TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2024, 15:16

Politikanët nuk duhet të injorojnë kërcënimet e sigurisë në hapësirë

Shkruar nga Anders Fogh Rasmussen
Politikanët nuk duhet të injorojnë kërcënimet e
Satelitë në hapësirë /

 Rusia dihet se ka armë lazer me bazë tokësore të dizajnuara për të verbuar sensorët satelitorë. Moska madje ka qenë e qartë duke deklaruar se i sheh satelitët komercialë perëndimorë si objektiva legjitime në çdo konflikt të ardhshëm.

Lajmi se SHBA kishte të dhëna mbi përpjekjet e Rusisë për të vendosur në orbitën e Tokës kapacitetet e saj bërthamore e ​​tronditi Uashingtonin muajin e kaluar. Dhe megjithëse drejtuesit në Kongres dhe administrata e presidentit Joe Biden, nxituan të reduktonin panikun që pasoi, duke e bërë të qartë se nuk kishte asnjë rrezik të afërt për SHBA-në apo aleatët e saj, vetë ky zbulim nxjerr në pah disa fakte të rëndësishme.

Kërcënimi ushtarak në hapësirë ​​është i vërtete dhe po rritet. Për më tepër, siç e tregon konflikti në Ukrainë, lufta moderne është gati tërësisht e varur nga aftësitë e vendosura në hapësirë, me forcat e të dyja palëve që mbështeten tek satelitët për komunikim, qartësimin e situatës dhe shenjestrimin e pozicioneve të armikut.

Por kjo rritje e mbështetjes ushtarake në hapësirë ​​sjell kërcënime dhe sfida të reja së bashku me të. Nuk është sekret që Rusia dhe Kina po investojnë shumë në kapacitetet e bazuara në hapësirë. Të dyja vendet kanë kryer prova të mirë-publikuara të raketave anti-satelitore dhe Rusia dihet se ka armë lazer me bazë tokësore të dizajnuara për të verbuar sensorët satelitorë. Moska madje ka qenë e qartë duke deklaruar se i sheh satelitët komercialë perëndimorë si objektiva legjitime në çdo konflikt të ardhshëm.

Megjithatë, zhvillimi i armëve bërthamore anti-satelitore në hapësirën e jashtme do të shënonte një përshkallëzim të rëndësishëm të situatës. Po ashtu, ai do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Traktatin e Hapësirës së Jashtme të vitit 1967, i cili ndalon “vendosjen në orbitë të çdo lloj objekti që mbart armë bërthamore apo çfarëdo lloj arme tjetër shkatërrimit në masë”.

Për më tepër, ndërsa hapësira po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për luftën, ka një rrezik të shtuar që vende të cilave u mungojnë aftësitë e sofistikuara të bazuara në hapësirë, si për shembull Irani, mund të përpiqen ta barazojnë fushën e lojës në një konflikt të ardhshëm, përmes lëshimi të raketave tokësore për të goditur objektivat në hapësirë.

Në një skenar të tillë, do të ishin veçanërisht të prekshëm satelitët në orbitat më afër tokës. Dhe jo vetëm kaq. Një vend armiqësor mund të përpiqet gjithashtu të shkatërrojë një pjesë të vogël të satelitëve në orbitat e ulëta të tokës për të krijuar një re të rrezikshme mbeturinash. Një veprim i tillë, do të rrëzonte më pas satelitë të tjerë, duke dëmtuar jo vetëm aftësitë ushtarake, por duke kërcënuar të gjitha shërbimet globale që mbështeten tek lidhjet satelitore. Prandaj, politikë-bërësit perëndimorë duhet të përshtatin urgjentisht masat e tyre për këto kërcënime të reja.

Së pari, ne duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë pasojat e përshkallëzimit të situatës në hapësirë. Nëse e lëmë hapësirën si një zonë gri, kjo vetëm sa do t’i inkurajojë kundërshtarët tanë të na testojnë, duke rrezikuar llogaritjet e gabuara. NATO ndërmori një hap të rëndësishëm në këtë drejtim në vitin 2021, kur udhëheqësit ranë dakord që klauzola e mbrojtjes kolektive e Nenit 5, mund të përdoret nga “sulmet në ose brenda hapësirës”.

Hapi tjetër duhet të jetë marrja e masave mbrojtëse, ashtu si në fusha të tjera, duke sinjalizuar vendosmërinë tonë për të ruajtur stabilitetin në hapësirë. Së dyti, hapësira duhet të trajtohet si një infrastrukturë jetike. Aktivitetet dhe aftësitë në hapësirë, ​​janë thelbësore për sigurinë tonë kombëtare, por edhe për ekonomitë dhe jetën tonë të përditshme.

Prandaj strategët tanë ushtarakë duhet të punojnë më ngushtë me entet rregullatore dhe agjencitë hapësinore. Hapësira është një ekosistem delikat, prandaj çdo përshkallëzim ushtarak do të kishte pasoja të rënda për të gjitha aktivitetet e tjera që mbështeten në lidhjet satelitore.

Së fundi, ne duhet të kuptojmë se kërcënimet ndaj aktivitetit njerëzor në hapësirë ​​nuk burojnë vetëm nga gjendjet dashakeqe, por edhe nga çdo veprim që e rrit në mënyrë të padrejtë rrezikun e mbeturinave hapësinore. NASA e njeh këtë fakt, duke i cilësuar mbeturinat orbitale si “kërcënimi nr.1 për anijet kozmike, satelitët dhe astronautët”.

Dhe ky rrezik u theksua sërish muajin e kaluar, kur një satelit kërkimor i SHBA-së për pak sa nuk u përplas me një satelit rus të Inteligjencës Elektronike dhe Sinjaleve në orbitën e ulët të tokës. Gjatë viteve të ardhshme, ndërsa numri i objekteve që dërgojmë në hapësirë ​​rritet me një ritëm eksponencial, do të rritet edhe rreziku i përplasjeve të tilla.

Në vitin 2018, në hapësirë kishte rreth 2000 satelitë aktivë. Ky numër është trefishuar, dhe deri në fund të dekadës, mund të ketë 100.000 ose më shumë satelitë aktivë. Kjo rritje është nxitur nga lëshimi i satelitëve komercialë nga kompani si SpaceX ose Amazon.

Dhe nxitimi për ta populluar hapësirën me kaq shumë satelitë në një periudhë kaq të shkurtër kohore, sjell rreziqe serioze të cilat nuk janë adresuar ende siç duhet. Deri më sot, na mungon një kuptim i qartë mbi numrin maksimal të satelitëve që duhet të qarkullojnë në orbitën e Tokës.

Kur bëhet një vlerësim i përgjithshëm i kërcënimit, politikë-bërësit duhet të kuptojnë pasojat dhe menaxhimin e asaj që po dërgohet në orbitë, dhe jo vetëm kërcënimin e mundshëm të armatimit të ri anti-satelitor. Ne nuk duhet të supozojmë se vendosja e më shumë satelitëve e bën domosdoshmërisht më elastik ndaj sulmeve.

Përkundrazi, duke menduar në këtë mënyrë siguria e tij mund të jetë edhe më e brishtë, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj një sërë përplasjesh të njëpasnjëshme që mund të nxiten nga një sulm. Thuhet shpeshherë se hapësira është kufiri i ri gjeopolitik.

Megjithatë, realiteti është se ajo është tashmë fusha kyçe për konkurrencën strategjike midis vendeve. Zemërimi i menjëhershëm në Uashington mbi aftësitë e reja të mundshme ruse mund të ketë kaluar, por jo fokusi ndaj kërcënimeve që ka krijuar ky zhvillim i ri.

Për një kohë të gjatë, hapësira ka ekzistuar në skajet e jashtme të ndërgjegjes sonë politike. Dhe duke pasur parasysh rolin qendror që luajnë aktivitetet në orbitat tona për ekonomitë, shoqëritë dhe sigurinë tonë, kjo qasje duhet të ndryshojë sa më parë./Përshtati Pamfleti nga  “Politico.eu”

Shënim: Anders Fogh Rasmussen, themeluesi dhe drejtues i “Rasmussen Global”, aktualisht këshilltar i jashtëm i presidentit të Ukrainës mbi çështjet e sigurisë. Ka qenë ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s (2009-2014) dhe ish-kryeministër i Danimarkës (2001-2009).

politika kërcënimet e sigurisë në hapësirë rusia nato rasmusen

Lini një Përgjigje