Banka austriake vazhdon të ketë fitime të mëdha pas pushtimit të Ukrainës nga Putin...
Ekziston një fakt i thjeshtë dhe i jashtëzakonshëm në lidhje me biznesin e Raiffeisen Bank International - një fakt që ilustron pse perëndimi nuk ka arritur të pengojë ekonominë ruse, pavarësisht sanksioneve të vendosura që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në shkurt 2022.
Për tre vitet e fundit, fitimet e gjeneruara nga krahu rus i bankës austriake kanë tejkaluar tërësinë e operacioneve të tjera të grupit.
Duke pasur parasysh se të gjitha bankat kryesore të Rusisë janë sanksionuar – dhe bankat perëndimore kanë qenë nën presion që të zvogëlojnë aktivitetin e tyre në Rusi– është befasuese që Raiffeisen, ndryshe nga rivalët e saj, ka rritur në fakt përqindjen e fitimeve.
Sipas vlerësimeve nga analistë të “Citigroup’, banka këtë vit do të ketë një fitim neto nga njësitë e saj në Rusi dhe në Bjellorusi, prej rreth 1.2 miliardë euro, krahasuar me pothuajse 500 milionë euro nga të gjitha degët e saj nëpër botë.
Kjo edhe duket e keqe dhe është e keqe. Që një bankë perëndimore të lulëzojë, tregon se ka një mospërfillje ndaj qeverive perëndimore që janë përpjekur të mbyllin lidhjen globale të Rusisë. Është gjithashtu një ndihmë shumë reale për ekonominë e vendit, dhe për rrjedhojë makinën e tij të luftës. Bankat perëndimore ende në Rusi janë kanalet kryesore për klientët atje për të operuar ndërkombëtarisht, duke gjeneruar njëkohësisht të ardhura të konsiderueshme tatimore. (Bankat e huaja vitin e kaluar i kanë paguar më shumë se 800 milionë euro taksa qeverisë ruse. Raiffeisen ka paguar gati gjysmën e këtij numri.)
Pra, nuk ishte befasuese që Thesari i SHBA- së në janar filloi një hetim mbi biznesin rus të Raiffeisen. Ose që muajin e kaluar, Banka Qendrore Evropiane, rregullatori kryesor i grupit, bëri presion për të përshpejtuar tërheqjen e saj nga Rusia.
Deri kohët e fundit, Raiffeisen kishte dhënë përshtypjen e fortë se mendonte se mund të ruante ekuilibrin e saj të vështirë të operimit të një biznesi të madh rus, duke mbajtur larg autoritetet. Siç zbuloi Financial Times disa javë më parë, ajo madje dukej se ishte në modalitetin e rritjes, duke postuar mijëra reklama pune, të cilat zbuluan planet për "zgjerim aktiv". Më pas ata tentuan të mohojnë.
Në një kuptim, Raiffeisen është në një situatë të vështirë. Edhe nëse me të vërtetë dëshiron të largohet nga Rusia, duke e bërë këtë i nënshtrohet verifikimit të çdo blerësi nga Kremlini. Ndërkohë, kufizimet e vendosura nga regjimi rus nënkuptojnë se banka nuk mund t'i riatdhesojë fitimet në Austri nëpërmjet dividentëve. Javën e kaluar, me sa duket mes presionit nga Thesari i SHBA-së, banka braktisi një plan me rrezik të lartë për të shkëmbyer fondet në krahun rus të bankës me biznesin austriak të ndërtimit Strabag, që ishte mbajtur nga oligarku i sanksionuar Oleg Deripaska, përpara se ai ta transferonte te një kompani e panjohur.
Kjo e lë Raiffeisen me afro 5 miliardë euro kapital të bllokuar në Rusi. Pjesa më e madhe e depozitave të klientëve dhe fitimeve të mbajtura depozitohen në bankën qendrore të Rusisë, ku fiton 16 për qind interes.
Edhe pse ka reduktuar aktivitetin e saj të kreditimit në vend (dhe po shet njësinë e saj në Bjellorusi), ajo, si bankat e tjera të huaja, është bërë një kanal për lëvizjen e parave jashtë Rusisë. Ndryshe nga bankat ruse të sanksionuara, Raiffeisen mbetet pjesë e rrjetit Swift që lidh bankat në mbarë botën. Banka nuk zbulon një përmbledhje të detajuar të operacioneve të saj të transferimit të parave dhe nuk pranoi të komentojë mbi shkallën në të cilën kjo pjesë e biznesit të saj rus kishte lulëzuar.
Në këtë sfond, aksionerët e Raiffeisen kanë mbetur në mënyrë të çuditshme sanguine. Megjithëse aksionet ranë pas lajmeve për pushtimin rus të Ukrainës, ato janë rimëkëmbur me 26 për qind gjatë vitit të kaluar. Tani tregtohen me rreth 30 për qind të vlerës kontabël. Duke pasur parasysh se më shumë se gjysma e biznesit të bankës është nën ndikimin rus dhe presionin perëndimor, vetë situata finaciare është e mirë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Finacial Times”
Lini një Përgjigje