
Të tjera detaje zbardhen nga skandali që ka përfshirë zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, ku mes të arrestuarve është edhe Federica Mogherini, ish-shefja e diplomacisë së BE-së dhe rektore e “Kolegjit të Europës”.
Mediat europiane zbulojnë se zyrtari tjetër i arrestuar si pjesë e hetimit për korrupsion dhe mashtrim, lidhur me një program trajnimi të diplomatëve europianë, është edhe Stefano Sannino. Ky i fundit ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (SEAE). Ai është aktualisht drejtor i përgjithshëm i departamentit të Komisionit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin.
Personi i tretë i arrestuar është një menaxher i “Kolegjit të Europës”, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik.
Prokuroria Europiane ka kryer kontrolle në zyrat e SEAE në Bruksel dhe në disa ambiente të “Kolegjit të Europës” në Bryzh.
Hetimi lidhet me dyshime për favorizim, konkurencë të pandershme dhe shpërndarje të paracaktuar të tenderëve, gjatë periudhës 2021-2022, në lidhje me një program 9-mujor trajnimi për diplomatët e rinj të BE-së.
Autoritetet po hetojnë nëse përfaqësues të Kolegjit kanë pasur akses paraprak në kriteret e tenderit dhe nëse janë kryer shkelje që përfshijnë korrupsion, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe mashtrim me fondet e BE-së.
Prokuroria Europiane kishte kërkuar më parë heqjen e imunitetit të disa zyrtarëve, kërkesë që është miratuar para operacionit të sotëm. Ndërkohë, Komisioni Europian ka refuzuar komentet me argumentin se “hetimi është në proces”.
“Gjysmë ore më parë, u informova për atë që po ndodh në Bruges”, tha Herman Van Rompuy, ish-presidenti i Këshillit Evropian, i cili tani është president i këshillit administrativ të Kolegjit të Evropës në Bruges.
Lini një Përgjigje