
Në vazhdën e protestave masive, presidenti francez Emmanuel Macron e quajti vrasjen "të pashpjegueshme". Por edhe kjo është një tjetër trillim francez dhe një formë e mohimit të vazhdueshëm. Vdekja e Nahelit nuk është një mister i pazgjidhshëm – ishte rezultat i racizmit sistematik...
Këtë javë, policia franceze vrau brutalisht një 17-vjeçar në mes të ditës, teksa u mundua ta fshihte ngjarjen.
Policia gënjeu dhe akuzoi të riun se nuk ju bind patrullës. Dhe, siç ndodh shpesh, media kombëtare raportoi trillimet e policisë si fakte - derisa një kalimtar që kishte filmuar ngjarjen tregoi të vërtetën.
Njerëzit anembanë globit kanë parë imazhet e tmerrshme të policisë franceze duke drejtuar pistoletat dhe duke kërcënuar pasagjerët e një automjeti të verdhë në periferi të Parisit, përpara se të ekzekutonin në mënyrë të makabre shoferin me një plumb në kokë. Ndryshe nga pretendimet e rreme nga policia, asnjë oficer nuk ishte duke qëndruar para makinës apo i kërcënuar fizikisht nga i riu që po largohej.
Imazhet e të shtënave kanë prodhuar atë që sociologu klasik francez Émile Durkheim do ta quante një "tronditje për ndërgjegjen kolektive".
Fatkeqësisht, nuk është befasi që Nahel, adoleshenti francez, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht nga policia, ishte me prejardhje algjeriane.
Franca ka një histori të gjatë dhe të ndyrë të racizmit kolonial dhe dhunës kundër njerëzve të racializuar si "jo të bardhë", duke u shtrirë nga Haiti, Guadeloupa, Martinika në Karaibe, Afrikën Veriore dhe Perëndimore si dhe Vietnamin. Franca ka shtypur pamëshirshëm popullin algjerian në veçanti – duke përfshirë ata që janë shtetas francezë.
Në të vërtetë, kolonizimi francez i Algjerisë daton në fillim të viteve 1800 dhe përfshinte përdorimin e përhapur të dhunës brutale dhe vrasjeve masive për të vendosur sundimin francez.
Gjatë luftës algjeriane për pavarësi (1954-1962), qindra mijëra dhe ndoshta më shumë se 1 milion algjerianë u masakruan dhe u torturuan sistematikisht nga regjimi francez në një përpjekje të dëshpëruar për të ruajtur perandorinë e tyre koloniale në emër të "liberte, egalité et. fraternité”- liri, barazi dhe vëllazëri.
Dhuna e policisë ka shënjestruar historikisht njerëzit arabë dhe me ngjyrë në Francë. Në vitin 1961, policia franceze vrau më shumë se 100 arabë francezë që po protestonin paqësisht në Paris.
Dhjetëra mijëra njerëz kishin marshuar në mbështetje të pavarësisë së Algjerisë dhe në protestë kundër një shtetrrethimi që ishte vendosur për të shuar disidencën. Si kundërpërgjigje, policia vrau algjerianët francezë në rrugë, madje duke mbytur protestuesit në lumin Seine. Vdekja më e re e dokumentuar ishte ajo e një adoleshenteje tjetër, 15-vjeçares Fatima Beda. Në një epokë shumë përpara telefonave inteligjentë, autoritetet franceze u angazhuan në një mbulim të pacipë dhe kryesisht të suksesshëm që zgjati për dekada. U deshën më shumë se 50 vjet që një president francez madje të pranonte atë që ndodhi. Edhe tani, nuk ka pasur falje zyrtare.
Në vazhdën e protestave masive, presidenti francez Emmanuel Macron e quajti vrasjen "të pashpjegueshme". Por edhe kjo është një tjetër trillim francez dhe një formë e mohimit të vazhdueshëm. Vdekja e Nahelit nuk është një mister i pazgjidhshëm – ishte rezultat i racizmit sistematik.
Studimet kanë treguar prej kohësh paragjykime të gjera racore në policinë franceze që synon veçanërisht njerëzit arabë dhe zezakë. Në vitin 2020, vetë ombudspersoni i të drejtave të njeriut në Francë zbuloi se të rinjtë që racializohen si arabë ose zezakë kanë 20 herë më shumë gjasa të profilizohen dhe ndalohen nga policia.
Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës ka paralajmëruar prej kohësh për diskriminimin racor të kryer nga policia franceze, dhe komunitetet në terren shpesh e pranojnë numrin e rëndë të demonizimit dhe ngacmimit si rezultat i ideologjisë raciste. Emrat e pakicave të racializuara që kanë rënë viktimë e dhunës policore në Francë gjatë dy dekadave të fundit—Zyed dhe Bouna, Adama Traoré, Théo, ndër të tjera—kanë lënë një histori të ankthshme të mosndëshkimit të policisë.
Kur këto lloj vrasjesh policore ndodhin në Shtetet e Bashkuara, siç ndodh shpesh, në media dhe në mesin e liberalëve dhe të majtëve, shpesh pranohet përgjithësisht se racizmi është një shkak themelor.
Në Francë, liberalët dhe të majtët shpesh bashkojnë forcat me ekstremistët e krahut të djathtë për të mohuar ekzistencën e racizmit francez.
Shumë shkrimtarë dhe intelektualë të shquar afrikano-amerikanë që u shpërngulën në Francë nga fillimi deri në mesin e shekullit të 20-të, nxitën gjithashtu mitin e verbërisë franceze. James Baldëin ishte një përjashtim i dukshëm nga rregulli. Duke reflektuar mbi përvojën e tij në Francë, ai shkroi : "Unë jetoja kryesisht mes të mjerëve - dhe, në Paris, të mjerët [ishin] algjerianë".
Sot, të mjerët, ata që e gjejnë veten në shënjestër të racizmit, islamofobisë dhe pushkëve të policisë, janë ende algjerianë.
Ka ardhur koha që Franca të shkojë përtej ciklit të njohur të dhunës shtetërore dhe mohimit drejt një njohjeje të sinqertë të racizmit sistemik si dhe një angazhimi për zbatimin e politikave për të trajtuar diskriminimin e përhapur dhe paragjykimet në polici, punësim, arsim dhe politikë. /Marrë nga “Al Jazeera”
Lini një Përgjigje