TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Dhjetor 2024, 21:00

Macron është kthyer në një barrë për BE-në, Von der Leyen është udhëheqësja e re e Evropës

Shkruar nga Gavin Mortimer

Macron është kthyer në një barrë për BE-në,

Von der Leyen do të prezantojë disa nga masat në fillim të vitit të ardhshëm, për ta bërë më të lehtë dëbimin e emigrantëve të paligjshëm. Kjo është një tjetër tregues se Von der Leyen nuk i kushton më shumë vëmendje Macron.

2024-a ka qenë një vit për t’u harruar për Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz. Koalicioni qeveritar i kancelarit gjerman u shemb muajin e kaluar, ndërsa të hënën ai humbi një mocion votëbesimi në parlament. Zgjedhjet e reja do të mbahen në shkurt. Edhe presidenti i Francës ka pasur sfida elektorale, si rezultat i të cilave Macron ka emërua kryeministrin e tretë në gjashtë muajt e fundit, dhe vlerësimi i tij në sondazhe ka rënë akoma më tej.

Nga pikëpamja politike, ekonomike dhe sociale, Gjermania dhe Franca janë në krizë, dhe askush nuk po përfiton më shumë se Ursula von der Leyen. Presidentja e Komisionit të BE-së, e cila në verë u zgjodh për një mandat të dytë 5-vjeçar, është sot liderja de fakto e Evropës.

Në tetor, Von der Leyen e shpërfilli kundërshtimin e Scholz ndaj vendosjes së tarifave 5-vjeçare për makinat elektrike të prodhuara në Kinë. Macron ishte në favor të tarifave të importit (deri në masën 35.3 për qind). Por disa javë më vonë, edhe ai u tërhoq kur presidentja e BE-së shkoi në Uruguai për të nënshkruar marrëveshjen tregtare Mercosur me një numër vendesh të Amerikës së Jugut.

Me këtë rast i kënaqur mbeti Scholz. Ai përshëndeti firmosjen e marrëveshjes, nga e cila do të përfitojë industria e makinave dhe ajo kimike në Gjermani. Macron u zemërua, ashtu si fermerët francezë, të cilët kanë frikë se marrëveshja tregtare do t’i varfërojë.

Ishte hera e dytë në tre muaj e fundit që Von der Leyen i tregoi vendin Macron. Në shtator, ajo i tha presidentit të zgjidhte një komisioner të ri francez për BE-në, pasi nuk e pëlqente atë ekzistues, Thierry Breton. Dhe Macron bëri ashtu siç i thanë. Ky duhet të ketë qenë një poshtërim i madh për të.

Sepse në vitin 2019, ai ishte këshilltari kryesor i Von der Leyen, dhe pa mbështetjen e tij gjermania nuk do të ishte bërë dot presidente e Komisionit Evropian. Ai pa tek zonja Von der Leyen dikë që ashtu si ai ndante liberalizmin ekonomik dhe social, dhe ç’është më e rëndësishmja, një grua që do ta “kishte në xhep” për shkak të mbështetjes së tij.

Në atë kohë, kandidati favorit për postin e presidentit të Komisionit Evropian ishte Manfred Weber. Por në atë kohë u tha se pikëpamjet e tij konservatore nuk përshtateshin me ato të Macron. Weber kishte qenë një nga të paktët politikanë të shquar gjermanë që guxoi të vinte në dyshim vendimin e Angela Merkel për të hapur kufijtë e Evropës në vitin 2015 ndaj emigrantëve.

“Është e pakonceptueshme, se si qindra mijëra refugjatë po enden të pakontrolluar nëpër Evropë”- tha ai në atë kohë. Pikëpamja e Weber ndahet tani nga shumica e qeverive në BE.

Vetëm udhëheqësit e Spanjës dhe Francës vazhdojnë të mbyllin sytë ndaj migracionit masiv.

Por kjo qasje e Macron i ka zemëruar francezët, të cilët janë kundër numrit të paprecedentë të emigrantëve të paligjshëm dhe të ligjshëm që kanë mbërritur në vend që nga 2017-a.

Ai ka shkelur premtimet e përsëritura për ta zgjidhur këtë krizë, pasi i duhet që të dëbojë shumë emigrantë të paligjshëm. Në një intervistë të vitit 2019, presidenti i siguroi francezët se shumë shpejt do të zbatoheshin 100 për qind e urdhrave të dëbimit.

Megjithatë deri këtë vit, kjo normë është 7 për qind, në një kohë që mesatarja e BE-së është 30 për qind. Thuhet se Von der Leyen dëshiron që ta rrisë këtë mesatare në vitin 2025, një ambicie që ka të ngjarë ta futë sërish në konflikt me Macron.

Ai dhe deputetët e tij centristë, janë të bashkuar në kundërshtimin ndaj atyre që janë quajtur si “klauzolat e kthimit”. Aktualisht, një azilkërkues i refuzuar, mund të qëndrojë në vendin e BE-së ku ka mbërritur, derisa ndaj tij të zbatohet një urdhër dëbimi.

Megjithatë von der Leyen planifikon të ngrejë qendra jashtë BE-së, ku ata mund të mbahen deri në largimin e tyre. Macron dhe centristët e tij i konsiderojnë si çnjerëzore qendra të tilla. Giorgia Meloni jo. Në fillim të këtij viti, kryeministrja italiane tha se qëllimi i saj ishte “të bllokonte largimet në Afrikë, të vlerësonte mundësinë për të hapur qendra të tjera tranziti atje, për të përcaktuar se kush ka të drejtë dhe kush jo për të hyrë në Evropë”.

Tani këtë qasje e mbështet edhe Von der Leyen. Në tetor të këtij viti, ajo u shkroi nga një letër liderëve të BE-së për t’i nxitur ata që të eksplorojnë “mënyra të mundshme në lidhje me idenë e ndërtimit të qendrave të kthimit jashtë BE-së”. Organizatat humanitare u zemëruan. Amnesty e cilësoi si “të turpshëm” këtë propozim.

Edhe Macron e cilësoi të pakëndshme. Një zëdhënës i Elysee tha se preferonte një “diskutim të rregullt mbi krizën e emigrantëve, që respekton ligjin ndërkombëtar dhe evropian”. Por këto kundërshtime janë injoruar, dhe Von der Leyen do të prezantojë disa nga masat në fillim të vitit të ardhshëm, për ta bërë më të lehtë dëbimin e emigrantëve të paligjshëm.

Kjo është një tjetër tregues se Von der Leyen nuk i kushton më shumë vëmendje Macron. “Ajo ka qenë e zhgënjyer nga veprimet e tij”- thotë një eurodeputet nga Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë të Von der Leyen. Ajo është e tmerruar sidomos nga keq-menaxhimi i financave franceze.

Macron erdhi në pushtet në vitin 2017 me premtimin për të riparuar rrënjësisht ekonominë. Në atë kohë, deficiti buxhetor i vendit ishte 3.4 për qind e PBB-së, dhe presidenti i ri tha se do të respektonte kufirin e BE-së prej 3 për qind deri në fund të atij viti.

Deficiti buxhetor aktual i Francës është 6.1 për qind. Kjo e ka detyruar guvernatorin Bankës së Francës, të paralajmërojë të martën se “nëse vendi ynë mbetet në këtë gjendje...do të rrezikojë një kolaps gradual ekonomik dhe evropian”.

Macron e ka bërë Francën të paqeverisshme për shkak të paaftësisë së tij, dhe tani kërcënon që të shkaktojë kaos në Evropë. Në këto kushte, pse duhet të jetë e habitshme që Von der Leyen po drejton gjithnjë e më shumë jo vetëm BE-në, por edhe vetë Francën?/ Përshtati "Pamfleti" nga “The Spectator”.

Lini një Përgjigje