Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi ka akuzuar Donald Trump për “bombardim të tryezës së negociatave nga inati”, në një postim të ri në rrjetet sociale.
“Kur negociatat komplekse bërthamore trajtohen si një transaksion prone dhe kur gënjeshtra të mëdha errësojnë realitetin, pritshmëritë joreale nuk mund të përmbushen,” thotë ai.
“Rezultati? Bombardimi i tavolinës së negociatave nga inati.”
Trump “tradhtoi diplomacinë dhe amerikanët që e votuan”, shton Araghchi.
Prapaskenat çfarë ndodhi në takim
Mediat e huaja kanë nxjerrë detaje të reja nga takimi mes delegacionit të SHBA dhe atij të Iranit të enjten në Gjenevë. Në fokus ishte gjetja e një marrëveshje për kërkesën e Teheranit për të çuar përpara programin bërthamor.
Nga ajo që ka zbuluar NBC News, takimi është shoqëruar me tone të larta. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi kishte ngritur zërin përpara Steve Witkoff të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Një zyrtar i lartë tregoi se Araghchi filloi t’i bërtiste Wittkoff dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner duke pretenduar se vendi i tij kishte një “të drejtë të patjetërsueshme” për të pasuruar uraniumin. Në krahun tjetër Wittkoff iu përgjigj se SHBA-të kishin një “të drejtë të patjetërsueshme” për të ndaluar Iranin.
“Nëse preferoni, unë mund të iki”, thuhet se i tha Wittkoff Araghchi. I njëjti burim vuri në dukje se anëtarët e delegacionit amerikan informuan më pas Trump, i cili nuk e mbajti sekret “turpin” e tij për atë që kishte ndodhur.
Disa orë më vonë, të shtunën në mëngjes, SHBA-të ishin në luftë me Iranin. “Operacione të mëdha ushtarake” kundër Iranit kishin filluar, deklaroi Trump në një video të postuar në 2:30 të mëngjesit me orën amerikane në llogarinë e tij në mediat sociale.
Vendimi i presidentit amerikan për të sulmuar Teheranin dhe për të eliminuar udhëheqjen iraniane erdhi pas negociatave të zgjatura mes dy palëve, të cilat e lanë atë të frustruar dhe të bindur se një zgjidhje diplomatike nuk ishte e mundur.
“Ata nuk ishin të gatshëm të ndalonin kërkimet e tyre bërthamore. Ata nuk ishin të gatshëm të thoshin se nuk do të pajiseshin me armë bërthamore. Shumë e thjeshtë” tha Trump.
Pjesa tjetër është histori.
Lini një Përgjigje