TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Korrik 2024, 16:32

Faktori Trump dhe situata në front, arsyeja pse Zelensky është tani i hapur për bisedime me Putinin

Shkruar nga Paolo Rossetti
Faktori Trump dhe situata në front, arsyeja pse Zelensky është
Zelensky, trump dhe Putin /

Donald Trump nuk është zgjedhur ende, por presidenca e tij e mundshme po i trazon që tani ujërat në lidhje me luftën në Ukrainë. Aq sa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, një mbrojtës i rezistencës së gjithanshme ndaj rusëve dhe i çlirimit të gjithë territoreve të pushtuara, po shpreh tani gatishmërinë e tij për të biseduar me Putinin në një samit tjetër paqeje, që do të mbahet në nëntor të këtij viti.

Në fakt kandidati republikan deklaroi edhe në Konventën e Milëaukee ku mori zyrtarisht nominimin si kandidat, se nuk do të ketë më ndihmë për Kievin. Giorgio Battisti, ish-komandant i Korpusit të Ushtrisë së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Itali dhe shef i shtabit të misionit ISAF në Afganistan, thotë se kjo qasje i ka detyruar ukrainasit të tërhiqen nga pozitat e derisotme.

Faktori Trump dhe situata në front, arsyeja pse Zelensky është
Giorgio Battisti /

Por edhe sepse mbi 400 mijë të rinj kanë emigruar jashtë vendit për të shmangur luftimet, dhe vendi nuk është më aq i bindur për vazhdimin e luftës. Nga ana tjetër ka nisma si ajo e presidentit hungarez Viktor Orbán , i cili shkoi në Moskë dhe Pekin për të hedhur në tryezë një propozim, të formuluar nga vetë Trump mbi një armëpushim. Pra lufta vazhdon, por negociatat nuk janë më një tabu.

Zelensky lë të hapur mundësinë që Rusia të marrë pjesë në një samit të paqes që do të mbahet në nëntor. Si duhet lexuar ky lajm?

Unë nuk e di nëse ai dëshiron ta mbajë samitin para apo pas zgjedhjeve në SHBA. Por meqë të gjithë mendojnë se fitues do të jetë Trump, deklarata e tij është dëshmi i vullnetit të mirë nga Ukraina, e cila deri më sot gjithmonë e ka hedhur poshtë mundësinë e dialogut me Rusia, teksa kjo e fundit vazhdon të mbajë të pushtuara 4 rajonet në lindje dhe Krimenë. Ka gjasa që propozimi të lidhet edhe me vështirësitë që ka aktualisht Ukraina në frontin e luftës. Por në Konventën e Milëaukee, kandidati republikan tha se SHBA-ja nuk do të dërgonte më ndihma për Ukrainën.

Presidenti ukrainas thotë se nuk është i shqetësuar për zgjedhjen e mundshme të Trump, sepse shumica e republikanëve e mbështesin Ukrainën...

Trump e ka bërë të qartë se duhet të ndalet ndihma për Ukrainën. Dhe megjithëse Kievi shihet me simpati tek republikanët, ajo nuk është e barabartë me mbështetjen që ai gëzon midis demokratëve. Zelensky po lëviz i pari për të treguar se është ai që i ofroi Putinit uljen në tryezën e paqes.

Mediat perëndimore thonë gjithashtu se Ukraina është e rraskapitur nga lufta, edhe për shkak të problemeve të shkaktuara së fundmi nga bombardimet e termocentraleve. Nëse këtyre i shtohet mundësia e rikthimit të Trump në krye të SHBA-së, atëherë Zelensky detyrohet të bëhet më pak i ngurtë në pozicionin e tij.

Pra a janë negociatat e paqes një çështje në rendin e ditës?

Jemi ende në fillim. Megjithatë më në fund, pas 2 vite e gjysmë luftë, diplomacia po rimerr iniciativën për të tentuar uljen e palëve në tryzë. Mbetet të shohim rezultatet, por në korridoret e politikës shpresohet se Rusia dhe Ukraina mund të bisedojnë me njëra-tjetrën. Sigurisht, Putin do ta ketë të vështirë të pranojë të dorëzojë rajone që janë aneksuar me ligj. Madje ai po vazhdon përpjekjet për pushtimin e zonave që janë pjesë e rajoneve të aneksuara, por që nuk janë ende në duart e Rusisë. Ndërkaq njësitë xheniere të Koresë së Veriut, po zbarkojnë në territoret e 4 rajoneve të Ukrainës për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës. Ndërkohë, 400 mijë rekrutët e arratisur, tregojnë se ukrainasit nuk e ndjejnë nevojën për të mbrojtur me aq forcë territoret e tyre.

Agjencia ruse e lajmeve Tass, raporton se Trump dhe Putin mund të fillojnë një dialog të drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. A do të ndryshonin edhe marrëdhëniet midis dy fuqive të mëdha?

Trump ka përsëritur se nëse bëhet sërish president, do ta ndalë konfliktin brenda 24 orëve. Është e qartë se për ta arritur këtë ai do të përpiqet të afrohet me Putin. Edhe kreu i Kremlinit shprehu solidaritetin në lidhje me atentatin e 13 korrikut.

Sigurisht, Trump është i paparashikueshëm dhe oportunist. Por SHBA është e lodhur nga lufta në Ukrainë. Ndaj në samitin e fundit të NATO-s, aleatët nxituan ta bëjnë të përhershme mbështetjen për Ukrainën, pikërisht në pritje të rizgjedhjes së Trump.

A ka shpresë për një lehtësim të tensionit midis Perëndimit dhe Rusisë?

Pavarësisht nëse quhet Perandoria Cariste, Bashkimi Sovjetik apo Federata Ruse, Rusia ka qenë armiku historik i Shteteve të Bashkuara që nga shekulli XIX-të. Ndaj nuk është se do të bëhen befas aleatë. Por mund të kenë marrëdhënie më pak të tensionuara. Nga ana tjetër Moska dhe Uashingtoni kanë folur gjithmonë me njëri-tjetrin për të parandaluar përshkallëzimin e shpejtë të luftës. Diplomacia përbëhet nga dy kanale, ai publik dhe ai i fshehtë.

Pavarësisht hapave, kreu i NATO-s Stoltenberg tha se duhet të autorizohen sulmet në territorin rus me armët perëndimore, dhe vetë Zelensky kërkoi 25 sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”. Përtej diskutimeve, a mbetet ende rreziku i përshkallëzimit të luftës?

Natën ka bombardime nga të dyja anët. Sulme ukrainase me dronë që depërtojnë thellë në territorin rus, dhe sulme ruse me bomba rrëshqitëse që pikasen kur është tepër vonë. Pra njerëzit vazhdojnë të vdesim. Sipas burimeve perëndimore, rusët po humbasin 1.000 burra në ditë. Nëse mund të arrihet qoftë edhe një armëpushim i përkohshëm, ky do të ishte një rezultat i mirë.

Përballë propozimit të Zelenskyt për një samit për paqe, përgjigja e Kremlinit ishte se më parë duket kuptuar çfarë kërkon presidenti ukrainas. Në çfarë kushtesh mund të nisin negociatat?

Nëse Putin thotë se është gati për bisedime, por bazuar në pozicionet e arritura deri më tani në front nga forcat ruse, kjo do të minonte pozicionin ukrainas. Zelensky dëshiron të organizojë 3 samite gjatë verës, me tema të ndryshme, bazuar tek ato të prekura edhe në samitin e fundit në Zvicër, dhe më pas të hartojë një plan për t’ua paraqitur rusëve. Mund të jetë një ide, por duhet të shohim se cilat kushte do të jetë i gatshëm të pranojë Putini./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

faktori trump zelensky bisedime me putinin

Lini një Përgjigje