TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Gusht 2025, 09:50

Ka diçka më të tmerrshme se uria në Gaza

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Ka diçka më të tmerrshme se uria në Gaza
Shoug Mukhaimar /

"Ne nuk kemi më fuqi të lutemi. Ju lutemi, mos na kërkoni më të kemi shpresë..."

“Ka diçka më të tmerrshme se uria në Gaza. Është vrasja e shpresës nga Izraeli, përmes lojërave të tij me armëpushimin.”

Kështu e nis ese-në e saj Shoug Mukhaimar, një intelektuale nga Gaza, e cila flet jo vetëm me fjalët e një të mbijetuar, por me dhimbjen e një populli të tërë që ka parë shkatërrimin në format më të rafinuara. Ajo nuk flet vetëm për urine, e cila ka mbërthyer qindra mijëra në Gaza, por për një dimension më të errët: shkatërrimin sistematik të çdo farë shprese që një civil mund të ketë për paqe, për mbijetesë, për kthim në jetën normale. Sipas saj, lojërat e armëpushimit, të shpallura, të pezulluara, të përdredhura në çdo negociatë; nuk janë më diplomaci, por një formë psikologjike e torturës kolektive.

Mukhaimar vëren se çdo herë që përflitet për “pauzë humanitare” ose “mundësi për qetësi”, civilët nguten të gjejnë ushqim, ujë, ilaçe ose thjesht një vend më të sigurt ku të mund të marrin frymë. Dhe sa herë që ky dritare iluzive hapet, shumë nga ata që e besojnë, vriten, në radhë për ndihma, në tendat e shpërnguljes, në rrugët e arratisjes.

Në vend që armëpushimi të sjellë siguri, ai është kthyer në një kurth psikologjik që nxit njerëzit të dalin nga vrimat e mbijetesës, vetëm për t’u goditur sërish. Prandaj, thotë ajo, ky nuk është më thjesht një konflikt ushtarak; është një luftë për të vrarë ndjeshmërinë njerëzore, për të shpërbërë çdo lidhje emocionale mes njeriut dhe të ardhmes së tij.

Ajo dëshmon për ndjenjën e dëshpërimit të thellë që po i zëvendëson reagimet normale: askush nuk qan më, nuk shpreson më, nuk pyet më. Kur ndihmat vonohen, njerëzit nuk zemërohen, sepse nuk presin asgjë. Kur i afërmi vritet, nuk çirret kush, sepse as zëri nuk ka më fuqi. Ky është një popull që nuk po thjesht vdes nga uria, po zhduket nga brenda. Dhe kjo, për Mukhaimar, është më e keqe se uria: është vrasja e shpresës si strategji lufte.

Në fund, ajo nuk bën thirrje për më shumë ndihma, as për më shumë fjalime në OKB. Ajo i drejtohet ndërgjegjes njerëzore me një pohim tronditës: "Ne nuk kemi më fuqi të lutemi. Ju lutemi, mos na kërkoni më të kemi shpresë." Një fjalë që të rrëzon më thellë se çdo raport i OKB-së, më rëndë se çdo statistikë e UNICEF-it./Pamfleti

ka diçka më të tmerrshme se uria gaza

Lini një Përgjigje