
Për herë të parë në më shumë se një dekadë, SHBA-ja po zhvillon negociata me Iranin me aleatët e saj arabë. Kjo shënon një ndryshim strategjik nga marrëveshja bërthamore e epokës së Barack Obamës, e cila u pa gjerësisht në rajon si një fakt i kryer nga Uashingtoni, dhe u ndesh me skepticizëm të madh në kryeqytetet arabe.
Këtë herë, bisedimet u zhvilluan në Oman, një ndërmjetës i besuar rajonal. Por më e rëndësishme se sa gjeografia është koordinimi. Administrata Trump, po e mban të informuar në çdo hap Arabinë Saudite, që ka qenë një kundërpeshë prej një kohë të gjatë ndaj ndikimit iranian në Lindjen e Mesme.
Kjo qasje pasqyron një vetëdije në rritje në Uashington, se marrëveshja e fundit dështoi pjesërisht sepse i përjashtoi njerëzit që kishin më shumë gjasa të jetonin me pasojat e saj.
Ndryshimi nisi në mandatin e parë të presidentit Trump.
Megjithëse politika e tij e jashtme shpesh, është përqeshur si kaotike në Uashington, ajo u interpretua shumë ndryshe në Riad, Abu Dhabi dhe Manama. Udhëheqësit arabë e kuptuan qasjen e Trump: transaksionale, troç dhe të qartë. Ti jep diçka dhe merr diçka. Nuk ka fjalime mbi demokracinë dhe as mesazhe të përziera.
Vendimi i Donald Trump për t’u tërhequr nga Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit ( JCPOA) në vitin 2018, sinjalizoi një ndarje të fortë me administratat e mëparshme. Ai ishte i gatshëm të përballej drejtpërdrejt me Teheranin, dhe të arrinte marrëveshje me lojtarët rajonalë, bazuar në interesa të përbashkëta dhe jo në ideale të larta morale.
Por ai precedent ngeci. Ekipi i tij i ri e ka ruajtur qartësinë strategjike të presidentit, sidomos kur bëhet fjalë për paktet rajonale. Tani raportet sugjerojnë se Uashingtoni është shumë afër finalizimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi bërthamor me Arabinë Saudite.
Nëse nënshkruhet, ai do ta lejojë mbretërinë saudite të ketë një program bërthamor civil nën mbikëqyrjen e fortë të SHBA-së. Ky veprim shkon përtej simbolikës. Ai do të lidhë Shtetet e Bashkuara drejtpërdrejt me infrastrukturën energjitike dhe të sigurisë së Arabisë Saudite, duke ofruar një model të ri për ndërtimin e aleancave në Lindjen e Mesme.
Për më tepër, Shtetet e Bashkuara po përgatiten t'i sigurojë Riadit armë të avancuara amerikane, duke krijuar jo vetëm një partneritet ushtarak, por një pengesë të besueshme kundër Iranit. Fuqia e Teheranit është varur prej kohësh nga perceptimi se fqinjët e tij janë të ndarë, të dobët ose të dyja bashkë.
Por nëse shtetet arabe si Arabia Saudite, fillojnë të koordinohen më ngushtë me SHBA-në, ky ekuacion ndryshon në mënyrë dramatike. E gjitha kjo tregon, se do të shohim një riorganizim
më të madh rajonal. Ka spekulime se Arabia Saudite, mund t’i bashkohet një versioni të Marrëveshjes së Abrahamit për normalizimin e raporteve me Izraelin.
Riadi deri më tani ka ecur me kujdes në këtë rrugë, edhe pse në prapaskenë. Bashkëpunimi në mbrojtje, shkëmbimin e inteligjencës dhe integrimi ekonomik, janë duke u zhvilluar tashmë dhe me hapa të shpejtë. Rezultati?
Një koalicion më i ngushtë, i ndërtuar jo mbi ideologjinë, por mbi kërcënimet dhe interesat e përbashkëta. Kjo nuk është një paqe në kuptimin tradicional, pra të bazuar tek traktatet, por një paqe përmes balancimit të pushtetit. Por jo të gjithë në rajon po ecin në të njëjtin ritëm.
Brenda komunitetit të inteligjencës izraelite, ka një ndarje në lidhje me presionin që duhet ushtruar ndaj Teheranit. Disa analistë argumentojnë se regjimi është tashmë shumë i brishtë, dhe se provokimet e mëtejshme mund të nxisin rënien e tij.
Ata paralajmërojnë se një Iran pas regjimit teokratik, mund të zhyet në kaos: një komb me mbi 80 milionë banorë, i fragmentuar nga etnia dhe ideologjia, dhe pa një rrugë të qartë përpara.
Nuk përjashtohet mundësia e luftës civile. Për Izraelin, ky është skenari më i keq. Për SHBA-në, është një ftesë e mundshme për një tjetër konflikt të hapur, për të cilën Uashingtoni nuk ka oreks pas luftërave të gjata në Irak dhe Afganistan.
Ajo që e bën këtë moment të ndryshëm, nuk është vetëm një qëndrim më i ashpër ndaj Iranit.
Por një qasje më gjithëpërfshirëse. SHBA-ja nuk po përpiqet ta ndryshojë Iranin përmes idealizmit apo forcës. Ajo po ndërton një morsë strategjike rreth saj, e përforcuar nga diplomacia, partneritetet rajonale dhe parandalimi i besueshëm.
Mësimi nga dekada e fundit është i qartë: kur bëni marrëveshje mbi kokat e lojtarëve rajonalë, rezultati është mosbesimi, paqëndrueshmëria dhe marrëveshjet e prishura. Këtë herë, shtetet arabe nuk janë vetëm në sallë, por ato po e diktojnë axhendën.
Dhe kjo mund të jetë e vetmja mënyrë për të ndërtuar një Lindje të Mesme, e cila për të qëndruar në këmbë, nuk kërkon ndërhyrjen e vazhdueshme të SHBA-së./Pamfleti nga ”The Hill”
Lini një Përgjigje