TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2024, 18:22

Izraeli po eliminon çdo alternativë ndaj Hamasit në Gaza

Shkruar nga Jean-Pierre Filiu

 

Izraeli po eliminon çdo alternativë ndaj Hamasit në Gaza
Gaza /

Në vend se ta asgjësojë Hamasin, fushata ushtarake izraelite e ka shkatërruar Rripin e Gazës si hapësirë ​​jetese. Në raport me popullsinë franceze, numri i vdekjeve njerëzore do të ishte mbi 1 milionë të vrarë, përfshirë më shumë se 400.000 fëmijë...

Për mbi gjysmë shekulli, qeveritë e njëpasnjëshme izraelite, kanë vepruar pak a shumë me vetëdije në favor të islamikëve të Rripit të Gazës. Gjithçka nisi në vitin 1973, kur autoritetet pushtuese sponsorizuan inaugurimin në Gaza të xhamisë Sheikh Ahmed Jassin, në atë kohë ishte kreu i degës lokale të Vëllazërisë Myslimane.

Izraeli ishte duke u mbështetur me sukses militantët islamikë për të kundër-balancuar rolin e nacionalistëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Kjo lojë vazhdoi edhe sepse OÇP nisi kryengritjen e paarmatosur, Intifada, në vitin 1987, më synim krijimit të një shteti palestinez përkrah Izraelit, e famshmja “zgjidhje me dy shtete”.

Vëllazëria Myslimane në Gaza u hakmor duke u shndërruar në Hamas, akronimi arab për “Lëvizjen e Rezistencës Islamaik”, duke mbrojtur kauzën e shkatërrimit të Izraelit si shtet. U desh të vinte fitorja elektorale e vitit 1992 e “kampit të paqes” në Izrael që kryeministri i atëhershëm Yitzhak Rabin të nënshkruante vitin e ardhshëm një marrëveshje historike midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës të drejtuar nga Yaser Arafat.

Gaza iu dorëzua Hamasit

Ato 2 vite kur Rabin dhe Arafat punuan së bashku për një paqe të qëndrueshme, dhe kësisoj edhe kundër Hamasit, përfaqësojnë përjashtimin e vetëm nga sekuenca e gjatë disadekadëshe e vetëkënaqësisë izraelite përkundrejt islamikëve radikalë në Gaza.

Pas vrasjes së Rabin nga një terrorist hebre në vitin 1995, kryeministri Benjamin Netanyahu nisi të sabotonte marrëveshjen e arritur me OÇP. Madje në vitin 1997, ai liroi nga burgu liderin e Hamas, Yassin, edhe pse ai po vuante një dënim me burgim të përjetshëm.

Kthimi triumfal i themeluesit të Hamasit në Gaza, e bëri edhe më të vështirë detyrën e Arafatit, deri në Intifadën e dytë në vitin 2000, këtë herë të karakterizuar me sulmet vetëvrasëse me bomba. Ishte kryeministri i kohës Ariel Sharon, ai që e shtypi atë kryengritje të armatosur, duke eliminuar Yasin në vitin 2004 dhe duke rrethuar Arafatin, i cili vdiq pak muaj më pas.

Në vitin 2005, Sharon urdhëroi tërheqjen e ushtrisë dhe kolonëve nga Rripi i Gazës, një tërheqje, të cilën ai refuzoi ta negocionte me pasardhësin e Arafatit, Mahmud Abbas, duke i hapur kështu rrugën Hamasit, që së shpejti do të merrte kontrollin e plotë të enklavës palestineze.

Për më shumë se 16 vjet, nga viti 2007 deri në vitin 2023, Gaza u shkëput nga Bregu Perëndimor dhe pjesa tjetër e botës nga një bllokadë rigoroze e vendosur nga Izraeli, në bashkëpunim me Egjiptin në kufirin e saj jugor.

Një bllokadë e tillë i dha mundësi islamikëve radikalë që të konsolidojnë mbytjen e tyre në Gaza, ku ata gjuanin dhe shtypnin çdo formë opozitare. Netanyahu u rikthye si kreu i qeverisë në vitin 2009. Ai vendosi 2 vjet më vonë që të lirojë “skifterët” e shumtë të Hamasit, përfshirë Yahya Sinwar, teksa refuzoi lirimin e mbështetësve të betuar të zgjidhjes me 2 shtete.

Në vitin 2017, Sinwar arriti të merrte udhëheqjen e Hamasit në Gaza dhe më pas edhe autoritetin mbi të dy degët, politike dhe ushtarake, dhe kjo për herë të parë në historinë e lëvizjes islamike. Pasiviteti i Hamasit gjatë sulmeve të vitit 2022 kundër Xhihadit Islamik në Gaza, i bindi gjeneralët izraelitë se Sinwar ishte “zbutur”, në një kohë që ai po përgatiste fshehurazi gjakderdhjen terroriste të 7 tetorit 2023.

Po shkatërron Gazën në vend të Hamasit

Më shumë se 200 ditët e ofensivës ushtarake izraelite kundër Gazës, i kanë dhënë goditje të rënda dhe të paprecedenta Hamasit. Por mbetet ende larg “fitorja totale” që synon të arrijë Netanyahu. Zyrtari më i lartë i eliminuar nga Izraeli në këtë fazë është Marwan Issa, numri tre në zinxhirin komandues të Hamasit.

Ndërkohë, Sinwar dhe zëvendësi i tij vazhdojnë që ta drejtojnë lëvizjen islamike nga strukturat nëntokësore të krijuara prej kohësh. Përhapja e aksioneve guerile në zonat që Izraeli pretendonte se i kishte “spastruar” tashmë, tregon shumë për natyrën relative të sukseseve të pushtuesit.

Nga ana tjetër, në vend se ta asgjësojë Hamasin, fushata ushtarake izraelite e ka shkatërruar Rripin e Gazës si hapësirë ​​jetese. Në raport me popullsinë franceze, numri i vdekjeve njerëzore do të ishte mbi 1 milionë të vrarë, përfshirë më shumë se 400.000 fëmijë.

Kjo fushë rrënojash, në të cilën mund të lulëzojë vetëm urrejtja, do të jetë terren pjellor për një ringjallje të islamizmit të armatosur. Aq më tepër që Hamasi do të denoncojë pasivitetin e shteteve arabe dhe faktorit ndërkombëtar për të shfajësuar veten nga përgjegjësia e tij e drejtpërdrejtë për një katastrofë të tillë.

Netanyahu mbetet i palëkundur në refuzimin e tij për të lejuar kthimin e Autoritetit Palestinez të Abbas në Gaza. Për këtë ai parashtron të njëjtat arsye ideologjike që çuan në refuzimin e Sharonit në vitin 2005 për të negociuar me Abbasin për tërheqjen e Izraelit nga Gaza.

Ashtu siç ky refuzim i hapi rrugën pushtimit islamik të Gazës, Netanyahu është tani i paaftë të mobilizojë klanet e Gazës si një alternativë ndaj Hamasit. Madje në vend të kësaj, ai po përgatit me kokëfortësi një ofensivë kundër Rafah dhe pjesës jugore të Rripit të Gazës, ku mbi një milionë civilë janë grumbulluar në kufi me Egjiptin.

Përtej pasojave të tij dukshëm të tmerrshme, ky përshkallëzim i ri do të jetë sërish në favor të Hamasit, edhe pse, në mesin e njerëzve të thjeshtë e të pambrojtur të Gazës po rritet zemërimi kundër këtyre liderëve islamikë të mbrojtur mirë në tunelet e tyre.

Por që një pakënaqësi e tillë e përhapur të përkthehet në kundërshtim të hapur ndaj Hamasit, nevojitet ende një armëpushim i qëndrueshëm, i pasuar shumë shpejt nga kthimi i një autoriteti palestinez dhe nga mbajtja e zgjedhjeve nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, që të gjitha me synimin e paqes së qëndrueshme të bazuar tek zgjidhja me 2 shtete. Nëse një arsyetim lufte vazhdon të mbizotërojë në vend të kësaj dinamike paqeje, është e pashmangshme që Hamasi të dalë në krye, madje edhe nga rrënojat e Gazës./Përshtati Pamfleti nga “Le Monde”

Shënim: Jean-Pierre Filiu, historian dhe profesor në Universitetin 'Sciences PO' në Paris.

izraeli gaza hamasi

Lini një Përgjigje