
Sinteza midis dy axhendave është komplekse, dhe mund t’i duhet të kalojë përmes ndryshimit të qeverisë në Izrael, largimit të Netanyahut dhe shfaqjes së një lidershipi të ri palestinez...
Ekziston një ndryshim midis luftës në Ukrainë, e destinuar të promovojë një gjendje të qëndrueshme tensioni, si dhe të rishkruajë prioritetet e aleancës Evropë-SHBA, dhe luftës së re që ka shpërthyer në Lindjen e Mesme, e cila mund të gjenerojë një dinamikë të ndryshme.
Dhe le të analizojmë pak arsyet. Deri më sot, perspektiva e bashkëjetesës paqësore midis Izraelit dhe Palestinës - zgjidhja e famshme “me dy shtete” - si dhe ajo midis izraelitëve dhe botës myslimane sunite, duket e largët.
Izraeli nuk do të shërohet lehtë nga trauma ekzistenciale që përjetoi nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023. Dhe as që mund të shpresojmë të fshijmë shpejt e shpejt nga sytë e opinionit publik në vendet arabe, imazhet e mijëra viktimave civile të pambrojtura gjatë ofensivës së ushtrisë izraelite kundër Hamasit.
Një faktor, që nga ana tjetër e kufizon hapësirën e manovrimit të qeverive arabe të moderuara, të cilat përballen me mosmiratimin e qasjes nga qytetarët e tyre. Netanyahu ka gabimet e tij. Gjatë viteve të tij në pushtet, ai ka bërë më shumë se një gabim në nënvlerësimin e situatës.
Ai de-legjitimoi enkas çdo bashkëbisedues palestinez për të treguar paqëndrueshmërinë e çdo dialogu. U mbështet tek financimet e Katarit për Hamasin për të promovuar paqen sociale në Gaza, dhe i dha hapësirë të mjaftueshme politikës së vendbanimeve të reja hebreje në zonat palestineze, deri në pikën që e çimentoi urrejtjen e këtyre të fundit.
Kjo qasje i hoqi çdo lloj besueshmërie Autoritetit Kombëtar Palestinez. Netanyahu është përpjekur në thelb të tregojë në praktikë pamundësinë e zgjidhjes me dy shtete, dhe mungesën e rëndësisë së çështjes palestineze, duke besuar tek virtytet e Marrëveshjes së Abrahamit.
Dhe e tija nuk ka qenë thjesht ideologji, sepse ka luajtur një rol kyç interesi për të çimentuar një koalicion qeveritar, sipas linjave të përqendruara te partitë nacionaliste dhe fetare, me synimin për të qëndruar me çdo kusht në pushtet. Po ashtu janë edhe interesat iraniane dhe të Hamasit, dhe 7 tetori ishte një dëshmi e qartë e kësaj.
Ndërkaq mbetet një ndryshim midis axhendës izraelite dhe asaj të komunitetit ndërkombëtar. E para - gjithnjë e më shumë e Netanyahut - është e fokusuar kryesisht në nevojën për të zhdukur udhëheqjen e Hamasit, për të rivendosur mekanizmat e parandalimit të sulmeve si i ai tetorit 2023, për të siguruar sigurinë në Gaza dhe për të parandaluar sulme të reja.
Pastaj edhe për të shpëtuar sa më shumë pengje që të jetë e mundur. Ajo është pararojë e një lufte ende të gjatë, pavarësisht kosto shumë të lartë në imazhin e Izraelit në arenën ndërkombëtare.
Axhenda e dytë, në të cilën dominojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt, është e përqendruar para së gjithash në lirimin e pengjeve, aspektet humanitare dhe armëpushimet, dhe pastaj në përcaktimin e statusit të ardhshëm të Gazës, duke ruajtur perspektivën e zgjidhjes me dy shtete.
Sinteza midis dy axhendave është komplekse, dhe mund t’i duhet të kalojë përmes ndryshimit të qeverisë në Izrael, largimit të Netanyahut dhe shfaqjes së një lidershipi të ri palestinez. Ndërkohë, një mënyrë për t’i afruar palët ka të bëjë me përpjekjet diplomatike për një armëpushim më të gjatë në terren, fluksin e ndihmave humanitare, dhe shkëmbimin midis pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.
Një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e situatës, do të jetë mënyra se si qeveria izraelite do të vazhdojë aksionin e saj në Gaza:nëse ai do të jetë masiv me shumë viktima civile, hapësirat do të zvogëlohen. Megjithatë, aktivitetet më të synuara të shërbimeve inteligjente mund t’i zgjerojnë këto hapësira.
Pikërisht nga ky grumbull interesash, do të lindin edhe dinamikat e ardhshme. Ato mund të ndikohen nga real-politika dhe jo nga ideologjitë. Izraeli duhet të garantojë sigurinë e tij, ndërsa interesi i palestinezëve është të arrijnë më në fund njohjen e një statusi, dhe të mbajnë gjallë perspektivën e dy shteteve.
Interesi i Arabisë Saudite, është të shtojë furnizimet ushtarake amerikane, dhe të marrë dritën jeshile por edhe teknologjitë për t’u pajisur me kapacitetin e saj bërthamor për përdorim civil. Ndërkohë interesi i Iranit është të çlirohet nga sanksionet, dhe të përmirësojë situatën e tij ekonomike, duke e zbutur përplasjen me opinionin publik për të mbajtur në këmbë regjimin aktual.
Interesi i kinezëve ka të bëjë me stabilitetin e tregtisë dhe flukseve energjetike, si dhe me shmangien e një konflikti global, që do të ishte i papajtueshëm me ambiciet e saj afatgjata për tu bërë fuqia kryesore e botës. Interesi i SHBA-së është të mos qenë më ‘xhandari global’, dhe të pajtohet me pamundësinë e heqjes dorë nga roli i saj ende i pazëvendësueshëm si ‘garante e sigurisë’ për shumë fuqi rajonale, dhe si “promovuese e njohjes dhe statusit” për palestinezët. Të gjithë këta janë faktorë të fuqishëm, që e bëjnë më pak të mundshme luftën rajonale./Përshtati Pamfleti nga ”Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje