
Shumica e vendeve në kontinentin evropian tani e njohin shtetin e Palestinës , pas njoftimeve zyrtare të bëra dje, të hënën, nga podiumi i OKB-së nga Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Malta, pas pothuajse dy vitesh lufte në Rripin e Gazës.
Më poshtë janë sqarime mbi atë se çfarë do të thotë njohja diplomatike e këtij shteti, e cila u shpall nga udhëheqja palestineze në mërgim në vitin 1988, në një kohë kur Izraeli po pushton Bregun Perëndimor, ndërsa Rripi i Gazës është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Cilat vende e njohin ose duan ta njohin shtetin e Palestinës?
Pothuajse 80% e vendeve anëtare të OKB-së.
Sipas të dhënave të AFP-së, të paktën 151 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë shtetin e Palestinës.
Gjashtë vende evropiane, Franca, Belgjika, Luksemburgu, Malta, Andorra dhe Monako, njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës të hënën. Të dielën, Britania dhe Kanadaja, vendet e para të G7 që e bënë këtë bënë një njoftim të ngjashëm, ashtu si edhe Australia dhe Portugalia.
Rusia, vendet arabe, pothuajse e gjithë Afrika dhe Amerika Latine, si dhe shumica dërrmuese e vendeve aziatike, përfshirë Indinë dhe Kinën, janë tashmë midis vendeve që njohin shtetin palestinez.
Algjeria u bë vendi i parë, më 15 nëntor 1988, që njohu shtetin e Palestinës menjëherë pas njoftimit përkatës nga Algjeri nga udhëheqësi historik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, Yaser Arafat.
Dhjetëra vende ndoqën menjëherë pas kësaj, ndërsa një valë e dytë njohjesh erdhi 20 vjet më vonë.
Lufta në Rripin e Gazës, e cila shpërtheu pas sulmit të paprecedentë të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, çoi në një seri të re njohjesh, tashmë nga 19 vende.
Kush nuk e njeh shtetin e Palestinës?
Të paktën 39 vende, të udhëhequra nga SHBA-të dhe Izraeli. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e hedh poshtë plotësisht idenë e krijimit të një shteti palestinez, dhe në vitin 2024 parlamenti izraelit miratoi një rezolutë kundër krijimit të tij.
Shteti i Palestinës gjithashtu nuk njihet nga vende të tilla si Japonia, Koreja e Jugut në Azi, Kameruni në Afrikë, Panamaja në Amerikën Qendrore dhe shumica e vendeve në Oqeani.
Deri vonë, kontinenti evropian ishte më i ndari, pothuajse në dysh. Deri në vitet 2010, të vetmet vende që e njihnin shtetin e Palestinës ishin Turqia dhe vendet e ish-bllokut sovjetik. Megjithatë, Hungaria dhe Republika Çeke tani konsiderojnë se nuk kanë bërë njohje dypalëshe.
Deri në fillimin e luftës në Gaza, vendet në Evropën perëndimore dhe veriore nuk kishin ndërmarrë hapa pwr njohur një shtet palestinez, me përjashtim të Suedisë në vitin 2014.
Në vitin 2024, Norvegjia, Spanja, Irlanda dhe Sllovenia bënë hapin e parë. Nga ana tjetër, Italia dhe Gjermania nuk po e shqyrtojnë njohjen.
Çfarë do të thotë njohja e një vendi?
Kjo është një çështje komplekse në të drejtën ndërkombëtare, “disi në mes midis politikës dhe ligjit”, sipas Roman le Boeuf, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Aix-Marseille.
“Shtetet janë të lira të zgjedhin kohën dhe formën e njohjes, me metoda jashtëzakonisht të ndryshueshme”, shpjegoi ai, duke theksuar se “nuk ka një regjistër njohjesh”.
"Nga ana tjetër, e drejta ndërkombëtare është mjaft e qartë: njohja nuk krijon shtetin, as mungesa e njohjes nuk pengon ekzistencën e shtetit", vazhdoi Le Boeuf, duke i konsideruar elementët e ekzistencës së një shteti si territorin, popullsinë dhe qeverinë e pavarur.
Edhe pse rëndësia e njohjes së shtetit është "kryesisht simbolike dhe politike", në rastin e Palestinës, tre të katërtat e vendeve "thonë se Palestina i plotëson kushtet e nevojshme" për të qenë shtet, theksoi ai.
“Kjo i ndryshon faktet në një farë mënyre”, vlerësoi në mesin e gushtit avokati dhe profesori i drejtësisë Philip Sands. “Sepse që nga momenti që njihet statusi i shtetit të Palestinës kjo në thelb i vendos Palestinën dhe Izraelin në një pozitë të barabartë për sa i përket trajtimit të tyre sipas ligjit ndërkombëtar”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje