
Pse u përfshi Jared Kushner në marrëveshjen e paqes për Ukrainën?
Gjatë mandatit të parë të Donald Trump, Jared Kushner ishte një prani e përhershme në Shtëpinë e Bardhë dhe arkitekti kryesor i Marrëveshjeve të Abrahamit, suksesi më i rëndësishëm ndërkombëtar i atij presidenti. Por pas sulmit ndaj Kongresit më 6 janar 2021, i nxitur nga një fjalim i Trump-it, Kushner dhe bashkëshortja Ivanka u larguan nga skena politike, duke marrë distancë nga babai i saj.
Arabia Saudite dhe Katari, miliarda në fondin e Kushnerit
Edhe pas rizgjedhjes së Trump, Kushner deklaroi se nuk do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë kishte ngritur fondin “Affinity Partners”, ku vendet me të cilat kishte negociuar gjatë mandatit, veçanërisht Arabia Saudite dhe Katari, investuan miliarda dollarë. Zyrtarisht, Kushner pretendonte se do të qëndronte jashtë politikës. Por në gusht ai u rikthye papritur në skenë, krahas Tony Blair, pikërisht kur nisi diskutimi për rindërtimin e Lindjes së Mesme pas përfundimit të konfliktit izraelito-palestinez.
Nga Gaza te Ukraina, gjithmonë në tandem me biznesin
Bashkë me sipërmarrësin Steve Witkoff, Kushner u përfshi në negociatat për armëpushimin në Gaza. Më pas të dy u zhvendosën në drejtim të luftës Rusi–Ukrainë. Kushner ishte ai që i prezantoi presidentit Volodymyr Zelensky një plan të negociuar me emisaret rusë, një dokument që u paraqit fillimisht si “draft i hapur”, por që më pas u kthye befas në propozim detyrues, me logjikën “merre ose lëre”.
Trump: Kisha nevojë për inteligjencën e tij
Pse pikërisht Jared Kushner, i suksesshëm në biznes por pa përvojë diplomatike? Trump e sqaroi shkurt: “Kur kisha nevojë për inteligjencën e tij, e thirra. E dija se mund të mbështetesha tek ai.”
Në realitet, presidenti kërkonte dikë që kishte dëshmuar se dinte të përziente politikën me interesat financiare në Gjirin Persik dhe që nuk do e kundërshtonte kur Trump ndryshonte mendim nga një ditë në tjetrën.
Prestigj dhe konflikt gjigant interesi
Në Lindjen e Mesme, Kushner u prit si njeriu që në 2020 arriti të afronte Izraelin me pjesën më të madhe të botës arabe duke përdorur një metodë që diplomatët profesionistë e përqeshnin: fokusin te biznesi, jo te politika. Ai mbërriti me peshën e marrëveshjeve ekonomike miliardere të nënshkruara në Gjirin Persik, pikërisht ato që, sipas shumë analistëve, krijuan një konflikt interesi të paprecedentë për një negociator ndërkombëtar.
Shumë i kërkuan të tërhiqej. Por sipas ekspertëve si Matt Duss, kreu i Center for International Politics, rrjeti i interesave që lidhen me botën e Trump është sot aq i ngulitur në Lindjen e Mesme saqë, në mënyrë “paradoksale dhe bizare”, konflikti i interesit shndërrohet madje në faktor që shtyn drejt armëpushimit sepse të gjithë aktorët kryesorë kanë interes të fitojnë para dhe të ndalin luftën.
“Mos flisni për histori”, metoda Kushner
Kushner mbrohet duke theksuar se metoda e tij funksionon: lënia mënjanë e historisë dhe fokusimi tek “e ardhmja e ndritshme e bizneseve”. Mënyrë e cila, sipas tij, ka rezultuar efektive me Emiratet dhe vendet e tjera të Gjirit. Ai tentoi ta eksportonte të njëjtin model në Ukrainë. Por aty u përball me Vladimir Putinin i cili, ndonëse i ndjeshëm ndaj parave, i kushton shumë më tepër rëndësi historisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje