TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Mars 2024, 10:37

Perëndimi vazhdon të mbetet i pavëmendshëm ndaj luftës informative të Rusisë

Shkruar nga Ian Garner

 

Perëndimi vazhdon të mbetet i pavëmendshëm ndaj luftës
Lufta Informative /

 Disa javë më parë, një autokrat rus iu drejtua miliona qytetarëve perëndimorë në një aktivitet propagandistik që do të kishte qenë e paimagjinueshme një brez më parë, por që sot kjo gjë është kaq normale sa që mund të kalojë thuajse pa u vënë re.

Intervista e gazetarit kontrovers amerikan Tucker Carlson me presidentin rus Vladimir Putin, është parë deri tani më shumë se 120 milionë herë në YouTube dhe Platfomën X, e njohur deri pak kohë më parë si Twitter.

Pavarësisht leksionit të lodhshëm 2-orësh të Putinit mbi një histori imagjinare ruse dhe ukrainase, transmetimi dhe promovimi i intervistës nga platformat perëndimore, është sulmi më i fundit i suksesshëm në luftën informative që po zhvillon Rusia kundër Perëndimit, dhe për të cilën Moska po tregon çdo shenjë se është duke e fituar.

Dhe në këtë luftë, Kremlini nuk po përdor si armë vetëm mediat sociale, por po mbështetet tek vetë perëndimorët për të përhapur mesazhet e tij shumë të gjera. Gjatë një dekade luftë informative gjithëpërfshirëse të Rusisë, kompanitë e mediave sociale duket se kanë harruar premtimet e tyre për të vepruar, pas skandalit të ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet presidenciale të SHBA të vitit 2016.

Në atë kohë, postimet e sponsorizuara nga Rusia arritën tek 126 milionë amerikanë vetëm në Facebook. Politikë-bërësit duken jo vetëm të pavëmendshëm mbi përmasat e mëdha të luftës informative të Rusisë, por frika nga mbytja e lirisë së fjalës dhe nxitja e polarizimit politik, i ka bërë ata por edhe kompanitë e mediave sociale që të ngurojnë të marrin çdo lloj veprimi për të ndaluar fushatën e vazhdueshme të Rusisë.

Dhe kjo mungesë veprimi po ndodh në mesin e shenjave në rritje të operacioneve të ndikimit rus, të cilat kanë depërtuar shumë thellë në politikën dhe shoqërinë perëndimore. Dhjetëra, në mos qindra agjentë rusë janë vënë re kudo, nga qytetet angleze deri te universitetet kanadeze.

Shumë nga këta agjentë janë të nivelit të ulët, dhe individualisht duket se kanë pak sukses. Por herë pas here depërtojnë  në institucione, kompani dhe qeveri. Ndërkohë, një sasi a madhe parash mbështet ambiciet e Moskës, përfshirë qindra miliona dollarë që po harxhon Kremlini për të ndikuar mbi zgjedhjet.

Një pjesë të këtyre parave u dërgohen në mënyrë të fshehtë (por edhe haptazi) partive politike dhe politikanëve të veçantë. Për shumë dekada, shoqëritë perëndimore janë përmbytur me çdo lloj ndikimi që mund të imagjinohet.

Ndërsa që nga fillimi i luftës së fundit të Rusisë janë marrë disa masa - përfshirë mbylljen e qasjes në SHBA dhe Bashkimin Evropian të rrjeteve mediatike ruse si Russia Today dhe Sputnik në fillim të vitit 2022 - këta hapa të vegjël dhe joefektivë janë të barazvlefshëm  me  sinjalizimin e virtytit që ka lufta informative.

Ato nuk e adresojnë në thelb problemin e mungesën së një qasjeje koherente të qeverive perëndimore ndaj vektorëve të shumtë të dezinformimit rus dhe luftës hibride. Dhe pikërisht në momentin kur narrativat e Kremlinit në mediat sociale, kanë nisur të dëmtojnë seriozisht mbështetjen për Ukrainën, veprimet e qeverive perëndimore ndaj krizës së dezinformimit duken se po pakësohen çdo ditë që kalon.

Për Rusinë e Putinit, “lufta informative-psikologjike” - siç e quan një tekst ushtarak rus që mësohet në shkollë - synon “të dëmtojë moralin dhe frymën psikologjike” të një popullate armike. Si një aspekt qendror i një lufte më të gjerë kundër Perëndimit, ajo zhvillohet në internet përmes “breshërive” të pamëshirshme të lajmeve të rreme, reale dhe të keqinterpretuara, përmes një rrjeti të kultivuar figurash të njohura publike siç është rasti i Tucker Carlson.

Mesazhet e Kremlinit kanë një shtrirje të jashtëzakonshme. Kështu vetëm në vitin e parë të luftës në Ukrainë, postimet e lidhura me Kremlinin u panë të paktën 16 miliardë herë nga qytetarët në vendet perëndimore. Dhe secila prej atyre pikëpamjeve, është pjesë e një sulmi të gjerë kundër Perëndimit, i krijuar enkas jo vetëm për të dëmtuar mbështetjen për Ukrainën, por për të dobësuar në mënyrë aktive sistemet demokratike perëndimore.

Moska i nis sulmet e saj duke përdorur një manual të njohur nga cilido që ndoqi fushatat e dezinformimit të lidhura me pushtimin e Krimesë në vitin 2014 dhe tek zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Fushata reklamash specifike, media të rreme dhe llogari politikanësh dhe ekspertësh të vërtetë perëndimorë që përhapin histori të sajuara në Moskë apo Shën Petersburg, ku udhëheqësi i atëhershëm i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, drejtonte një ushtri trollësh që postonin vazhdimisht në rrjetet sociale perëndimore.

Nëse teknologjitë specifike janë të reja, nuk është e tillë strategjia ruse e luftës informative. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, propagandisti sovjetik Ilya Ehrenburg e përshkroi në mënyrë të paharrueshme stilolapsin si “një armë të bërë jo për antologji, por për luftë”.

Nga epoka e hershme bolshevike dhe deri në fund të Luftës së Ftohtë, bashkëmoshatarët e tij shpenzuan dekada të tëra duke përhapur dezinformata jashtë vendit me shpresën se vendet e shenjestruara nga Rusia nuk do të ishin në gjendje të “mbronin … veten, familjen, komunitetin dhe vendin e tyre”, siç thoshte gazetari sovjetik i kthyer në dezertor Yuri Bezmenov.

Elementi i ri është padyshim entuziazmi i një publiku të polarizuar perëndimor për ta ri-përqendruar identitetin e tij rreth narrativave të Moskës, duke u shndërruar padashur në një armë të Rusisë në luftën e saj informative. Për shembull, marrim lëvizjen QAnon, mbështetësit e së cilës kanë fituar përkrahje nga tezat e diskutueshme të ofruara dhe të përforcuara nga Moska përmes mediave sociale.

Mbështetësit e QAnon përkrahin një sërë ankesash të njohura nga propaganda ruse: ndjenjat anti-LGBTQ+, anti-liberale dhe sidomos anti-ukrainase.  Mbështetja ndaj QAnon është përhapur nga Shtetet e Bashkuara në vendet anembanë Perëndimit, dhe çdo grup ndjekësish, pavarësisht vendndodhjes dhe platformës, duket se përkrah të njëjtat ndjenja pro-Putin dhe të njëjtin skepticizëm për ofrimin e mbështetjes për Ukrainën.

Por Moska shfrytëzon për avantazhin e saj edhe rrjetet jo-perëndimore, si Telegram dhe TikTok. Sot, 14 për qind e amerikanëve të rritur lexojnë rregullisht lajme nga TikTok, një platformë kineze, ku mijëra llogari të rreme përhapin propagandës rusë dhe ku propagandistët rusë mund të numërojnë qindra mijëra ndjekës.

TikTok ka demaskuar herë pas here rrjetet ruse, por përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e përmbajtjeve të lidhura me Kremlinin kanë qenë të pakta dhe të paefektshme. Por edhe aty ku në dukje kanë më shumë kontroll, politikë-bërësit amerikanë nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë shumë për të frenuar valën e propagandës pro-ruse.

Që kur Elon Musk bleu Twitter dhe e riemëroi X, rrjeti ka mirëpritur hapur fushatat e ndikimit rus në serverat e tij. Madje platforma mirëpret edhe neofashistët e linjës së Kremlinit si Alexander Dugin, që e përdor atë për të përhapur vizionin e tij apokaliptik të luftës në Ukrainë tek 180.000 ndjekësit e tij, duke përfshirë hapësirat e diskutimit në anglisht.

Ndërsa kemi hyrë në vitin e tretë të përpjekjes së Rusisë për të pushtuar Ukrainën, është bërë e qartë se lufta informative e Kremlinit është plotësisht e integruar tek ajo ushtarake.

Për Putinin lufta mbi opinionin perëndimor është po aq ekzistenciale sa edhe lufta në terren në Ukrainë. Por pavarësisht nga shembujt e shumtë të narrativave ruse që shfaqen në debatet perëndimore, nuk ka thuajse asnjë diskutim serioz brenda qeverive apo mes publikut se si t'i jepet fund luftës informative të Rusisë ndaj Perëndimit.

Shumë në Perëndim shqetësohen se ndërhyrja në internet do t’i çojë ata në zonën e rrezikshme të shtypjes së fjalës së lirë. Ndoshta ata nuk mund ta shohin lidhjen konceptuale midis luftës informative dhe luftës ushtarake, dhe refuzojnë të pranojnë se Perëndimi tashmë është në luftë me Rusinë, edhe nëse ajo nuk është ende ushtarake.

Vetë Ukraina, që po e lufton në mënyrë aktive ndikimin rus si pjesë e luftës së saj kundër Moskës që nga viti 2014, ka zhvilluar tashmë qasje nga të cilat Perëndimi mund të mësojë.

Së pari, Ukraina është e ndërgjegjshme se “informacioni është një armë që Rusia po e përdor kundër Perëndimit”. Ndaj Perëndimi, duhet të demaskojë dhe t`i kundërvihet fushatave ruse të dezinformimit dhe aktiviteteve të tjera të ndikimit në gjuhën e luftës.

Së dyti, politikë-bërësit perëndimorë duhet të veprojnë së bashku - duke formuar një koalicion analog me “Grupin Ramstein” që koordinon ndihmën ushtarake për Ukrainën - për të miratuar ligje dhe për të marrë masa të tjera për t`u siguruar që Rusia të mos jetë në gjendje t’u japë informacionin e saj drejtpërdrejt qytetarëve perëndimorë përmes mediave sociale.

Së fundi, qeveritë perëndimore duhet të lëvizin përtej kontrollit joefektiv të fakteve, duke nisur zbatimin e një programi të gjerë të edukimit qytetar përmes shkollave, universiteteve dhe reklamave publike. Një program i tillë duhet të theksojë kërcënimin që paraqet ndikimi i Rusisë, ta etiketojë qartë atë si një luftë në vazhdim, dhe t’i japë publikut mjete për të kuptuar dhe për t`iu kundërvënë sulmeve ruse në format e tyre të ndryshme./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Policy”

Marrë me shkurtime

Shënim: Ian Garner, historian dhe përkthyes i propagandës ruse të luftës.

ian garner perëndimi i pavëmendshëm lufta informative rusia

Lini një Përgjigje