
Rusia akuzohet për kryerjen e rekrutimeve në disa vende me të ardhura të ulëta, në atë që quhet edhe si Jugu Global.
Muajin e kaluar, pati raporte për përpjekjet e mëtejshme të Kremlinit për të rekrutuar luftëtarë të huaj për vazhdimin e pushtimit të Ukrainës. Sipas Financial Times, një kompani e lidhur me rebelët Huthi e ka furnizuar Rusinë me qindra mercenarë jemenas.
Rekrutët shkuan fillimisht në Rusi, ku iu premtuan paga të larta dhe pasaporta ruse, përpara se të dërgoheshin në vijën e frontit në Ukrainë. Dhe pretendime të tilla nuk janë të reja. Thuhet se Moska i ka përdorur luftëtarë e huaj që në fazat e hershme të pushtimit, për të shmangur problemet e mundshme nga mobilizim i trupave të reja në vend.
Rusia akuzohet për kryerjen e rekrutimeve në disa vende me të ardhura të ulëta, në atë që quhet edhe si Jugu Global. Fushat të tilla të rusëve në Kubë dhe Indi, janë kritikuar si operacione të trafikimit të qenieve njerëzore. Nepali është veçanërisht i prekshëm ndaj rekrutimit rus.
Ka vlerësime që flasin për deri në 15.000 burra të regjistruar për të luftuar në Ukrainë. Madje dyshohet se regjimi i Vladimir Putinit, ka vënë në shënjestër edhe popullatat e cenueshme brenda kufijve të tij. Verës që shkoi, autoritetet ruse arrestuan më shumë se 30.000 emigrantë me nënshtetësi ruse, të cilët nuk ishin regjistruar për shërbimin ushtarak.
Pak kohë më vonë ata u dërguan të luftojnë në Ukrainë. Përpjekjet për rekrutim janë kryer në qendrat ruse të paraburgimit, ku mbahen kryesisht punëtorë emigrantë kryesisht nga vendet e Azisë Qendrore. Një raport i tetorit të këtij viti, konfirmoi se zyrtarët rusë i bënë enkas kushtet e burgut jashtëzakonisht më të ashpra dhe çnjerëzore, në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj të burgosurve që t’i bashkohen ushtrisë ruse.
“Ata na mbajnë në qeli akull të ftohta. Ne detyrojnë të flemë në dysheme vetëm me një jastëk poshtë. Që të mos ngrijnë, mbajmë shishe plastike me ujë të nxehtë”- ka dëshmuar një i burgosuri nga Kirgistani, ndërsa shumë luftëtarë të huaj raportuan se ishin nën presion ose të gënjyer nga rekrutuesit rusë.
Të tjerët janë joshur nga premtimi për paga relativisht të larta dhe nga perspektiva e një pasaporte ruse. Vetëm në nëntor, Rusia i dha nënshtetësinë më shumë se 3000 të huajve, në këmbim të shërbimit ushtarak në Ukrainë.
Çështja e trupave të huaja që luftojnë për Rusinë, bëri bujë në media që kur u zbulua se Koreja e Veriut dërgoi rreth 10.000 ushtarë për të marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës. Shumë ekspertë, shohin këtë si një moment vendimtar në luftë, për shkak të numrit të trupave të përfshira dhe natyrës zyrtare të vendosjes.
Duke pasur parasysh përmasat e mëdha të ushtrisë së Koresë së Veriut, është e qartë se Pheniani ka hapësirë të konsiderueshme për të dërguar shumë më tepër trupa. Entuziazmi i Moskës për luftëtarët e huaj mund të kuptohet lehtësisht. Ndërsa lufta vazhdon dhe po i afrohet 3 viteve, Rusia duket se po përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha për personel.
Ndërsa Kremlini nuk jep informacione zyrtare mbi shkallën e humbjeve ruse në Ukrainë, shumica e vlerësimeve tregojnë se qindra mijëra ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur rëndë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Britanisë së Madhe, nëntori i këtij viti ishte muaji më vdekjeprurës i luftës deri më sot, teksa vetëm Rusia ka pësuar më shumë se 45.000 viktima.
Perspektiva e zymtë për trupat ruse në Ukrainë, po e bën më të vështirë tërheqjen e vullnetarëve të rinj. Ndaj autoritetet ruse kanë filluar kohët e fundit të ofrojnë stimuj të shtuar financiarë për rekrutët e rinj, si dhe kompensime të mëdha për familjet e atyre që kanë vdekur në luftime. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, ka shenja se ushtria ruse tani është shumë e konsumuar në burime. Kur Ukraina nisi një inkursion të befasishëm ndërkufitar në rajonin rus të Kurskut verës që shkoi, në fillim Rusia u detyrua të mbështetej në një mbrojtje të improvizuar të përbërë kryesisht nga rekrutë të rinj, shumë prej të cilëve u kapën robër.
Kohët e fundit, dështimi i Rusisë për ta shpëtuar aleatin e saj sirian Bashar Al-Assad, ka nënvizuar mungesën e rezervave nga Moska. Me ushtrinë e tij tërësisht të përkushtuar ndaj fushatës në Ukrainë dhe duke pësuar humbje të mëdha, Putinit po i mbarojnë opsionet ndërsa përpiqet të mbrojë rusët nga pasojat e pushtimit të tij.
Për pjesën më të madhe të luftës, Kremlini i përqendroi përpjekjet e tij rekrutuese brenda vendit, në rajonet me të ardhura të ulëta dhe minoritetet etnike të Rusisë, duke rekrutuar edhe një numër të madh të burgosurish. Taktika të tilla, kanë shmangur prekjen e rajoneve më të begata për të parandaluar protestat e gjera.
Megjithatë, këto burime nuk janë të pafundme. Putin mbetet i vendosur të shmangë përsëritjen e një mobilizimi të ri popullor, si ai i shtatorit 2022, që rezultoi të ishte shumë jopopullor duke nxitur një eksod të madh nga Rusia, kur qindra mijëra burra dhe djem iu shmangën shërbimit ushtarak.
Me pakësimin e rekrutëve nga burgjet, dhe me më pak rusë të gatshëm të dalin vullnetarë për një luftë që shumë e shohin si një “mish për top”, alternativa e tij më e mirë tani mund të jetë përpjekja për të shtuar numrin e trupave të huaja. Pasojat e përdorimit të tyre në pushtimin rus, shtrihen shumë përtej fushëbetejave të Ukrainës.
Rritja e bashkëpunimit midis rebelëve Huthi dhe Rusisë, e ka alarmuar jo pak Perëndimin javët e fundit. I dërguari special i SHBA-së për Jemenin, raportoi se Moska mund të nisë transferimin e armëve për grupimin rebel, për t’i dhënë atij mundësinë që të kryejë sulme më efektive ndaj anijeve perëndimore në Detin e Kuq.
Ndërkohë, pasojat e hyrjes në luftë të Koresë së Veriut, janë një shqetësim edhe më i madh. Luftimet në Ukrainë, përfaqësojnë një mundësi të rrallë për ushtarët e Koresë së Veriut që të fitojnë një përvojë të vlefshme të luftës moderne, duke përfshirë inovacione të tilla si përdorimi i dronëve.
Pheniani pritet të marrë në këmbim një mbështetje të madhe ushtarake nga Rusia, e cila mund të përmirësojë aftësitë e saj raketore, bërthamore dhe detare. Nuk është për t’u habitur që Koreja e Jugut, po e monitoron situatën me një shqetësim gjithnjë e më të madh.
Përdorimi i trupave të huaja nga Rusia, është një prirje e rrezikshme që rrezikon ta zgjasë luftën dhe ka potencialin të nxisë një destabilitet të madh ndërkombëtar. Ajo është gjithashtu një shenjë se ndërsa Vladimir Putinit nuk po i mbarojnë ende rekrutët rusë, ai do të preferonte të kërkonte diku tjetër për burime njerëzore, për të mbështetur taktikat e kushtueshme të përdorura nga ushtria ruse në Ukrainë./Përshtati "Pamfleti" nga “Opinione.it”
*Shënim:Renato Caputo, profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe rregulloreve të sigurisë.
Lini një Përgjigje