TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Nëntor 2024, 16:17

Sulmi me raketë balistike ndaj Ukrainës, zëdhënëses ruse i bie telefoni në konferencë: Mos e komento!

Shkruar nga Pamfleti

Sulmi me raketë balistike ndaj Ukrainës, zëdhënëses

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, gjatë një konference për shtyp live ka marrë një telefonatë ku i është kërkuar të mos komentonte raportimet për një sulm me raketë balistike në Ukrainë. Ky moment u dëgjua në mikrofonin e saj dhe u transmetua me video.

Ukraina akuzoi Rusinë për lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale drejt qytetit të Dnipros. Ushtarakë rusë spekuluan se sulmi kishte si objektiv prodhuesin e teknologjisë hapësinore Pivdenmash, i njohur më parë si Yuzhmash.

“Masha”, dëgjohet një zë mashkulli që i drejtohet Zakharovës në telefon. “Për sulmin me raketë balistike ndaj ‘Yuzhmash’, për të cilin kanë nisur të flasin perëndimorët, nuk japim asnjë koment”, shtoi ai.

Më vonë, në një deklaratë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, Zakharova tha se telefonata kishte për qëllim të sqaronte nëse ministria e jashtme mund të trajtonte këtë temë.

“Unë u konsultova me ekspertët për të kuptuar nëse kjo temë ishte e jona. Përgjigjja erdhi gjatë konferencës: Ministria e Jashtme nuk komenton. Pra, nuk ka asgjë për të interpretuar”, tha zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse.

Forcat ajrore ukrainase raportuan më herët se Rusia kishte lëshuar disa lloje raketash drejt Dnipros atë mëngjes, përfshirë për herë të parë një raketë balistike ndërkontinentale që nga fillimi i konfliktit.

Një burim nga forcat ajrore të Ukrainës i tha agjencisë AFP se ishte “e qartë” që raketa, e cila është projektuar për të mbajtur koka luftarake konvencionale dhe bërthamore, nuk mbante ngarkesë bërthamore në këtë rast.

Lini një Përgjigje