TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Dhjetor 2025, 11:04

Pse Macron po i zgjat sërish dorën Putinit?

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
 
Pse Macron po i zgjat sërish dorën Putinit?
Putin dhe Macron /

Ndërsa paqja është ende larg dhe fati i Ukrainës në fije të perit, presidenti francez do të nisë negociatat e tij me Vladimir Putinit, edhe pse takimet dhe bisedat e shumta midis tyre vitet e fundit s’kanë prodhuar asgjë. Mediat evropiane theksojnë se takimi vjen pas bllokimit të përdorimit të aseteve ruse në ndihmë të ukrainasve dhe si një goditje ndaj linjës së re të fortë kundër Kremlinit të kancelarit gjerman gjerman Merc, që propagandistët rusë po e sulmojnë si pasardhësin e Hitlerit që synon të ndërtojë “Rajhun e Katërt”...

Gjatë bisedimeve të vështira mbi borxhin e përbashkët dhe asetet ruse që do t’i jepeshin Ukrainës, presidenti francez Emanuel Makron deklaroi në një konferencë për shtyp se nëse propozimi amerikan për paqe dështonte, Evropa do të duhej të fliste vetë me Kremlinin në vend të Shteteve të Bashkuara.

Kjo ofertë u mirëprit menjëherë nga Kremlini. Zëdhënësi i Vladimir Putinit, Dimitri Peshkov, deklaroi se Moska është “e gatshme për dialog”. Por pse kanë ndryshuar papritur negociatat për Ukrainën?

Sipas Financial Times, ishte vetë Makron ai që bllokoi planin e kancelarit gjerman Friedrich Merc për të përdorur asetet e ngrira ruse në Bashkimin Evropian për të financuar Kievin. Një “tradhti”, shkruan gazeta britanike, e cila mund të shkaktojë prishjen e boshtit historik midis Francës dhe Gjermanisë brenda BE-së.

Sigurisht ky ndryshim, nuk e bezdis aspak Kremlinin, qëllimi kryesor i të cilit është të përçajë kancelaritë evropiane. Pallati Elize ka shprehur tashmë gatishmërinë e tij për një takim midis Makron dhe Putin, duke shpresuar se do të ketë “vullnet të ndërsjellë politik”, dhe duke shtuar se çdo bisedim do të jetë një “përpjekje e vërtetë për të kuptuar njëri-tjetrin” dhe jo “një seri paralajmërimesh”.

Ndërkohë italiania “La Repubblica”, raporton se politologu Sergei Markov iu gëzua “tradhtisë” ndaj Fridrih Merc: “Franca po e kupton se gjithçka mund të përfundojë me krijimin e  Rajhut të Katërt në Evropë!”.

Ndërsa, në kanalin Mig41 Telegram, i cili është afër Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, dikush shkruante: “Ndoshta francezi Makron e ka kuptuar se ku po shkojnë gjërat midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe tani po përpiqet të jetë i pari që do të hipë në vagonin e fundit të trenit të miqësisë midis Evropës dhe Rusisë, i cili është gati të niset”.

Sigurisht, ka nga ata që janë kundër entuziazmit mbi këtë tur të ri negociatash. Sepse tek e fundit kjo nuk është hera e parë, që Macron ka kërkuar dialog me Moskën. Përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia, presidenti francez ishte ndër të fundit që bisedoi me Moskën, pa arritur asgjë.

Qëllimi i Parisit për të ndaluar përshkallëzimin ushtarak në kufijtë e Ukrainës, me takimin e famshëm të 7 shkurtit 2022, rreth tryezës së gjatë të bardhë, dështoi bujshëm. Megjithatë, Makron e telefonoi vazhdimisht Putinin në muajt e parë të konfliktit në Ukrainë.

Pastaj shkoi në ekstremin tjetër, duke u bërë një nga kundërshtarët e tij më të zëshëm. Në korrik të këtij viti, pas një ndërprerjeje prej 3 vjet e gjysmë, ai e kontaktoi sërish Putinin për të diskutuar mbi çështjen e programit bërthamor iranian.

Edhe kjo ofertë rezultoi e pafrytshme, pjesërisht sepse në Moskë ishte e qartë se presidenti francez ishte i izoluar në arenën ndërkombëtare. Pallati Elize ka theksuar se çdo takim i mundshëm duhet të zhvillohet ”në transparencë të plotë me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe partnerët evropianë” dhe me objektivin e vetëm ”të promovimit të një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme”.

Parisi nuk ka dhënë një afat kohor apo detaje mbi dialogun e mundshëm me presidentin rus. Megjithatë, ka deklaruar se kushtet e takimit do të finalizohen “në ditët në vijim”.

Ndërkohë, kërcënimet e Putinit në konferencën për shtyp para Krishtlindjeve në Moskë, kanë bërë shumë jehonë në Evropë:

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me Evropën... por në kushte të barabarta dhe me respekt të ndërsjellë. Do të punojmë së bashku dhe do të zhvillohemi. Nëse kjo gjë nuk ndodh, Evropa gradualisht do të zhduket!”.

Nga ana tjetër, i dërguari i Moskës, Kirill Dmitriev, ishte në Florida për të vazhduar bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Ai do të kthehet sot në Moskë, ku do t’i raportojë zhvillimet e fundit presidentit rus Vladimir Putin./Përshtati Pamfleti  

macron putin

Lini një Përgjigje