
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në funeralin e ‘armikut’ të tij, Yevgeny Prigozhin. Lajmi u konfirmua nga Kremlini, ku bën me dije se Putin nuk ka në plan që të marrë pjesë në ceremoninë mortore të shefit të Wagner.
“Prania e presidentit në funeral nuk është në axhendë", njoftoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë të martën.
Kujtojmë se kreu i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ndërroi jetë në një aksident me avion disa muaj pasi ai udhëhoqi një kryengritje të dështuar kundër Moskës.
Avioni privat i Prigozhin u rrëzua në veri-perëndim të Moskës më 25 gusht dhe të gjithë anëtarët e bordit humbën jetën. Mes viktimave, ishin figura të rëndësishme të grupit mercenar të krijuar nga Progozhin.
Kremlini mohon përfshirjen në aksidentin ajror, ndërsa Komiteti Hetues thotë se po vazhdon hetimin për ngjarjen.
Dy muaj më parë, Prigozhin ishte në krye të rebelimit të Wagnerit kundër forcave të armatosura ruse, duke pushtuar qytetin jugor të Rostovit dhe duke kërcënuar se do të marshonte drejt Moskës. Por përplasja u zbut pasi u arrit një marrëveshje që çoi në zhvendosjen e luftëtarëve të Prigozhin dhe Wagner në Bjellorusi.
Tashmë, i paqartë mbetet fati i Wagner. Vdekja e liderit, vë në pikëpyetje të ardhmen e ushtrisë së tij private, që luftoi përkrah forcave ruse në Ukrainë, përpara rebelimit jetëshkurtër kundër udhëheqësve ushtarakë në Moskë.
Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për datën ose vendndodhjen e funeralit të Prigozhin, pavarësisht spekulimeve në kanalet lokale Telegram se ai mund të prehet në varrezat Serafimovskoye në Shën Petersburg.
Lini një Përgjigje