TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Prill 2025, 12:09

Friedrich Merz, një kancelar në mesin e një “stuhie të përsosur”

Shkruar nga *Peter Schoof

Friedrich Merz, një kancelar në mesin e një “stuhie të

Siguria dhe Stabiliteti i Evropës, do të varet nga një Gjermani e suksesshme...

Friedrich Merz ka të ngjarë të betohet më 6 maj si kancelari i 10-të i Republikës Federale të Gjermanisë. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Olaf Scholz të Partisë Socialdemokrate, koalicioni “semafor” (i kuq, i verdhë, jeshil) i të cilit u rrëzua vjeshtën e kaluar, për shkak të tensionit të brendshëm të shkaktuar kryesisht nga partia liberale (FDP).

Biografia politike e Merz, nuk ka ndjekur një rrugë lineare. Nën drejtimin e Helmut Kohl, ai u shfaq shpejt në skenë si një nga yjet e rinj të Bashkimit Kristiandemokrat (CDU). Gjatë qeverisë kuqe-gjelbër të Gerhard Schroder (në vitet 1998-2005), shërbeu si lider i ri i grupit parlamentar të CDU, ku krijoi imazhin e një krye-opozitari të shkëlqyer.

Kundër vullnetit të tij, ai u shkarkua nga ky pozicion nga Angela Merkel, në përpjekjen e saj për të fituar zgjedhjet e vitit 2005. Shumë analistë mendojnë se ai moment ishte një traumë për Merzin.

Dhe në fakt pas spostimit, ai dorëzoi mandatin e deputetit, u largua krejtësisht nga politika dhe u angazhua në biznesin privat. Punoi si avokat dhe mbajti pozicione në disa borde mbikëqyrëse, veçanërisht në BlackRock Asset Management në Gjermani gjatë viteve 2016-2020.

Rikthimi i tij i papritur në politikë, ishte pasojë e trazirave të gjata politike në lidhje me udhëheqjen dhe drejtimin e partisë në epokën pas largimit të Merkel, në veçanti humbjen e CDU-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ai ia doli të zbuste shpejt tensionet brenda partisë, duke e zhvendosur atë më shumë në të djathtë dhe kritikuar Merkelin se e kishte zhvendosur shumë në të majtë.

Për më tepër, presioni gjithnjë në rritje nga AfD e ekstremit të djathtë, nxiti shumë njerëz në CDU të besonin se ashpërsimi i qëndrimit ndaj emigrantëve, do të ndalte përparimin e kësaj të fundit në sondazhe dhe në zgjedhje. Mjerisht, kjo nuk ndodhi dhe tani AfD renditet me gati 21 për qind të votave.

Gjatë fushatë së fundit elektorale, CDU e Merz e bëri migrimin çështjen kryesore, edhe pse votuesit gjermanë shprehën prioritete të tjera, si paqja në Evropë dhe ekonomia. Një çështje tjetër e rëndësishme e fushatës, ishte gjetja e hapësirës fiskale për të adresuar nevojat urgjente: një infrastrukturë e degraduar, veçanërisht ushtria e lënë pas dore prej kohës do të kërkojnë fonde dhe investime masive.

Ndërsa SPD dhe të Gjelbrit, si dhe shumë liderë rajonalë të CDU-së, mbështetën një reformë shumë të nevojshme në lidhje me kufizimin kushtues të nivelit të borxhit publik, Merz dhe aleatët e tij u shfaqën në panele debatesh dhe emisionesh televizive, duke e cilësuar një lëvizje të tillë si një barrë të papërgjegjshme mbi brezin e ri.

Edhe analistët më me përvojë, po e shohin tani Merz të bëjë një “kollotumba” shumë jogjermane. Jo shumë kohë pas zgjedhjeve, ai iu afrua partnerëve të tij të rinj të SPD, për të negociuar anulimin e kufizimit të borxhit për shpenzimet e mbrojtjes, dhe krijimin e njëkohshëm të një mekanizmi ekstra-buxhetor prej 500 miliardë eurosh, për riparimin e infrastrukturës.

Kjo kërkonte 2/3 e shumicës në parlament, pra edhe votat e të Gjelbërve. Në negociatat që pasuan, Merz e kuptoi se sa kundërproduktive kishte qenë fushata e tij kundër tyre, pasi ai i kishte fajësuar ata kryesisht për gjithçka që kishte shkuar keq në Gjermani.

Ironikisht, ideja e një fondi të posaçëm për rehabilitimin e infrastrukturës së degraduar, ishte projekti kryesore i të Gjelbërve në qeverinë në ikje, e cila ishte përballur me veton nga partia më e vogël, FDP. Në kushtet kur Merz kishte nevojë për mbështetje nga të Gjelbrit, ata arritën më shumë nga axhenda e tyre sesa në 3 vite bashkëqeverisje me SPD dhe FDP.

Lëvizja e Merz drejt ndryshimeve kushtetuese për mbrojtjen dhe infrastrukturën, ka qenë e guximshme dhe e arsyeshme. Sondazhet e fundit tregojnë se ajo mbështetet gjerësisht edhe nga elektorati. Tani ai ka një levë të konsiderueshme fiskale për të adresuar sfida të rëndësishme të brendshme dhe të jashtme, që para se ta marrë detyrën.

Por besueshmëria e tij është dëmtuar jo pak. Shumë anëtarë të partisë së tij dhe votues konservatorë, nuk ia kanë falur ndryshimin e njërit prej premtimeve të tij thelbësore gjatë fushatës. Prandaj sot popullariteti i tij është më i ulëti nga çdo kandidat i emëruar për kancelar në historinë moderne të Gjermanisë.

Analistët bien në përgjithësi dakord, se suksesi i qeverisë së ardhshme të Merz, do të varet nga gjetja e zgjidhjeve për çështje të ngutshme si infrastruktura e dobët, migrimi i paligjshëm dhe rënia e konkurrencës së një vendi që i pëlqen ta shohë veten si një gjigant ekonomik.

Po flitet për një “shans të fundit” për partitë e qendrës, përballë rrezikut real që ekstremi i djathtë AfD të fitojë shumicën në zgjedhjet parlamentare të 2029-ës. Por Friedrich Merz dhe qeveria e tij përballen edhe me shumë sfida të mëdha në politikën e jashtme, në veçanti me përplasjen e re e të hapur me SHBA-në dhe të ardhmen e Ukrainës.

Merz dhe partnerët e tij kanë zgjedhur një qasje të kujdesshme, e cila në fakt mund të jetë zgjidhja më e mirë për kohën. Por në deklaratat menjëherë pas zgjedhjeve, Merz bëri disa komente të guximshme, por të rrezikshme, duke thënë se ai e shihte SHBA-në duke u shkëputur nga aleanca, dhe se përparësia e tij është të ndihmojë Evropën të zhvillojë politikën e saj të pavarur të sigurisë dhe mbrojtjes.

Merz është zotuar të mbyllë përçarjet midis Francës dhe Gjermanisë, të cilat ishin bërë shumë  të dukshme nën qeverisjen e Scholz, që nuk u afrua asnjëherë me homologun e tij francez dhe vizionin e tij për sovranitetin strategjik të BE-së.

Ndërkohë Merz është i hapur ndaj ofertës së Emmanuel Macron për t’u konsultuar mbi parandalimin bërthamor të udhëhequr nga Franca, si një plotësues i ombrellës bërthamore të SHBA (apo si zëvendësues i saj?). Kjo mund të jetë befasuese për një politikan që deri vonë ka qenë një atlantist i vendosur.

Është një mision shumë delikat: Bërja e Evropës më të qëndrueshme dhe më të pavarur, duhet të arrihet pa krijuar përshtypjen se është Evropa, ajo që po del gradualisht nga NATO. Ndaj do të shihet me interes vizita e tij e parë në Shtëpinë e Bardhë. Vetë Donald Trump nuk e fsheh në asnjë rast pakënaqësinë e tij të madhe ndaj Gjermanisë.

Në lidhje me Ukrainën, kancelari i ri ka qenë gjithmonë një mbështetës i fortë. Në dallim nga Scholz, që ngurroi të dërgonte sistemeve raketore gjermane (Taurus), të afta të godasin linjat e furnizimit në territorin rus, marrëveshja e koalicionit të ri shpreh vendosmërinë për ta forcuar mbështetjen ushtarake, civile dhe politike për Ukrainën, për ta bërë këtë të fundit mjaftueshëm të fortë dhe në një nivel me Rusinë për të negociuar paqen.

Reforma e frenimit të borxhit, parashikon rritje të fondeve për mbrojtjen e Ukrainës. Megjithatë, nuk thuhet asgjë për pjesëmarrjen e mundshme gjermane në një skemë të garancisë së sigurisë. Gjithsesi, vështirë se Gjermania mund të refuzojë të bëhet pjesë në një operacion i tillë nëse angazhohen gjithë të tjerët në Evropë.

Friedrich Merz e ka kritikuar vazhdimisht paraardhësin e tij për mungesën e lidershipit në BE. Ai është zotuar të përmirësojë imazhin e Gjermanisë si një fuqi e besueshme dhe udhëheqëse në BE. Por mbajtja e këtij premtimi, do të varet nga aftësia e Merz për të ndërtuar një kimi të mirë me kolegët e tij të Këshillit Evropian, dhe për ta shfaqur veten si një udhëheqës i besueshëm që i sheh njëlloj interesat gjermane me ato të BE-së.

Ai dëshiron të afrohet më shumë me Francën dhe Poloninë për të rigjallëruar “Trekëndëshin e Vajmarit”, dhe për ta hapur atë në një format “Vajmar Plus”, një instrument fleksibël për të kërkuar konsensus në BE. Por shumë njerëz, duan të shohin se çfarë do të bëjë ai me politikat e migracionit.

Premtimet e tij në fushatë për masa shumë të ashpra për të ndalur fluksin e emigrantëve të paligjshëm, kanë ngritur dyshime. Sepse propozime të ngjashme për t’i dëbuar azilkërkuesit në shtetet e tjera anëtare, nuk kanë shkuar mirë në Austri, Poloni dhe gjetkë.

Partneri i tij i koalicionit SPD, i ka kundërshtuar si shkelje të ligjit të BE-së. Mbetet të shihet nëse kancelari i ri do të mund të zbatojë premtimet e tij të shumta të fushatës, duke pasur parasysh se dëshiron të forcojë solidaritetin në Evropë për veprime urgjente në fusha të tjera. Pjesa më e madhe e sigurisë dhe stabilitetit të Evropës, do të varet nga një Gjermani e suksesshme./Pamfleti nga “Kathimerini”

Shënim: *Peter Schoof, ish-ambasador i Gjermanisë në Greqi.

friedrich merz kancelari 'stuhi e përsosur'

Lini një Përgjigje