Italia është vetëofruar të luajë rolin e ndërmjetëses mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, në një moment tensionesh të shtuara për shkak të tarifave dhe përplasjesh politike.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni konsiderohet nga disa udhëheqës evropianë si një figurë që ruan marrëdhënie të mira personale me Presidentin amerikan Donald Trump.
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani theksoi se Roma ka kapacitetin dhe profilin e duhur për të kontribuar në uljen e tensioneve.
“Italia, për natyrën e saj dhe aftësinë për të folur me të gjithë, mund të luajë një rol pozitiv në ndërtimin e marrëveshjeve,” deklaroi Tajani, duke shtuar se Meloni është në dialog të vazhdueshëm si me Uashingtonin, ashtu edhe me partnerët evropianë.
Sipas tij, nuk ka nevojë për përshkallëzim konfliktesh.
“Luftërat tregtare nuk i shërbejnë askujt. Duhet dialog dhe zgjidhje që të mos dëmtojnë asnjë palë,” u shpreh kreu i diplomacisë italiane.
Edhe kryeministrja Meloni ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj tarifave doganore të shpallura nga Trump, duke i cilësuar ato si një “gabim”.
Ajo konfirmoi se ka folur drejtpërdrejt me Presidentin amerikan dhe se i ka shprehur hapur qëndrimin e saj. Në të njëjtën kohë, Meloni u përpoq të ulë tonet, duke folur për një problem komunikimi dhe mirëkuptimi mes dy brigjeve të Atlantikut. “Nga këndvështrimi amerikan, mesazhi që vinte nga Evropa nuk ka qenë mjaftueshëm i qartë,” tha ajo.
Një tjetër mundësi për zhbllokimin e situatës pritet të jetë Forumi Ekonomik Botëror në Davos, ku Donald Trump pritet të mbërrijë të mërkurën. Në Davos do të jetë i pranishëm edhe kancelari gjerman Merz, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas një bisede telefonike me Trumpin, deklaroi se puna për uljen e tensioneve do të vazhdojë dhe se pret me interes takimin me të në Zvicër.
Italia, ndonëse një nga vendet themeluese të NATO-s, nuk ka dërguar trupa në misionin e zbulimit në Groenlandë të udhëhequr nga Danimarka. Në këtë mision kanë marrë pjesë shtatë vende të tjera evropiane: Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda.
Lini një Përgjigje