TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Prill 2025, 09:44

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij prej ari brenda Shtëpisë së Bardhë

Shkruar nga Carolina Miranda

Nëse Trump dëshiron të jetë mbreti i ri i diellit, historia e ka një këshillë për të: Kujdes, sepse fundi i monarkëve autoritarë nuk ka qenë kurrë i mirë.

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij
Presidenti Donald Trump /The Washington Post

Dekori i artë e luksoz që Trump ka vendosur në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë është simboli i një pushteti absolut dhe aspak amerikan. A po sillet Presidenti amerikan si Luigji XIV, “Mbreti i Diellit”?

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij

Kur Presidenti amerikan Donald Trump i dha gazetares së Fox News, Laura Ingraham, një tur të Zyrës Ovale muajin e kaluar, vëmendja nuk ishte tek Deklarata e Pavarësisë apo tek portretet e George Washington-it dhe Ronald Reagan-it që qëndronin në mure. Në sy ranë detajet e shumta prej ari që zbukurojnë çdo cep të zyrës, duke përfshirë vazo, engjëj dekorativë, relievet barokë dhe rokoko, dhe një mori elementësh të praruara që duken sikur janë sjellë direkt nga pallati i Versajës.

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij
Një kartë letre e artë e mbishkruar me emrin e Trump në Zyrën Ovale

Në atë bisedë, Trump tha vetëm me krenari: “Kishte nevojë për pak më shumë jetë.”

Çdo president amerikan historikisht e ka përshtatur zyrën sipas shijes personale. Roosevelt vendosi qilime me lëkurë kafshësh, Kennedy peizazhe detare, Obama objekte keramike indigjene, por Trump shkoi përtej të gjithëve. Ai e ka shndërruar Zyrën Ovale në një sallon luksoz të stilit rokoko të shekujve XVII dhe XVIII, të denjë për Luigjin XIV, mbretin e Francës, njohur si “Mbreti i Diellit”.

Në thelb, ky stil ekstravagant reflekton një mentalitet autoritar dhe perandorak. Trump është sjellë shpesh si një monark absolut që qeveris me urdhra ekzekutivë, dhe që madje është kapur duke qeshur së bashku me autokratë si Nayib Bukele, teksa administrata e tij sfidon vendimet unanime të Gjykatës së Lartë amerikane.

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij
Kupa e Botës për Klube FIFA u shfaq në Zyrën Ovale.

Ky transformim i Zyrës Ovale mund të duket thjesht një tekë personale, por ajo tregon shumë për mënyrën sesi Trump e sheh veten. Kur themeluesit e SHBA-së zgjodhën dizajnin për Shtëpinë e Bardhë, synonin një godinë modeste dhe elegante, duke shmangur çdo lloj reference ndaj pallateve monarkike europiane. Vetë George Washington kërkoi që çdo dekorim të ishte modest e pa ekzagjerime, pasi sapo kishin fituar pavarësinë nga një monarki përmes një revolucioni të përgjakshëm.

Por Trump po sillet sikur është një monark europian që kërkon të vendosë rregulla të reja loje në Amerikë. Tashmë Zyra Ovale duket si një miniaturë e Sallës së Pasqyrave në Pallatin e Versajës, e mbushur me objekte të arta dhe pasqyra baroke. Kjo atmosferë mbretërore shkon dorë për dore me mënyrën autoritare se si administrata Trump po i trajton çështjet më delikate të politikës amerikane.

Ironikisht, shumë prej objekteve të arta që dekorojnë zyrën presidenciale janë zbuluar se janë prodhuar në Kinë, për vetëm 1 deri në 5 dollarë secila, sipas një investigimi mediatik.

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij
Dekorime prej ari në një oxhak në Zyrën Ovale

Në fakt, Trump pëlqen ta quajë presidencën e tij një "Epokë të Artë", duke promovuar vazhdimisht produkte luksoze që shiten në dyqanet e tij, si çokollata me mbështjellës ari, karta bixhozi të arta dhe sende të tjera ekstravagante. Por epoka e artë që Trump po krijon në Zyrën Ovale i referohet pikërisht shekullit të Luigjit XIV, mbretit që ndërtoi Versajën dhe qeverisi me dorë të hekurt.

Në kohën e Luigjit XIV, populli francez vuante nën pushtetin absolut të monarkisë, ku nuk kishte kontroll, ekuilibër apo drejtësi të mirëfilltë. Tani Trump po e përdor simbolikën e njëjtë: dekor ekstravagant për të shfaqur pushtetin absolut dhe autoritarizmin që po rritet në SHBA gjatë administratës së tij.

Nga President në Perandor; si Trump po ndërton monarkinë e tij
Pallati i Versajës, Paris

Në një memorandum presidencial, administrata Trump deklaronte nevojën për të nderuar trashëgiminë tradicionale arkitekturore amerikane. Por, me dekorin që ka zgjedhur në Zyrën Ovale, ai jo vetëm nuk respekton trashëgiminë amerikane, por edhe sfidon hapur idetë e themeluesve të SHBA-së.

Historia na tregon se stile të tilla luksoze e të ekzagjeruara përfunduan keq për monarkët, shpesh herë me humbjen e kokës nga zemërimi popullor. Ndërsa Salla e Pasqyrave në Versajë, dikur simbol i pushtetit absolut, sot është vetëm një atraksion turistik.

Nëse Trump dëshiron të jetë mbreti i ri i diellit, historia e ka një këshillë për të: Kujdes, sepse fundi i monarkëve autoritarë nuk ka qenë kurrë i mirë./ Përshtati nga Washington Post, Pamfleti

trump mbleti diell

Lini një Përgjigje