonte shumë më pak material…Kjo sasi mjafton për të ndërtuar qindra bomba bërthamore taktike, secila me një fuqi disa kiloton”.
Një bombë e tillë do të kishte një fuqi sa rreth 1/10 e bombës që ra mbi Nagasaki, theksojnë autorët e dokumentit. “Ajo do të mjaftonte për të shkatërruar plotësisht një bazë ajrore ruse apo instalime të përqendruara ushtarake, industriale apo logjistike. Fuqia e saktë bërthamore do të ishte i paparashikueshme, pasi do të përdorte izotopë të ndryshëm të plutoniumit”, deklaron autori i raportit, Oleksii Yizhak, njëherazi kreu i departamentit në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike të Ukrainës, një qendër kërkimore qeveritare që vepron si një organ këshillues për zyrën presidenciale dhe për Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës.
Plutoniumi do të shpërbëhej duke përdorur “një model shpërthimi të ndërlikuar por konvencional, që duhet të ndodhë me një shpejtësi të lartë të valës së shpërthimit në të njëjtën kohë rreth gjithë sipërfaqes së sferës së plutoniumit”, thuhet më tej në raport.
Teknologjia është sfiduese, por brenda aftësive që zotëron Ukraina. Muajin e kaluar, presidenti Zelensky tha se i kishte thënë Donald Trumpit, se Ukrainës do t’i duhen armë bërthamore për të garantuar sigurinë e vendit të tij nëse do të pengohet të hyjë në NATO, siç ka kërkuar presidenti rus Putin.
Më vonë, Zelensky tha se nuk do të ketë asnjë garanci alternative të sigurisë, dhe që nga ajo kohë zyrtarët ukrainas e kanë mohuar se Kievi po shqyrton skenarin e riarmatimit me armë bërthamore. Raporti i botuar nga Qendra për Studimet e Ushtrisë, Konvertimit dhe Çarmatimit, një institut ushtarak ukrainas me shumë ndikim, është prezantuar tek zëvendësministri i Mbrojtjes, dhe do të paraqitet javën e ardhshme në një konferencë, ku ka të ngjarë të marrin pjesë ministrat e Ukrainës përgjegjës për industritë e mbrojtjes dhe ato strategjike.
Ai nuk miratohet zyrtarisht nga qeveria e Kievit, por përcakton bazën ligjore sipas së cilës Ukraina mund të tërhiqet nga traktati i mospërhapjes bërthamore (NPT), ratifikimi i të cilit ishte i kushtëzuar nga garancitë e sigurisë të dhëna nga SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia në vitin 1994 përmes Memorandumit të Budapestit.
Ajo marrëveshje parashikonte që Ukraina të dorëzonte arsenalin e saj bërthamor prej 1734 bombash bërthamore, në këmbim të premtimit për mbrojtje. “Shkelja e memorandumit nga Federata Ruse e armatosur me armë bërthamore, përbën një arsye të fortë për tërheqjen nga NPT, dhe ofron arsye morale për rishqyrtimin e zgjedhjes së bërë 30 vite më parë”, thuhet në raport.
Trupat ruse po vazhdojnë të përparojnë në rajonin Donbass të Ukrainës lindore, dhe Trump është zotuar që të reduktojë ndihmën ushtarake të SHBA-së, nëse Kievi nuk i nënshtrohet bisedimeve të paqes me Putinin. Bryan Lanza, një këshilltar i Trumpit, ka deklaruar se Ukraina do të detyrohet të lëshojë Krimenë.
Këtë javë Donald Trump Jr u tall me Zelensky, duke shkruar në X:”Je vetëm 38 ditë larg nga humbja e ndihmës amerikane! Forcat ukrainase, varen shumë nga armatimi i SHBA-së, ndaj çdo reduktim i dërgesave në armë, për të mos folur pastaj për një ndërprerje të plotë, do të kishte pasoja katastrofike në fushën e betejës."
Kjo i ka nxitur ukrainasit të kërkojnë një mënyrë për t’i marrë gjërat në duart e tyre. “Duhet ta kuptoni që ne po përballemi me një sfidë ekzistenciale. Nëse rusët e pushtojnë gjithë Ukrainën, do të vriten miliona ukrainas. Dhe miliona prej nesh preferojnë më mirë të vdesin, sesa të shkojnë nëpër gulagët rusë”, thotë Valentyn Badrak, drejtor i qendrës që e hartoi raportin.
Badrak është nga Irpin, qyteza ku pushtuesit rusë torturuan dhe vranë shumë civilë. Ai vetë u ndoq nga trupat ruse, që kishin urdhrin për ta vrarë. Ekspertët perëndimorë besojnë se Ukrainës do t’i duheshin të paktën 5 vjet për të prodhuar një armë bërthamore dhe një lëshues të përshtatshëm.
Por Badrak këmbëngul se Ukraina, është më pak se 1 vit larg nga ndërtimi i raketave të saj balistike. “Brenda 6 muajsh, Ukraina do të jetë në gjendje të tregojë se zotëron aftësinë për të ndërtuar raketa balistike me rreze të gjatë. Ne do të kemi më në fund raketa me rreze veprimi prej 1000 kilometrash”, thekson Badrak./Përshtati “Pamfleti” nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje