TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Nëntor 2025, 14:20

Pse e djathta ekstreme fiton në Evropë, por dështon të qeverisë?

Shkruar nga Gideon Rachman

Nëse historia që po del në pah në politikën evropiane është rotacioni midis qendrës dhe së djathtës ekstreme, kjo ka pasoja serioze për Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Në të tre këto vende, qeveritë qendrore po hasin vështirësi, ndërsa e djathta anti-sistem po u fryn në qafë.

Pse e djathta ekstreme fiton në Evropë, por dështon të
Meloni dhe Orban

Kur William Yeats shkroi poemën “Ardhja e Dytë” në vitin 1919, ai pa dashur i bëri një shërbim brezave të gazetarëve.

Përballë një krize politike, komentatorët mund të mbështeten gjithmonë te citimi i njohur: “Gjërat po shpërbëhen; qendra nuk mund të qëndrojë”, përpara se të vënë në dukje se “Më të mirët mungojnë në bindje, ndërsa më të këqinjtë janë plot me zjarr të pasionuar.”

Po i fshija pluhurin këtyre vargjeve sërish, teksa shikoja ngritjen e së djathtës radikale në Evropë. Por zgjedhjet e javës së kaluar në Holandë e ndërlikojnë këtë histori. Në Holandë, qendra jo vetëm që qëndroi por fitoi.

Është e vërtetë që partia e moderuar, progresiste D66 doli fituese me epërsi të ngushtë. Megjithatë, D66 pritet të marrë drejtimin në formimin e qeverisë së ardhshme holandeze – ndërsa partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, duket se do ta humbasë rolin e saj në qeverisje. Zgjedhjet në Holandë tregojnë se rrëfimet pesimiste për ngritjen e pandalshme të ekstremit të djathtë në Evropë janë jashtë realitetit. Historia e vërtetë duket pak më ndryshe.

Në pjesën më të madhe të Evropës, votuesit janë të zemëruar dhe të zhgënjyer  prandaj janë të gatshëm t’i largojnë shpejt qeveritë në pushtet. Nëse ato janë partitë tradicionale të qendrës, atëherë votat përfundojnë në duart e skajeve radikale. Por kur e djathta ekstreme arrin realisht në pushtet, votuesit shpesh zhgënjehen shpejt dhe kthehen te partitë qendrore në mundësinë e parë.

Partia e Lirisë, e drejtuar nga Gert Wilders, mori mundësinë të bëhej pjesë e qeverisë në vitin 2023, sepse shumë votues holandezë kishin humbur besimin te partitë tradicionale të qendrës.

Por siç pritej, partia e Wilders nuk kishte zgjidhje të lehta për problemet që shqetësojnë votuesit; veçanërisht për çështjet e azilkërkuesve dhe krizën e strehimit.

Kështu, holandezët janë kthyer tani te një fytyrë e re Rob Jetten, udhëheqësi i ri dhe telegenik i D66. Por të jemi realistë: është mjaft e mundur që deri në zgjedhjet e ardhshme, votuesit të jenë lodhur plotësisht nga Jetten dhe të kërkojnë sërish ndryshim. E djathta ekstreme mund të marrë edhe një herë shansin për të qeverisur në Holandë.

Austria e ka kaluar tashmë këtë cikël. Partia populiste e djathtë FPÖ ishte pjesë e një koalicioni qeveritar në vitet 2017–2019, përpara se të përfshihej në skandal. Popullariteti i FPÖ-së ra ndjeshëm. Por partia u ringjall nën drejtim të ri dhe fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament në zgjedhjet e vitit 2024  megjithatë nuk ka arritur të formojë një koalicion.

Nëse historia që po del në pah në politikën evropiane është rotacioni midis qendrës dhe së djathtës ekstreme, kjo ka pasoja serioze për Britaninë, Francën dhe Gjermaninë. Në të tre këto vende, qeveritë qendrore po hasin vështirësi, ndërsa e djathta anti-sistem po u fryn në qafë.

Mësimet nga Holanda si edhe nga Austria, Polonia, Italia, Hungaria dhe Sllovakia tregojnë se “e paimagjinueshmja” mund të ndodhë dhe partitë e ekstremit të djathtë mund të marrin pushtetin politik. Por kjo nuk do të thotë se mund ta mbajnë atë. Edhe Viktor Orbán, që ka qenë në pushtet në Hungari që nga viti 2010, po renditet prapa në sondazhe përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Në vendet e mëdha evropiane ku qendra ende qëndron, Franca është më afër buzës së greminës. Vendi ka ndërruar pesë kryeministra që nga fillimi i vitit 2024 dhe Rassemblement National i ekstremit të djathtë kryeson në sondazhet për zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen pas 18 muajsh. Është e mundur që e djathta ekstreme të arrijë më në fund në pallatin Élysée në vitin 2027.

Në Gjermani, shpesh thuhet se qeveria aktuale e koalicionit të udhëhequr nga Friedrich Merz është “shansi i fundit i qendrës”. Nëse është kështu, qendra ka arsye për shqetësim. Merz nuk ka mbushur ende një vit në detyrë, por dy të tretat e votuesve tashmë shprehin pakënaqësi me qeverinë e tij ndërsa partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) po kryeson në disa sondazhe.

Në Britani, dy partitë që kanë dominuar politikën gjatë shekullit të fundit, konservatorët dhe laburistët tani po zvarriten në sondazhe pas Reform, partisë populiste të djathtë.

Rreth 30 për qind e votave që Reform arrin rregullisht mund të mos jenë të mjaftueshme për të formuar qeveri në një sistem proporcional si ai gjerman. Por në sistemin britanik “fituesi merr gjithçka”, kjo mund të mjaftojë për një shumicë parlamentare. Zgjedhjet e përgjithshme janë ende më shumë se tre vjet larg, por Nigel Farage, udhëheqësi i Reform UK, është aktualisht favorit për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Britanisë.

Do të trajtohej si një “tërmet politik” nëse e djathta ekstreme do të hynte në qeveri në një vend të madh të Evropës Perëndimore. Por në fakt kjo tashmë ka ndodhur.

Giorgia Meloni, e cila ka rrënjë politike në lëvizjen neo-fashiste italiane pas Luftës së Dytë Botërore, u bë kryeministre tre vjet më parë. Qendra e majtë italiane mbetet thellësisht e kujdesshme ndaj Melonit. Si kryeministre, ajo ka mbajtur qëndrime konservatore të forta për emigracionin dhe çështjet shoqërore  por ka shmangur nacionalizmin e ashpër dhe gërryerjen e institucioneve demokratike, karakteristike për Orbánin apo Donald Trumpin.

Meloni, gjithashtu, deri tani i ka shpëtuar valës së fortë të pakënaqësisë ndaj qeverive në Britani dhe Francë. Ajo duket se do të bëhet vetëm kryeministrja e dytë italiane pas Luftës së Dytë Botërore që përfundon një mandat të plotë pesëvjeçar.

Duke bërë këtë, Meloni shfaq një mundësi shqetësuese për politikën evropiane: ndoshta e ardhmja nuk do të jetë një zgjedhje midis qendrës dhe ekstremit të djathtë por zhdukja graduale e dallimit midis këtyre dy kampeve.

e djathta ekstreme në europë

Lini një Përgjigje