TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Gusht 2024, 11:57

Irani do hakmerret, por nuk e përballon dot një luftë në shkallë të gjerë ndaj Izraelit dhe SHBA-së

Shkruar nga Sune Engel Rasmussen

Irani do hakmerret, por nuk e përballon dot një luftë në

Ndaj për dekada, Teherani ka preferuar që t’i sulmojë rivalët e tij në rajon jo direkt, por përmes një rrjeti milicish të huaja.

Bejrut - Irani dhe aleatët e tij, po diskutojnë se si të hakmerren ndaj dy vrasjeve të profilit të lartë nga Izraeli në Bejrut dhe Teheran, pa shkaktuar megjithatë një luftë gjithëpërfshirëse, të cilën nuk e dëshiron asnjë prej tyre. Irani nuk mund ta përballojë një luftë totale me Izraelin, e cila ka të ngjarë të tërhiqte në valle edhe SHBA-në.

Vendi gjendet në një krizë të rëndë ekonomike, teksa po drejtohet nga një administratë e re presidenciale. Iranianët i kujtojnë ende me dhimbje ngjarjet e dhimbshme të konfliktit të fundit të zgjatur të vendit, luftës 8-vjeçare me Irakun që shkatërroi një brez.

Ndaj për dekada, Teherani ka preferuar që t’i sulmojë rivalët e tij në rajon jo direkt, por përmes një rrjeti milicish të huaja. Edhe Hezbollahu, grupi libanez i mbështetur nga Teherani, ka shumë për të humbur nga përshkallëzimi i betejës së tij 10-mujore ndërkufitare me Izraelin në një luftë në shkallë të gjerë.

Ndonëse zotëron një arsenal raketash që mund ta ndëshkojnë rëndë Izraelin, udhëheqësit e tij e kanë parë sesi Izraeli ka arritur ta rrafshojë pjesën më të madhe të Gazës që nga sulmet e 7 tetorit 2023 dhe të asgjësojë lidershipin e tij, diçka që Izraeli është zotuar ta përsërisë në Liban, nëse provokohet nga ndonjë sulm tjetër.

Që të dyja përjetuan momente të sikletshme kohët e fundit, për të cilat analistët mendojnë se janë të detyruar të kundërpërgjigjen. Një sulm ajror izraelit, vrau javën e kaluar një nga komandantët më të lartë të Hezbollahut, në një periferi të Bejrutit.

Një ditë më vonë, lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh,  u vra në dhomën e tij teksa vizitonte Teheranin për inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, një sulm për të cilin Irani dhe Hamasi fajësojnë Izraelin, i cili nuk e ka komentuar publikisht këtë ngjarje.

Në këto kushte, Irani dhe Hezbollahu do të përpiqen të reagojnë duke goditur objektiva me vlerë, por pa shkaktuar aq shumë dëme sa të ndezin një luftë gjithëpërfshirëses. Njëherazi, Irani dhe Hezbollahu janë të mbikëqyrura fort nga inteligjenca izraelite.

“As Hezbollahu dhe as Irani, nuk duan tani një luftë gjithëpërfshirëse. Por në të njëjtën kohë ata nuk duan që izraelitët të arrijnë në përfundimin, se mosgatishmëria e tyre për të shkuar në luftë, i jep atyre mundësinë të kalojnë vijat e kuqe”-thotë Ali Fadlallah, politog i njohur në Bejrut, dhe që e njeh mirë mënyrën e menduarit të Hezbollahut.

Ndërkohë, zyrtarët perëndimorë mendojnë se Irani dhe Hezbollahu do të ndërmarrin sulme kundër Izraelit ditët e ardhshme. Por ata shpresojnë se angazhimi i diplomacisë por edhe dislokimet e reja ushtarake në rajon, do të ndikojnë në vonimin dhe ndoshta në zbutjen e kësaj kundërpërgjigjeje.

SHBA-ja e ka paralajmëruar Iranin, se qeveria e re dhe ekonomia e vendit mund të pësojnë një goditje shkatërruese nëse Teherani do të niste një sulm të madh kundër Izraelit. Diplomatët arabë, i kanë përcjellë paralajmërime të ngjashme Iranit dhe janë përpjekur ta bindin që të zbusë formën e hakmarrjes.

Nga ana tjetër, vetë Izraeli ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për t’u kundërpërgjigjur me shpejtësi ndaj çdo sulmi, dhe madje edhe për ta parandaluar një të tillë nëse do të jetë e nevojshme. Pentagoni urdhëroi ditët e fundit vendosjen në rajon të anijeve luftarake shtesë.

Hezbollahu dhe zyrtarët arabë, thonë se Irani dhe aleatët e tij po diskutojnë ende nëse Izraeli mund të përdorë ndonjë sulm të orkestruar nga Irani si një justifikim për të goditur edhe më

fort. Por sidomos mbi atë se sa larg është e gatshme të shkojë SHBA-ja në mbështetje të aleatit të saj.

Kërcënimi i luftës, i ka shqetësuar të gjitha kryeqytetet e Lindjes së Mesme. Në Bejrut, banorët thonë se janë më të shqetësuar se kurrë më parë, se armiqësitë aktuale mund të përhapen përtej jugut të vendit, që është përfshirë në luftime ndërkufitare prej 10 muajsh. Në një fjalim të mbajtur këtë javë, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se grupi i tij ishte i sigurt se do të hakmerrej, por kjo do të ndodhë në kohën e vet.

Pritja, tha ai, është “pjesë e ndëshkimit”. Por në të njëjtën kohë, Hezbollahu, që është gjithashtu një parti e fuqishme politike, duhet të qetësojë elektoratin e vet të brendshëm, i cili është i kujdesshëm ndaj skenarit të luftës. Herën e fundit që Hezbollahu luftoi me Izraelin, në vitin 2006, shumë libanezë u mblodhën rreth grupit.

Arabët në të gjithë Lindjen e Mesme, e panë atë si lëvizjen e parë jo-shtetërore që u përball me sukses me Izraelin. Por kjo nuk do të ndodhë tani, thotë Sami Nader, drejtor i Institutit të Shkencave Politike në Universitetin Shën Jozef në Bejrut.

“Situata sot është krejtësisht e ndryshme nga ajo e vitit 2006. Libani ka përjetuar një kolaps ekonomik, njerëzit i kanë humbur kursimet e tyre në banka. Monedha humbi 98 për qind të vlerës së saj dhe papunësia është e lartë. Elektorati i Hezbollahut në jug, i humbi shtëpitë një herë. Ata s’duan ta bëjnë këtë për herë të dytë. Ndaj nuk është koha e duhur për një luftë me Izraelin”- thekson ai.

Ndërsa Irani e ka akuzuar më parë Izraelin për vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë në territorin e tij, vrasja e Haniyeh në mes të Teheranit ishte veçanërisht e turpshme, duke ekspozuar paaftësinë e regjimit për të mbajtur të sigurt miqtë e tij me të rëndësishëm. Por udhëheqësit iranianë, përballen me një krizë legjitimiteti në shtëpi, ku po shtohet presioni nga qytetarët e zemëruar me kufizimet e rënda morale dhe rënien e vazhdueshme ekonomike.

Presidenti i sapozgjedhur iranian Masoud Pezeshkian, ka premtuar se do t’i adresojë të dyja sfidat, duke bërë thirrje për përmirësimin e lidhjeve me Perëndimin dhe emërimin e zyrtarëve të moderuar. Në këto kushte, një luftë mund të rrezikojë afrimin me Perëndimin.

Si president, Pezeshkian drejton Këshillin e Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, megjithëse vendimet kryesore ushtarake ndikohen nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike dhe merren nga Udhëheqësi i Lartë i vendit, Ayatollah Ali Khamenei.

Po ashtu, lufta mund të sjellë një kosto diplomatike rajonale për Teheranin, i cili vitet e fundit ka përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët e tij arabë. Zyrtarët arabë, kanë theksuar ndër të tjera se çelësi për arritjen e paqes në rajon, është që Izraeli të ndalojë ofensivën e tij në Gaza.

Disa njerëz në Izrael, përfshirë qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, kanë bërë thirrje për një operacion ushtarak në Liban për të larguar Hezbollahun nga kufiri, dhe për të lejuar rikthimin e familjet e zhvendosura në shtëpitë e tyre. Sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve e mbështesin një operacion të tillë.

Një sulm serioz nga Hezbollahu, mund t’i japë Izraelit pretekstin për ta nisur operacionin. Por njëkohësisht, ekziston një shqetësim i përhapur në mesin e institucioneve të sigurisë së Izraelit, se hapja e një fronti tjetër do të krijonte një barrë re të madhe për ushtrinë, e cila është e kufizuar nga luftimet në Gaza dhe mbështetet shumë tek rezervistët tashmë të rraskapitur nga luftimet.

Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit ushtria izraelite ka edhe mungesë municionesh. Shtetet e Bashkuara janë në gatishmëri, por nuk besojnë se Irani mund të kryejë një fushatë shumë më të madhe ushtarake kundër Izraelit sesa ai i prillit, thanë dy zyrtarë amerikanë. Ambasada e SHBA-së në Bejrut, ashtu si misionet e tjera diplomatike perëndimore, nuk e ka ende evakuuar stafin e tyre./ Marrë “Wall Street Journal”, përshtati "Pamfleti" 

Lini një Përgjigje