TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Mars 2024, 18:07

Kaosi kronik në Lindjen e Mesme dhe cilat janë mëkatet e SHBA-së

Shkruar nga Pamfleti
Kaosi kronik në Lindjen e Mesme dhe cilat janë mëkatet e
SHBA /

 Ndërsa në fundin e viteve 1940 dhe fillimin e viteve 1950, po zbutej kontrolli i fuqive imperialiste evropiane mbi Lindjen e Mesme, u shua paralelisht edhe çdo shpresë e vendeve të këtij rajoni për sovranitet dhe pavarësi. Rajoni u shndërrua në një fushëbeteje të luftërave të kryera përmes palëve të treta në kuadër të Luftës së Ftohtë që po zhvillohej midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, teksa ato po luftonin për dominim.

Pikërisht në këtë këndvështrim libri i ri i profesor Fawaz Gerges “Çfarë shkoi vërtet keq: Perëndimi dhe dështimi i demokracisë në Lindjen e Mesme”, rreket të shpjegojë në detaje arsyet e paqëndrueshmërisë e vazhdueshme të rajonit.

Ai e sfidon pikëpamjen perëndimore, sipas të cilës Lindja e Mesme është “kronikisht kaotike” dhe se banorët e saj janë në thelb “të dhunshëm”, duke argumentuar se shumë nga tensionet që shihen sot “janë rezultat i ambicieve perandorake të SHBA-së për të krijuar një Pax Americana, ku SHBA është fuqia dominuese globale”.

“Argumenti se vendet arabe vuajnë nga një urrejtjeje e lashtë ndaj njëri-tjetrit, është jo pak acarues pasi e shpërfill rolin e shteteve perëndimore në brishtësinë dhe destabilitetin e rajonit”-thotë profesor Gerges. “I fiksuar pas komunizmit sovjetik, Uashingtoni i mbrojti regjimet shtypëse të Lindjes së Mesme në këmbim të pajtueshmërisë së tyre me planet hegjemoniste amerikane dhe furnizimeve të pandërprera me naftë dhe gaz të lirë. Dhe e gjithë kjo duke predikuar ‘lirinë dhe demokracinë’ në vend”- shton ai.

Për shembull në Iran, qeveria e Muhamed Mossadegh e zgjedhur në mënyrë demokratike, u përmbys përmes një grushti shteti të mbështetur nga shërbimet sekrete amerikane dhe britanike. Mossadegh kishte ardhur në pushtet në vitin 1952 me një shumicë dërrmuese, duke fituar gati 90 për qind të vendeve në parlament.

Duke qenë një politikan modernizues, ai nxiti ndërtimin e një gjyqësori të pavarur nga ndikimi i qeverisë, promovoi zgjedhjet e lira dhe mbrojti lirinë e fesë dhe ato politike. Mossadegh shihej nga shumë njerëz si një njeri me integritet dhe ndershmëri personale, që synonte të shmangte shfaqjen e nepotizmit apo korrupsionit.

I shkolluar në Evropë, ai ishte kryesisht properëndimor dhe kishte një pikëpamje pozitive për Shtetet e Bashkuara. Pra ishte larg të qenit një simpatizant i BRSS. Por nga ana tjetër ishte gjithashtu një nacionalist dhe antikolonialist, që besonte në sovranitetin ekonomik të vendit të tij. 

Mossadegh u përpoq të përdorte të ardhurat nga burimet e Iranit për përmirësimin e jetesës së popullit iranian. Për këtë arsye e shtetëzoi Kompanisë Anglo-Iraniane të Naftës (AIOC), një lëvizje që i zemëroi shumë britanikët, pasi këta siguronin prej saj naftë me një çmim të lirë. Londra u kundërpërgjigj duke u përpjekur të destabilizonte qeverinë e Mossadegh-ut përmes një embargoje globale të naftës iraniane dhe madje edhe akteve të sabotazhit ndaj një rafinerie të madhe nafte në Abadan. Edhe Shtetet e Bashkuara ishin kundër shtetëzimit të naftës iraniane për shkak të precedentit që krijonte.

Por amerikanët mendonin se britanikët mund të ishin më të mësuar me aspiratat nacionaliste në rritje në botën e sapo-dekolonizuar. Por me rritjen e frikës për ndikimin e Rusisë komuniste në Iran, dhe teksa presidenti Dwight Eisenhower zëvendësoi Harry Truman-in në Shtëpinë e Bardhë, ndryshoi edhe pozicioni i SHBA-së.

CIA nisi një fushatë propagandistike kundër kryeministrit të Iranit. Së bashku me operativët e MI6, ata e dëmtuan reputacionin e Mossadegh duke korruptuar gazetarë, politikanë, gangsterë dhe zyrtarë të ushtrisë. Në përpjekjen e tyre të dytë, ata organizuan me sukses një grusht shteti kundër Mossadegh dhe e centralizuan pushtetin nën monarkun e Iranit, Shahut Mohammed Reza Pahlavi.

Shahu autokrat e anuloi vendimin për shtetëzimin e naftës, shtypi të gjithë zërat kundër, dhe përmes politikave të tij ekonomike i thelloi pabarazitë sociale. Ishin SHBA-të, ato që e ndihmuan atë të krijojë policinë sekrete, SAVAK, e cila e censuroi median dhe përdori metoda brutale të torturës dhe ekzekutimeve pa gjyq ndaj kujtdo që bënte opozitë ndaj regjimit.

“Rrëzimi i Mossadegh hodhi poshtë një model potencial pozitiv për rajonin, duke i hapur rrugën shfaqjes dhe përhapjes së ideologjive radikale dhe revolucionare si marksizmi dhe islamizmi. Po ashtu, motivoi shumë klerikë islamikë që morën pushtetin në vitin 1979”- argumenton profesor Gerges.

Ashtu si Mossadegh, edhe lideri i Egjiptit Gamal Abdel Nasser i shihte Shtetet e Bashkuara si një forcë pozitive, në kontrast me fuqitë perandorake në Evropë. Por edhe ai do të zhgënjehej shumë nga sjellja e Uashingtonit. Nasser u ngjit në pushtet me shpejtësi pas grushtit të shtetit të 23 korrikut 1952, që solli rrëzimin e mbretit Farouk nga një grup oficerësh nacionalistë revolucionarë.

Ai i dha përparësi dëbimit të forcave britanike që kishin pushtuar Egjiptin që nga viti 1882, duke favorizuar modernizimin dhe duke synuar të nxirrte nga varfëria miliona njerëz. Nasser nuk ishte demokrat, por nuk ishte i tërhequr as nga komunizmi. Pasi si mysliman, nuk ishte i interesuar për ateizmin komunist.

Po ashtu, donte që Egjipti të ishte i pavarur nga ndërhyrjet e jashtme. Ai besonte tek bashkimi i kombeve arabe. Gjithçka ndryshoi kur në vitin 1955, Izraeli nisi një sulm të madh ndaj trupave egjiptiane në Gaza, në kundërpërgjigje të vrasjes së një civili izraelit nga një terrorist që u zbulua se kishte lidhje me shërbimet sekrete ushtarake egjiptiane.

Thirrjet ndaj Uashingtonit për armë mbetën pa përgjigje, ndaj Nasser iu drejtua sovjetikëve. Për habinë e tij, rusët u përgjigjën menjëherë dhe pozitivisht, dhe treguan gatishmërinë për të ndihmuar Egjiptin me projekte industriale. E alarmuar nga ky zhvillim, administrata Eisenhoëer përdori taktika frikësuese, presionin financiar dhe kërcënimin e rrethimit rajonal në përpjekje për ta detyruar Nasser ta prishte atë marrëdhënie.

Në fakt, e shtyu akoma më shumë udhëheqësin e Egjiptit që të ndërtonte lidhje më të ngushta me bllokun sovjetik. Marrëveshja me sovjetikët e rriti popullaritetin e Naserit në Egjipt, në rajonin arab dhe në të gjithë botën e de-kolonizuar, duke e ngritur atë në statusin e një ikone politike ndërkombëtare.

Por në vend se të përballeshin, perëndimorët u përpoqën ta blejnë. Në dhjetorin e vitit 1955, SHBA, së bashku me Britaninë dhe Bankën Botërore, ofruan gati 70 milionë dollarë amerikanë ndihmë për Egjiptin për të ndihmuar në ndërtimin e Digës Aswan në lumin Nil.

Ai projekt i madh synonte të frenonte ciklin e përmbytjeve dhe thatësirave, që kishin shkaktuar shkatërrime në Egjipt prej mijëra vitesh. Oferta ishte tërheqëse, por me kushtin që Nasser të nënshkruante një traktat paqeje me Izraelin, dhe t’i bashkohej luftës globale të Amerikës kundër Bashkimit Sovjetik. Ai i hodhi poshtë këto kushte, dhe i tensionoi më tej marrëdhëniet e tij me SHBA-në duke njohur Kinën komuniste në majin e vitit 1956.

Në kundërpërgjigje, SHBA-ja anuloi paketën e ndihmës perëndimore për të ndërtuar Digën  Aswan. Nasser e mori ndihmën nga rusët me 2 për qind interes. Për të shlyer huanë, Nasser shtetëzoi Kompaninë e Kanalit të Suezit, duke pasur qasje tek të ardhurat që merreshin nga kalimi i anijeve.

Pasojat e këtij akti të tmerrshëm. Britania, Franca dhe Izraeli e pushtuan Egjiptin me synim rivënien nën kontroll të lidhjes jetike tregtare detare. Kriza u përshkallëzua thuajse në një përplasje bërthamore midis dy superfuqive rivale, por forcat e tre kombeve u tërhoqën pasi u përballën me kërcënimet nga Rusia dhe SHBA.

Duke e konsideruar Nasserin si një burim të destabiliteti rajonal, Uashingtoni nxiti rivalët e tij rajonalë. Eisenhower propozoi një rezolutë që lejonte presidentin të ndërhynte ushtarakisht, nëse ndonjë regjim i kontrolluar nga komunistët sulmonte ndonjë vend në Lindjen e Mesme ose më gjerë.

“Doktrina Eisenhower” e arriti qëllimin e saj për të mbjellë ndarje midis vendeve arabe, duke shkaktuar një Luftë të Ftohtë Arabe tejet të egër. Shtetet dhe shoqëritë arabe u shkatërruan nga rivalitetet gjeopolitike, ndërsa konkurrenca ndër-arabe e minoi besimin dhe perspektivën e bashkëpunimit dhe tregtisë së frytshme.

SHBA-ja mbështeti monarkitë konservatore në Arabinë Saudite, Irak, Jordani, Liban, Libi dhe Tunizi. Falë Eisenhower-it, sauditët dolën në krye të botës arabe, pasi ai besonte se Mbreti Saud, kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta në Islam, mund të përfaqësonte një kundërpeshë shpirtërore për të zbehur karizmën e Nasser-it.

Vendimi i SHBA-së për t’u bërë aleate me pan-islamizmin saudit dhe grupet e tjera islamiste kundër nacionalistëve gjysmë-laikë dhe “komunistëve pa Zot”, karakterizoi politikën e saj të jashtme nga fundi i viteve 1950 deri në fund të Luftës së Ftohtë në vitin 1989.

Miliarda dollarë amerikanë shkuan për grupet pan-islamiste, duke ndryshuar në mënyrë dramatike ekuilibrin social dhe gjeopolitik të pushtetit në rajon dhe më gjerë. Gjithsesi profesori thotë se nuk është ende vonë për t’i trajtuar si të barabartë vendet dhe popujt e Lindjes së Mesme, dhe për të respektuar zgjedhjet dhe aspiratat e tyre për vetëvendosje, veçanërisht palestinezët që po luftojnë për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të tokave të tyre dhe për të pasur një shtet të tyren./Përshtati Pamfleti nga “London Schoool of Economics”

mëkatet e shba lindja e mesme kaosi

Lini një Përgjigje