
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ndjek një logjikë të ndryshme nga ajo e Palestinës. "Faktori Trump", të paktën deri më tani, nuk ka funksionuar në këtë konflikt, siç u pa në samitin e gushtit me Putinin në Alaska.
Pas Gazës, çfarë po ndodh me Ukrainën? Është një pyetje më shumë instiktive sesa logjike: nëse Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një marrëveshje, pse Putini dhe Zelensky nuk mund të bëjnë të njëjtën gjë?
Sipas llogaritjeve të tij, Donald Trump pretendon se sapo i ka dhënë fund luftës së tetë, atë në Lindjen e Mesme. Tani ai është gati të mbyllë të nëntën, midis Moskës dhe Kievit. I pari që shpreson se do të ketë sukses është udhëheqësi ukrainas, i cili do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë të premten, më 17 tetor. Zelensky dërgoi një delegacion përpara tij, i cili zbarkoi dje në Uashington me një listë kërkesash. Ukrainasit duan armë më të fuqishme, si "Tomahawk", raketa vdekjeprurëse të afta të godasin një objektiv 2,500 kilometra larg.
Debati mbi konfliktin në Evropë fillon përsëri me armët. Ditët e fundit, mediat amerikane, duke filluar nga New York Times, ka festuar "faktorin Trump": karakteri dhe paparashikueshmëria e presidentit ishin vendimtare për të bindur Netanyahun të pranojë "planin e paqes". Sigurisht, lidhjet historike, politike dhe ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit luajtën gjithashtu një rol. Por lista duhet të përfshijë edhe një ‘armë’ më të fortë: Pentagoni siguron afërsisht 60% të pajisjeve dhe municioneve ushtarake të përdorura nga izraelitët për të rrafshuar Gazën. Ky është një detaj që vetë Trump e përmendi në fjalimin e tij në parlamentin izraelit, Knesset.
Asgjë nga kjo nuk vlen për Putinin. "Faktori Trump", të paktën deri më tani, nuk ka funksionuar, siç u duk qartë në samitin e zhvilluar në muajin gusht mes dy udhëheqësve në Alaska. Por pse? Ndoshta lidhja personale mes "Vladimirit" dhe "Donaldit" nuk është aq e ngushtë. Ose, Putini është i bindur që miku i tij amerikan do t'i ofrojë kushte edhe më të favorshme për të arritur një marrëveshje me ukrainasit. Është e qartë që Amerika nuk ka të njëjtin kontroll ndaj Rusisë siç ka ndaj Izraelit. Megjithatë, mund të bëjë shumë më tepër.
Por Trump duhet ta pranojë planin e zhvilluar nga Zelensky: forcimin e rezistencës ushtarake në terren dhe në të njëjtën kohë, goditjen me forcë në depot e naftës, karburantit dhe rafineritë e naftës bruto në tokën ruse. Kjo është arsyeja pse janë "Tomahawkët".
Javët e fundit, Trump deklaroi se ukrainasit mund ta fitojnë luftën, me kusht që ata gjithashtu të "sulmojnë" objektivat ruse. Zelensky tani po përpiqet ta detyrojë Putinin të pranojë marrëveshjen. Llogaritja e presidentit ukrainas është shumë e rrezikshme. Putin kërcënon me hakmarrje të rëndë në Ukrainë dhe paralajmëron aleatët e SHBA-së dhe Evropës: nëse lëshoni raketa në tokën tonë, do të jetë luftë e plotë.
Qeveritë perëndimore po kërkojnë një rrugë tjetër për negociata. Në debatin publik, shpesh harrohet se të paktën gjashtë përpjekje diplomatike kanë dështuar deri më tani. Më spektakolare ishte ajo e Trump në mesin e gushtit.
Nga ana tjetër, më 1 korrik, Emmanuel Macron i bëri përsëri presion Putinit me një telefonatë dy-orëshe. Gjatë dy viteve të fundit, si Princi i Kurorës Saudite Bin Salman, në Xheda (gusht 2023), ashtu edhe qeveria zvicerane, në Bürgenstock (qershor 2024), janë përpjekur të organizojnë "konferenca paqeje". Së fundmi, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Vatikani, kanë bërë gjithashtu përpjekje të mëdha.
Ditën e djeshme, Trump i kërkoi përsëri udhëheqësit turk të bënte një hap përpara, edhe pse për momentin, Erdogan duket se është përqendruar në të ardhmen e Gazës.
Një iniciativë e re do të ishte e nevojshme, ndoshta edhe disa parashikime do të duhet të rishikohen. Ministrat e jashtëm besojnë se ekonomia ruse mund të shembet vetëm në dy mënyra: Duke mbytur prodhimin dhe eksportet e naftës, ose duke përmbytur tregun me naftë bruto, në mënyrë që çmimi për fuçi të bjerë nën 50 dollarë. Asnjëra nuk po ndodh. Trump ka vendosur tarifa dytësore ndaj Indisë, një nga blerësit më të mëdhenj të naftës bruto ruse, por jo ndaj Kinës, klientit numër një të Rusisë.
Dhe në vitin 2025, çmimi mesatar i naftës do të luhatet midis 65 dhe 68 dollarëve (dje ishte 58 dollarë, shumë mbi pragun e 50 dollarëve). Kjo do të thotë që kompanitë e mëdha të naftës, duke filluar nga vendet e Gjirit, por edhe vetë Shtetet e Bashkuara, nuk e kanë rritur prodhimin mjaftueshëm. Pra, nevojitet një përpjekje për "diplomaci krijuese"./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”.
Kapitullimi i Rusise per ne shqiptaret eshte shume i rendesishem, sepse sjell si pasoje kapitullimin e Serbise, armikut numer 1 te Kosoves.