TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Korrik 2024, 09:35

Pse populistët dështojnë kur ngjiten në pushtet ?!

Shkruar nga Adrian Pabst
Pse populistët dështojnë kur ngjiten në pushtet ?!
Trump dhe Vance

Politika perëndimore është e bllokuar në një rreth vicioz të sundimit të teknokratëve dhe valëve të populizmit. Duket sikur jemi të destinuar të lëkundemi pafundësisht midis forcave të establishmentit dhe atyre rebele, duke e lënë politikën dhe jetën tonë të përditshme në një gjendje gjithnjë e më të degraduar.

Në fakt, as teknokratët dhe as populistët, nuk ofrojnë një ekonomi politike transformuese që mund të ndalë rënien, e lëre më pastaj të sjellë ripërtëritje kombëtare. Politika amerikane ka arritur pikën më të fundit të kthesës në këtë cikël:oferta e sapo shpallur e dyshes Trump-Vance, bart të gjithë retorikën e një ndryshimi radikal, por asnjë nga kapacitetet politike për ta sjellë vërtet ketë ndryshim.

Populizmi siguron në rastin më të mirë një korrigjim ndaj gabimeve të qeverisjes së shekullit XXI-të, përbuzjen për njerëzit e zakonshëm, demokracinë dhe patriotizmin, si dhe dështimin për të ngushtuar pabarazinë ekonomike dhe mënjanimin social. Sundimi teknokratik, ka lënë miliona njerëz më të varfër dhe më të vetmuar.

Por sa ngjiten në pushtet, populistët dështojnë të përmirësojnë kushtet e jetesës. Mandati i parë presidencial i Donald Trump, ishte i jashtëzakonshëm për inercinë e plotë të sistemit të dominuar nga lidhja e pushtetit nga Wall Street përmes Pentagonit dhe deri në Silicon Valley. Disa e përkufizojnë si “jo të shenjtë” aleancën midis teknologjisë dhe botës së financave.

Por mund ta quani edhe pluto-populizëm, pra një shkrirje midis mbështetjes tek fuqia plutokratike dhe thirrjeve populiste të “vullnetit të popullit”, që mishëroi fushata e Trump në vitin 2016. Duke premtuar se do të “thante kënetën”, ai u përball me Deep State (Shtetin e Thellë), vetëm kur ai e pengoi atë personalisht. Por kjo nuk e ndaloi administratën e tij të miratonte shkurtime të mëdha taksash për më të pasurit e Amerikës.

Dhe as nga moria gjykatave me gjyqtarë kundër klasës punëtore që zhbënë të drejtat e punëtorëve, edhe pse biznesi i madh nuk ua bëri më të vështirë organizimin e tyre në sindikata. Pavarësisht tarifave tregtare dhe teknologjike të Trump ndaj Kinës, prodhimi nuk u rrit, ndërsa pagat mezi u rritën.

Pra nuk pati një ndryshim radikal të situatës. Diçka e ngjashme u pa me konservatorët nën Boris Johnson dhe Liz Truss në Britaninë e Madhe. Në vitin 2019, kur ata fituan me një shumicë dërrmuese, u fol shumë për një koalicion të ri të votuesve të klasës punëtore të “Murit të Kuq” me votuesit e klasës së mesme që bëjnë pjesë tek “Muri Blu”.

Kryengritja ndaj elitës e Johnson, premtoi një riorganizim që do të prekte “majtas në ekonomi dhe djathtas në kulturë”. Por konservatorët qeverisën për vite me radhë si liberalë, jo si konservatorë apo radikalë. Qeveritë konservatore të pas vitit 2019, ishin liberale në raport me migracionin masiv dhe të lidhura me modelin Thatcher -Blair të fundamentalizmit të tregut të mbështetur nga shteti.

Mandati i shkurtër i Truss, pasuar nga masat restauruese të Sunak, ishin vetëm shembujt e fundit. Dogmatizmi i tyre paratha edhe rrëzimin e tyre nga pushteti. Kur ta shpjegojnë këtë, populistët do të ankohen për një reagim të elitës ndaj rebelimit të tyre. Dhe këtu ata kanë një farë të drejte.

Ka gjithmonë një rezistencë ndaj ndryshimit të një sistemi që u shërben interesave të tij. Por populistët në pushtet janë kryesisht luftëtarë të kulturës, denoncimet e të cilëve për “Wokeism”, nuk bëjnë asgjë për të përmirësuar materialisht jetën ose jetesën e votuesve të tyre.

Ç’është me e keqja, udhëheqësit dhe partitë populiste nuk po arrijnë që ta kuptojnë se rrënjët e luftërave kulturore, shtrihen kryesisht tek një model ekonomik i prishur që nuk po funksionon më për miliona njerëz. Problemi i “kapitalizmit të zgjuar”, është se ai është sa kapitalist aq edhe i politizuar.

Ai kombinon kryqëzatat ndaj korporatave për kauzat e të majtës, me mbrojtjen e monopoleve në mënyra që bashkojnë virtytin e përgjithshëm me interesin vetjak. Për këtë arsye, establishmenti ekonomik i SHBA-së - Walmart, Facebook, Amazon, si dhe administruesit e Ivy League dhe ata që janë përgjegjës për ligat kryesore sportive - i mbështetën protestat globale kundër racizmit dhe financuan lëvizjen “Black Lives Matter”.

Gjithsesi, administrata Trump dështoi të vendoste nën kontroll kapitalizmin monopolist,

që përqendron në pak duart pasurinë dhe pushtetin. Populistët nuk kanë goditur as ata që promovojnë axhendën për Barazi, Diversitet dhe Përfshirje, që në praktikë do të thotë pak

më shumë se sa të menduarit në grup, duke përjashtuar të gjithë ata që guxojnë të mos bien dakord.

Për shembull nën sundimin e qeverisë së Boris Johnson në Britani, kemi parë kulmin e një fushate të pamëshirshme të anulimit të kulturës tradicionale, viktimat e së cilës përfshinin intelektualë publikë si feministja kritike ndaj çështjeve gjinore, Kathleen Stock.

Pas një dekade ose më shumë kur populistët fituan zgjedhjet, është e habitshme që alternativa e tyre e vetme ndaj dogmës së dështuar të tregut të lirë, është në fakt një model i kapitalizmit shtetëror. Për shembull marrim rastin e Victor Orbán në Hungari, i cili e përdor pushtetin e tij shtetëror për të arritur marrëveshje me Gjermaninë që përfshijnë pagesën e subvencioneve dhe granteve të mëdha për industrinë gjermane të makinave, ndërsa importon fuqi punëtore të huaj më të lirë.

Dhe Orbán dhe të ngjashmit e tij kanë pasur shumë vështirësi për t’i dhënë një përgjigje jo-autoritare shkëputjes nga liberalizmi që aq shumë e dëshirojnë. Përveç humbjes së institucioneve themelore që ka zhvilluar liberalizmi, si një gjyqësor i pavarur dhe një media e lirë, ato vazhdojnë të mbështetin disa nga aspektet më të dëmshme të liberalizmit.

Prandaj nuk është e habitshme pse Orbán kërkon një afrim me Rusinë e Putinit dhe Kinën e Xi Jinping. Kjo ndodh jo vetëm për arsye gjeopolitike të lidhura me Ukrainën, por edhe për arsye gjeo-ekonomike. Kina dhe Rusia, janë në gjendje të paqtohen plotësisht në lidhje me zgjerimin e vlerës së “zgjedhjes” brenda kufijve të një jete private, e cila kontrollohet me gjithnjë e më shumë rreptësi.

Prandaj, qytetarët kinezë dhe rusë, gëzojnë liri gjithnjë e më të mëdha si konsumatorë, ndërsa shteti mbikëqyr kapitalizmit shtetëror, për të kontrolluar jo vetëm informacionin, por edhe të dhënat personale. Gama e zgjedhjeve të lejuara tregtare mund të zgjerohet pafundësisht, për sa kohë që këto zgjedhje janë indiferente në lidhje me sjelljen autoritare të shtetit.

Meqë teknokracia dhe populizmi e ushqejnë njëra-tjetrën, politika perëndimore do të mbetet në ngërç, derisa një parti qeverisëse të ndërtojë një ekonomi të re politike, ku të kombinojë zhvillimin e e përbashkët me një kohezion social më të madh. Kjo vlen për Britaninë si edhe për çdo vend tjetër. A mund të ngrihen laburistët në lartësinë e kësaj sfide historike? / Përshtatur nga  “Newstatesman”

populistët why populists fail in office trump vance

Lini një Përgjigje