
Ukraina po vuan dukshëm nga presion i vazhdueshëm i ushtrisë ruse që duket i pandalshëm...
Nuk është një kundërsulm në shkallë të gjerë, por një veprim i thjeshtë mbrojtës për të lehtësuar presionin rus. Pra operacioni që Ukraina e paraqiti si një ndërhyrje në shkallë të gjerë, është në fakt një përpjekje për të mbrojtur pozicionet e fituara në Kursk, duke i penguar rusët të ripushtojnë territoret e tyre.
Ukrainasit i kanë fortifikuar pozicionet e tyre, shpjegon Giorgio Battisti, ish-komandant i Korpusit të Ushtrisë së Reagimit të Shpejtë të NATO-s (NRDC-ITA) në Itali dhe shef i shtabit të misionit ISAF në Afganistan, megjithatë rusët po rifitojnë terren edhe në këtë rajon.
Por në frontin ukrainas, ushtria e Kievit rrezikon ende kolapsin, duke u përballur me trupa që nuk janë gjithmonë të trajnuara dhe me dezertimin e mijëra ushtarëve, ndërsa rusët janë në gjendje të rekrutojnë 30 mijë burra në muaj.
Gjeneral, agjencitë e lajmeve po raportojnë mbi një ofensivë të re të ushtrisë ukrainase në rajonin rus Kursk. A ka gjetur papritur Kievi burime të reja për t’i ngacmuar rusët?
Disa agjenci lajmesh folën për një kundërsulm ukrainas, gjë që do të sugjeronte një veprim në shkallë të gjerë. Por ka më shumë gjasa që ai të jetë një kundërsulm lokal. Këtë e konfirmon lajmi i disa blogerëve rusë, të cilët duken gjithsesi të besueshëm.
Moska po përpiqet të rimarrë territoret e zonës së Kurskut të pushtuara nga forcat e Kievit që në gusht 2024. Sektori ukrainas në territorin rus është reduktuar në 500 nga 1.000 km2 që ishte në fillim. Aksioni i fundit ukrainas, duket si një kundërsulm lokal për t’iu kundërvënë këtij sulmi rus.
Disa blogje flasin për 2 tanke, disa njësi inxhinierike për të kapërcyer fushat e minuara dhe pengesat në terren dhe për 12 automjete të blinduara. Pra nga pikëpamja ushtarake kemi angazhimin e një grupi taktik. Objektivi është të lehtësojë presionin: rusët do të donin të rimerrnin të gjithë sektorin e Kurskut, përpara rikthimit të Donald Trump në krye të SHBA-së.
Pra lëvizja e ukrainasve është një flakë kashte?
Në çdo konflikt, qoftë edhe në fazën mbrojtëse ka kundërsulme të ndryshme, të cilat përfshijnë një përdorim të madh të trupave dhe mjeteve. Doktrina ushtarake e parashikon frenimin e ofensivës së kundërshtarit.
Në ditët të vijim, do të shohim nëse kjo lëvizje do të jetë bazë për veprime më të gjera. Por deri tani mendoj se ukrainasit nuk kanë kapacitetin e plotë për të kryer një kundërsulm, me një përdorim më të madh të burimeve.
A po i pranon tani Kievi vështirësitë që po has ushtria e tij?
Si presidenti Volodymyrr Zelensky, ashtu edhe kreu i forcave të armatosura Syrsky, kanë deklaruar vazhdimisht ditët e fundit, se Ukraina ka vështirësi të mëdha në frenimin e presionit të ushtrisë ruse.
Megjithatë, kundërsulmi në Kurk u paraqit nga Kievi si një veprim në shkallë të gjerë. Në rrjetin Telegram, Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit të Ukrainës, shkroi se “Rusia po merr atë që meriton”. Pra ukrainasit duan të tregojnë se mund të godasin edhe ata armikun?
Është propagandë. Kundërsulmi shërben për të treguar vitalitetin e mbrojtjes ukrainase. Edhe pse tani po del në pah, madje edhe në mediat perëndimore se Ukraina nuk ka më burime për të luftuar, dhe fronti i brendshëm është në prag të kolapsit.
Përtej Kurskut, a kanë ukrainasit një strategji të përgjithshme?
Nga të dhënat e raportuara, ata po organizojnë linja mbrojtëse me fortifikime fushore. Nuk kanë mundësi të ndërtojnë një vijë mbrojtëse të fortifikuar, siç bënë rusët 2 vjet më parë, kur patën një dimër me mot të butë. Po ashtu, synojnë të bllokojnë përparimin e mëtejshëm të armikut para hyrjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar ndërsa ata janë ende në territorin rus.
Ndërkohë po flitet edhe për dezertime në radhët e ukrainasve. Sa ndikojnë ato?
Po, është folur për një brigadë ukrainase të trajnuar nga francezët në 6 muajt e fundit të vitit të kaluar, e quajtur Ana e Kievit”, duke iu referuar një princeshe ukrainase që në shekullin XI u bë gruaja e mbretit francez Henri I. Kjo njësi ushtarake, përjetoi probleme të mëdha sapo u vendos në front duke pasur shumë dezertime. Që nga fillimi i luftës, 100 mijë ushtarë ukrainas kanë braktisur njësitë e tyre.
Pra sido që ta analizojmë situatën, Ukraina është padyshim në telashe serioze…
Po, megjithëse ka ende aftësinë, veçanërisht në lëshimin e dronëve dhe raketave ATACMS, për të goditur Rusinë në thellësi. Megjithatë, Ukraina po vuan dukshëm nga presion i vazhdueshëm i ushtrisë ruse që duket i pandalshëm. Nga ana tjetër, sipas burimeve ruse, Moska është në gjendje të rekrutojë të paktën 30 mijë ushtarë të rinj në muaj.
Pra edhe në Kursk fati i ukrainasve është i vulosur, ata s’mund të rezistojnë shumë gjatë…
Nuk ka asnjë dyshim se 6 muajt e fundit, ata kanë pasur mundësi të vendosen në Kursk, pra të forcojnë pozicionet nëpër fshatra dhe të krijojnë pozicione mbrojtëse. Shanset për të rezistuar janë të lidhura me këtë. Rusia ka pranuar të humbasë terren, por tani po e rifiton atë pak nga pak, edhe pse ngadalë./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje