
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez nuk ka nguruar t’i përgjigjet kritikave të Presidentit amerikan, Donald Trump, për faktin se vendi i tij nuk pranoi rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes brenda NATO-s në 5% deri në vitin 2035.
“Spanja do të arrijë objektivat e reja të dakordësuara nga shtetet anëtare të NATO-s në samitin e Hagës, por i konsideron shpenzimet e saj aktuale të mbrojtjes, që arrijnë në 2% të PBB-së së vendit, "të mjaftueshme, realiste dhe të pajtueshme me shtetin e mirëqenies", tha ai.
Sanchez javën e kaluar kërkoi një përjashtim për Spanjën nga kërkesa e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 5%, një kërkesë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte e hodhi poshtë publikisht.
"Faleminderit që respektoni sovranitetin e Spanjës"
“Në samitin e sotëm, NATO fiton dhe Spanja fiton diçka shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë, që është siguria dhe shteti i mirëqenies”, tha kryeministri spanjoll, duke këmbëngulur se Madridi do të respektojë angazhimet e tij ndaj Aleancës, ndërsa falënderoi aleatët për shfaqjen e “respektit për sovranitetin e Spanjës”.
"Shpresoj që në Këshillin Evropian, që do të mbahet në Bruksel të enjten, do të flasim më pak për përqindjet e PBB-së dhe më shumë për prodhimin e përbashkët, tregjet e përbashkëta dhe ndërveprimin", shtoi ai.
Vendet anëtare të NATO-s ritheksuan "angazhimin e tyre të palëkundur" për ndihmë të ndërsjellë dhe zotohen të investojnë 5% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto në siguri gjatë një dekade deri në vitin 2035, në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në samit.
Në mënyrë specifike, aleatët e NATO-s do t’i kushtojnë “të paktën 3.5% të PBB-së” shpenzimeve ushtarake në kuptimin “stricto sensu” dhe një 1.5% shtesë investimeve në sektorin e sigurisë në kuptimin më të gjerë, siç është mbrojtja e infrastrukturës dhe rrjeteve kritike.
Qëllimi do të jetë i vështirë për t’u arritur, kanë paralajmëruar shumë udhëheqës evropianë, siç është Spanja, e cila e konsideron rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes “iracionale”.
Lidhur me të ardhmen e tij politike, Sanchez tha sot se synon të kandidojë për rizgjedhje në fund të këtij mandati në vitin 2027.
Sanchez, një socialist, drejton një qeveri koalicioni të pakicës së krahut të majtë që përballet me një sërë hetimesh për korrupsion, të cilat e kanë shtyrë opozitën të kërkojë dorëheqjen e tij.
Lini një Përgjigje