
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka mbërritur në Kiev mëngjesin e sotëm. Ai nuk ka njoftuar më herët se do të vizitojë Kievin.
Diplomati i lartë amerikan do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe do të mbajë një fjalim më vonë, për të theksuar mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Ukrainën, përfshirë ushtarakisht, ekonomikisht, në hapësirën e energjisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Një zyrtar amerikan bën me dije se Blinken do të theksojë gjithashtu sukseset strategjike që ka arritur Ukraina gjatë luftës së saj të vazhdueshme kundër pushtimit rus.
“Mes pengesave të Ukrainës në fushën e betejës, Blinken synon të dërgojë një “sinjal të fortë sigurie për ukrainasit”, u shpreh ai.
Udhëtimi i Blinken vjen gjithashtu disa javë pasi presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një paketë ndihme të huaj prej 95 miliardë dollarësh që përfshin afro 61 miliardë dollarë për Ukrainën pas një fushate të suksesshme gjashtëmujore nga Shtëpia e Bardhë.
Blinken do të diskutojë gjithashtu “hapat e tjerë që ne po ndërmarrim për të ofruar garanci dhe përkushtim afatgjatë në frontin e sigurisë për ukrainasit, duke përfshirë marrëveshjen tonë dypalëshe të sigurisë,” shtoi zyrtari.
Ndihma pritet të dërgohet në Ukrainë me ritëm të përshpejtuar.
“Pikë së pari, ky udhëtim do të dërgojë një sinjal të fortë për të siguruar ukrainasit, që sigurisht janë në moment të vështirë, për shkak të luftimeve të ashpra në frontin lindor, por po ashtu me rusët që pritet të bëjnë disa sulme ndërkufitare në Harkiv”, tha zyrtari amerikan.
Vizita e fundit në Ukrainë e një zyrtari të lartë amerikan u zhvillua në mars, kur këshilltari për siguri kombëtare Jake Sullivan vizitoi shtetin që po përballet me pushtimin e paprovokuar që nisi Moska në shkurt të vitit 2022.
Lini një Përgjigje