
Në një intervistë për median serbe pro qeveritare “Pink Tv”, presidenti serb Aleksandër Vuçiç analizoi situatën politike në vend dhe thirrjet e opozitës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Gjatë intervistës ai ngriti një paralelizëm mes gjendjes së qeverisë së tij sot, me periudhën e rënies së liderit famëkeq që u dënua për krime lufte në Kosovë, Sllobodan Millosheviç.
Vuçiç tha se edhe në kohën e Millosheviçit opozita kërkoi largimin e liderit të asaj kohe nga pushteti, me pretekstin se do të fusnin Serbinë në BE, por sipas Vuçiçit edhe me largimin e Millosheviçit diçka e tillë nuk ndodhi.
Duke e krahasuar në një farë mënyre situatën e tij tani me atë të Milosheviçit, ai u mundua të nxjerrë përfundime se largimi i tij nga pushtetit nuk do të thotë se Serbia do të anëtarësohet në BE.
Vuçiç më pas u mundua të distancohej prej figurës së Millosheviçit, teksa shtoi se nuk e kishte mik atë por thjesht e njihte pasi thjesht e kishte takuar disa herë atë.
“Në kohën e Sllobodan Millosheviçit thoshin se ka pasur ndarjet më të mëdha. Thanë kështu është, e hoqëm nga pushteti dhe heroikisht e dorëzuam në Vidovdan. Ata mburreshin heroikisht se për tre ditë do të jemi në BE. Dhe nga e gjithë kjo na mbyllën fabrikat. Më pas u vra edhe Xhiniçi, e pastaj tema ishte si të shpëtojmë veten nga radikalët. E kam parë Millosheviçin disa herë. Ai ishte një i njohur im, jo një mik. Më fajësoi më së shumti se nuk isha anëtar i socialistëve. Ai, si Tadiçi dhe Nikoliçi, ishte shumë më simpatik se unë. Ai ishte një djalë argëtues, interesant. Ai pinte lëng kajsi ose dardhë kur pushonte. Një ose dy. Ai kishte një armiqësi ndaj avokatëve dhe shoferëve të taksive, të cilën nuk e kuptova kurrë. Në disa nga protestat, Bogoljub Kariç më tha se Millosheviçi kishte përfunduar. Dhe Millosheviçi ka thënë vazhdimisht se Kariç është njeriu më i keq”, tha Vuçiç, raporton Dansa.
Lini një Përgjigje