
Kur Ronald Reagan garoi për president të Shteteve të Bashkuara në vitin 1980, ai vendosi moton “paqe nëpërmjet forcës” në qendër të vizionit të tij mbi politikën e jashtme. Në tetor të atij viti, një muaj para zgjedhjeve, guvernatori i atëhershëm i Kalifornisë shfrytëzoi një fjalim televiziv për të paraqitur “Strategjinë për Paqen në vitet 1980”.
“Paqja bëhet nga forca ekonomike, ushtarake dhe strategjike. Ajo humbet kur një forcë e tillë zhduket, ose shihet si rrezik ekzistencial nga një kundërshtar”- deklaroi Reagan. Kjo nuk ishte një ide e re. Barry Goldwater kishte folur për “Partinë Republikane, si një parti e paqes përmes forcës” gjatë kandidimit të tij në vitin 1964 (ku humbi).
Para tij, ky koncepti ishte popullarizuar si titulli i një libri të vitit 1953 mbi Bernard Baruch - financierin dhe shtetarin e madh amerikan që ndihmoi në mobilizimin ekonomik të SHBA-së dhe prodhimin industrial në të dyja luftërat botërore. Dhe përtej kësaj, motoja “paqes përmes forcës”, shtrihet nga tek Etërit Themelues të SHBA-së dhe deri tek romakët.
Reagan ishte i vetëdijshëm se sa e çuditshme ishte bërë kjo formulë. Në atë fjalim televiziv, ai e pranoi qartë se “e kemi dëgjuar kaq shpesh këtë frazë, saqë kuptimi i saj është bërë i paqartë”. Por në dallim nga shumë prej paraardhësve të tij, ai ndërtoi një strategji komplekse dhe efektive rreth saj, duke i dhënë një frymë të re.
Kur u zgjodh president, Reagan i dha substancë motos “paqes përmes forcës”, duke rritur ndjeshëm buxhetin për ushtrinë, dhe duke nisur paralelisht negociatat me sovjetikët për kontrollin e armëve bërthamore. Kjo strategji solli edhe fitoren e Luftës së Ftohtë.
Së fundmi po e dëgjojmë sërish këtë moto. Donald Trump e përdori atë që në fushatën elektorale të 2016-ës. Në fjalimin e tij në Filadelfia në shtator ai tha:”Unë jam këtu për të thënë 3 fjalë vendimtare që duhet të jenë në qendër të politikës sonë të jashtme:Paqe Përmes Forcës”.
Doktrina Trump që e karakterizoi presidencën e tij, u vuri theksin tek forca, por me disa nuanca realpolitike . Paqja u la të përcaktohet nga shmangia e luftërave të reja. Kjo arritje ishte domethënëse, por nuk mundi të zgjidhte çdo konflikt që ekzistonte. Nëse Trump do të marrë sërish drejtimin e Shtëpisë e Bardhë, “tre fjalët vendimtare” do të sigurojnë edhe një herë kornizën thelbësore të politikës së sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Për këtë nuk ka dyshime, gjykuar edhe nga artikulli i botuar këtë qershor në revistën “Foreign Affairs” nga këshilltari i fundit (dhe me shumë gjasa në mandatin e dytë) i Trump për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien, me titullin “Rikthimi tek paqja përmes forcës”. Por sot ky slogan ka të bëjë shumë me sigurimin e forcës, dhe shumë pak me arritjen e paqes.
Sot ka një dakordësi të gjerë, sipas së cilës një ushtri e fortë duhet të jetë themeli i një politike të jashtme efektive. Por ka shumë më pak konsensus se çfarë të bëhet me të. Me krizat, kërcënimet dhe rreziqet në shumë fronte, nga Ukraina në Izrael, Detin e Kuq apo Tajvan, prioritet është ose të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës, ose të sigurohemi që të mbetemi “konkurrues” ndaj aksit revizionist të Kinës, Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, dhe të pengojmë arritjen e objektivit të tyre për të reformuar rendin botërore sipas imazhit të tyre.
Por ne rrallë e pranojmë, se për momentin strategjia perëndimore, nuk ka asnjë synim të qartë fundor. Ajo ndaj vendeve diktatoriale është një luftë e pafundme. Ndaj si presim ta “mposhtim” Kinën ose Rusinë në të ardhmen? A do të mbetemi të mbërthyer përgjithmonë në një botë me luftëra në zonën gri, sulmet kibernetike, luftëra tregtare, luftëra përmes palëve të treta, luftërave informative, terrorizmit të sponsorizuar etj, duke qenë vazhdimisht në prag të një lufte të re globale?
Për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë, Amerika ndoqi strategjinë e frenimit, skicat e së cilës u artikuluan nga George Kennan në vitin 1946 në Telegramin e tij të Gjatë nga Moska për Uashingtonin, dhe më pas në artikullin e tij historik në Foreign Affairs të vitit 1947 me pseudonimin “X”.
Ai parashikoi se komunizmi sovjetik do të shembej vetë në një ditë, nëse bota e lirë qëndronte e patundur, dhe kishte të drejtë. Por me Reagan, politika e SHBA-së mori një kthesë vërtet të re, kur ai tha se fuqia e BRSS mund të thyhej njëherë e mirë dhe e përshpejtoi fundin e saj duke shtuar diplomacinë tek kërcënimi i forcës.
Sot ne nuk jemi pranë një konsensusi për ekuivalentin e sotëm të frenimit, apo çdo lloj qasjeje të përgjithshme strategjike ndaj problemeve gjeopolitike të kësaj epoke. Vendet perëndimore u befasuan nga kthesa relativisht e shpejtë e ngjarjeve botërore nga viti 2014 e tutje.
Dhjetë vjet më vonë, politika perëndimore është ende viktimë e reagimeve të improvizuara - nga “prania e zgjeruar përpara” e NATO-s në Evropën Lindore, tek “përqendrimi i Amerikës drejt Azisë”, i filluar nën administratën Obama për të balancuar “ngritjen e Kinës”.
Problem nuk është vetëm miopia strategjike dhe sindroma e “zjarrfikjes” (që i pengon vendimmarrësit të shohin tablonë e madhe). Sikur Reagan të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim, duke u fokusuar vetëm tek forcimi i ushtrisë, duke lënë jashtë politikës së tij “paqe përmes forcës” kontrollin e armëve dhe negociatat me Gorbaçovin, sovjetikët mund të mos kishin pësuar kolaps edhe për shumë vite.
Ose ndoshta do të ndiqnin modelin kinez. Ndaj detyra e shtetarëve botërorë për pjesën tjetër të kësaj dekade, është të krijojnë më shumë hapësirë për diplomacinë. Ne kemi parë se forca është e nevojshme, por jo e mjaftueshme për të ruajtur paqen, e lëre më pastaj për ta rivendosur atë kur ajo humbet.
Rusia vuri një bast të rrezikshëm me luftën në Ukrainë, pavarësisht nga fuqia dërrmuese e Perëndimit që mund të mobilizohej pas Kievit. Të njëjtën gjë bëri Hamasi kundër Izraelit më 7 tetor 2023; apo edhe Huthit me sfidën e tyre donkishoteske kundër fuqisë së fuqisë detare perëndimore.
Shfletoni librat e historisë, dhe do të gjeni shumë raste të ngjashme, kur më i dobëti përballet me më të fortën, dhe ku “parandalimi” duhet të kishte funksionuar, por nuk funksionoi. Ajo që e kuptojnë tani shumë më mirë se ne të gjithë armiqtë tanë, është fakti që rregullat dhe për edhe rrjedhojë shanset e agresionit kanë ndryshuar shumë në këtë shekull.
Vendet perëndimore, e kanë humbur avantazhin e tyre teknologjik në çështjet ushtarake, ushtritë e tyre janë zvogëluar dhe revolucioni i informacionit i ka bërë ato të pambrojtura. Pra ne e kemi kaluar shumë pikën e historisë, ku mund të mbështeteshim tek fuqia ushtarake për të ofruar zgjidhje të qarta për problemet e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Sot nuk ka më shpata, që mund të presin “nyjen gordiane” të sfidave strategjike. Problemi është më shumë i ngjashëm me shkëputjen nga një rrjetë ngjitëse, duke e mbajtur larg merimangën. Kundërshtarët tanë duhet të mposhten me kalimin e kohës në nivel strategjik, dhe jo thjesht të mposhten me armë në një betejë të caktuar. Për këtë, forca është sigurisht e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Ne kemi nevojë edhe për diplomacinë./Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”
Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjinë në Londër dhe bashkëpunëtor në Institutin Yorktown në Uashington.
Lini një Përgjigje