TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Maj 2025, 17:16

Kaosi botëror dhe rregullat e nevojshme për të shmangur më të keqen

Shkruar nga Vittorio Sabadin

Kaosi botëror dhe rregullat e nevojshme për të shmangur më

Normalizimi i dhunës po ndodh në gjysmën e botës, duke hedhur hije të errëta mbi të ardhmen e njerëzimit. Është urgjente që bashkësia ndërkombëtare të gjejë një mënyrë të re për të frenuar konfliktet, sepse metoda e vjetër nuk po funksionon më. 

Konfliktet në botë janë qenë prej kohësh në një ngërç, dhe askush nuk duket se ka fuqinë t'i zgjidhë ato. Po çfarë po ndodh? Pse janë thyer rregullat e vjetra, të cilat në përgjithësi, kanë garantuar një nivel të mirë bashkëjetese për dekada të tëra?

Çfarë ndodhi me normat ndërkombëtare, që pas Luftës së Dytë Botërore vendosën parimet e proporcionalitetit dhe moderimit edhe në konfliktet e armatosura? Paqëndrueshmëria globale, ka zëvendësuar edhe ato pak siguri që na kishin mbetur, dhe nuk duket se do të marrë fund së shpejti.

Presidenti amerikan Donald Trump, krijoi tek shumë njerëz iluzionin se kishte “në xhep” zgjidhjen për Gazën dhe Ukrainën. Por duke e parë se çdo përpjekje ishte e kotë, edhe ai ka nisur që të tërhiqet. Tani në skenë ka hyrë Papa Leoni XIV.

E përditshmja amerikane Wall Street Journal, ka konfirmuar se një samit i parë midis përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit do të zhvillohet në Vatikan në mesin e qershorit, edhe pse Kremlini ka mohuar se është diskutuar mbi këtë çështje.

Shumica e analistëve, besojnë se presidenti rus Vladimir Putin do të përpiqet vetëm që të fitojë kohë: vera po afron dhe ushtria e tij do ta shfrytëzojë atë për të pushtuar pjesë të tjera të Ukrainës, duke forcuar më tej pushtetin e tij për të diktuar më pas kushtet për paqen.

Nuk ka sinjale inkurajuese as nga Izraeli. Pavarësisht presionit të fortë ndërkombëtar dhe dënimit unanim të vazhdimit të përgjakshëm të kundërpërgjigjes ushtarake ndaj agresionit të Hamasit të 7 tetorit 2023, kryeministri Benjamin Netanyahu duket i vendosur të mos ndalet.

Mbijetesa e saj politike, është e mundur vetëm me një fitore të plotë. Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik e kishin ndarë botën në pjesë, në të cilat secili ushtronte kontroll në mënyrën e vet.

Krijimi i organizatave ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara ndihmoi në forcimin e stabilitetit, ndërsa Amerika kishte udhëhequr evolucionin e rendit ndërkombëtar dhe tregtisë globale që nga vitet 1950, duke e zgjeruar ndikimin e saj kulturor dhe ekonomik mbi pjesën më të madhe të njerëzimit.

Sot e dimë se këto dekada stabiliteti, kanë pasur edhe anët e tyre negative: vendet më të fuqishme kanë përfituar në mënyrë disproporcionale dhe ndërsa pasuria e re është shpërndarë, janë rritur paralelisht edhe pabarazia dhe degradimi mjedisor.

Pastaj papritmas gjithçka ndryshoi. Sulmi ndaj Kapitolit në Uashington më 6 janar 2021, nxori në pah një brishtësi të re të demokracive, madje edhe të atyre të konsoliduara me kalimin e kohës.

Teknologjitë robotike dhe inteligjenca artificiale, kanë filluar të trazojnë tregun e punës, ndërsa shpejtësia e informacionit e ka bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin e së vërtetës nga manipulimi. Rezultati është një erozion i besimit tek qeveritë dhe institucioneve, teksa zgjidhjet e problemeve po kërkohen tek nacionalizmi populist, ksenofobia, proteksionizmi dhe autoritarizmi.

Sot shumë udhëheqës politikë, duket se veprojnë jashtë çdo rregulli etik, të nxitur të besojnë nga inkurajimi që marrin në mediat sociale, se kjo është edhe dëshira e atyre që votuan për ta.

Rregullat e vjetra janë prishur edhe në luftë: sot përdorimi i dhunës pa dallim, me sulme ndaj infrastrukturës dhe popullatës civile, është i tmerrshëm në efektet e tij të menjëhershme, por në të njëjtën kohë po i minon normat ndërkombëtare, i inkurajon të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë dhe e nxit hakmarrjen.

Luftërat nuk po mbarojnë edhe sepse janë bërë më të vështira për t’u fituar. Në Ukrainë, përdorimi i dronëve dhe predhave autonome e ka bërë jashtëzakonisht të rrezikshme lëvizjen e lirshme të trupave, duke i detyruar ata të strehohen në llogore, siç bëhej më shumë se një shekull më parë.

Në Izrael, ajo që po e pengon përfundimin e luftës, është fakti se për Netanyahun fitorja ka të bëjë me kontrollin total të Gazës, ndërsa për Hamasin në lojë është vetëm mbijetesa e organizatës. Objektivi i Izraelit kërkon një shkatërrim në shkallë të gjerë, edhe me koston e jetës së shumë civilëve dhe pengjeve.

Ndërsa ai i Hamasit, është më modest dhe lehtësisht i arritshëm. Në fakt, sa më shumë rrënoja dhe viktima të ketë në Rripin e Gazës, aq më mirë është për këtë të fundit, sepse dëmtohet mbështetja ndërkombëtare për Izraelin.

“Rojtarët” që për dekada janë përpjekur ta mbajnë botën të qetë nuk janë më. Rezolutat e OKB-së nuk po respektohen. Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës lëshon urdhër-arreste për krime kundër njerëzimit, të cilat nuk i zbaton askush, madje po tallet sepse kreu i saj detyrohet të japë dorëheqjen për shkak të dyshimeve për krime seksuale.

Vladimir Putini vazhdon që të ndjekë qëllimet e tij pa e dëgjuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump apo Bashkimin Evropian. Edhe Netanyahu bën të njëjtën gjë. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, duket se po fiton terren një doktrinë e re: secili duhet të mendojë për veten e tij dhe të marrë atë që i nevojitet.

Në Perëndim, po flitet shumë për tmerret në Gaza dhe Ukrainë, sepse imazhet dhe dëshmitë e këtyre konflikteve, kanë qenë pjesë e jetës sonë të përditshme për muaj të tërë. Por dhjetëra konflikte të tjera janë duke u zhvilluar në Somali, Niger, Burkina Faso, Eritre, Sudan, Mozambik, Mianmar, për të cilat nuk flitet pothuajse asnjëherë.

Edhe në këto vende ka fëmijë që vdesin nga uria, ka mijëra vdekje dhe ka popullata të sfilitura që kërkojnë ndihmë. Normalizimi i dhunës po ndodh në gjysmën e botës, duke hedhur hije të errëta mbi të ardhmen e njerëzimit. Është urgjente që bashkësia ndërkombëtare të gjejë një mënyrë të re për të frenuar konfliktet, sepse metoda e vjetër nuk po funksionon më./ Përshtati "Pamfleti" nga "Il Messaggero"

Lini një Përgjigje