TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Dhjetor 2024, 16:31

Evropa përballë rreziqeve ekzistenciale!

Shkruar nga Lionel Laurent

Evropa përballë rreziqeve ekzistenciale!

Ajo duhet të marrë iniciativën për të luajtur një rol udhëheqës në rindërtimin e këtij vendi, gjë që mund të kushtojë deri në 486 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.

Pas pandemisë së Covid-19 dhe pushtimit rus të Ukrainës, a është gati Evropa të përballet me tronditjen ekzistenciale të radhës në formën e Donald Trump? Nga tregtia, mbrojtja dhe deri tek teknologjia, kombinimi i merkantilizmit dhe filozofinë trumpiane MAGA, do të dëmtojë, dhe shpresojmë që edhe do t’i tronditë evropianët, që të dalin vetëkënaqësia e tyre tipike.

Lista e arsyeve pse BE-ja duhet të jetë e shqetësuar është e gjatë. Unioni prej 27 anëtarësh, lulëzon në mjedise të parashikueshme, të bazuara në rregulla, që e vendosin tregtinë në plan të parë dhe konfliktin në të dytin. Ky është një mjedis i favorshëm për presidentin e ardhshëm të SHBA-së që preferon të lëvizë shpejt, ushtrojë presion dhe bëjë transaksione dypalëshe.

Edhe para se të hyjë në Zyrën Ovale, ai po mbështetet tek Volodymyr Zelenskiy i Ukrainës për të arritur një marrëveshje me Vladimir Putinin për t’i dhënë fund pushtimit rus, duke kërcënuar aleatët me një tarifë prej 10 për qind për të korrigjuar ankesat e mëdha mbi tregtinë. Po ashtu, po dobësohet uniteti që e mban të bashkuar Evropën.

Në dallim nga mandati i parë i Trumpit, që prodhoi atë imazh të mrekullueshëm të gjermanes Angela Merkel dhe partnerëve të tjerë të G-7 që vështronin me qesëndi një president amerikan sfidues, lista e liderëve të aftë për të grumbulluar mbështetje përballë një marrëdhënie transatlantike të dobësuar është shumë e vogël.

Presidenti francez Emmanuel Macron ndodhet në telashe të mëdha, dhe mund të mos e çojë dot deri në fund mandatin e tij të dytë. Pasardhësi i Merkel, Olaf Scholz, është edhe më jopopullor dhe përballet në shkurt me zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

E djathta ekstreme e Evropës po fiton terren, dhe po merr një nxitje të papritur nga pasuria dhe ndikimi i Elon Musk. E megjithatë, edhe nëse një grup aleatësh të Trump, si Giorgia Meloni në Itali dhe Viktor Orban në Hungari po e rritin ndikimin e tyre, ata kanë në duar karta të dobëta.

Të shqetësuar nga vonesa ekonomike dhe teknologjike e BE-së në raport me SHBA-në (dhe Kinën) investitorët po “votojnë” tashmë me kuletat e tyre. Është thuajse e mundur të shohësh një formulë magjike për të dalë nga kjo situatë.

Në një mbledhje të fundit të ministrave dhe ekspertëve në Alpet italiane të organizuar nga Grand Continent, unë u inkurajova nga pragmatizmi i elitave që e vlerësonin aftësinë e BE-së për të planifikuar dhe reaguar në vend se të bëjnë vetëm thirrje për një qasje utopike.

Tregtia, një zonë ku madhësia e tregut të BE-së dhe 440 milionë konsumatorëve të saj i japin makinerisë së Brukselit një ndikim të vërtetë, ka parë fillimin e lojërave të luftës. Kjo nënkupton identifikimin e “karotave” për t’ia ofruar paraprakisht Trumpit, që të ribalancojë një tepricë prej 201.6 miliardë dollarësh në tregtinë midis BE-së dhe SHBA-së.

Si për shembull blerja e më shumë energji, mallra dhe armë amerikane. Kjo gjë nuk do të jetë e lehtë, duke pasur parasysh shkallën e asaj që Trump e quan një “deficit të jashtëzakonshëm”, por është e realizueshme. Synimi tjetër, duhet të jetë ndryshimi i mendësisë që mund të ruajë një linjë të përbashkët të BE-së, nëse Trump zgjedh parimin “përça e sundo” duke ofruar lëshime për vende të veçanta.

Përsa i përket sigurisë, një Evropë vërtet e gatshme për t’u mbrojtur, duket ende një perspektivë e largët edhe pas konfliktit më të madh në shkallë të gjerë në kontinent që nga viti 1945.Gjithsesi madhësia e tregut, mund t’i japë asaj një zë në negociatat mbi fatin e Ukrainës.

Ajo duhet të marrë iniciativën për të luajtur një rol udhëheqës në rindërtimin e këtij vendi, gjë që mund të kushtojë deri në 486 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme. Përveç mbajtjes së premtimeve ekzistuese prej 241 miliardë eurosh, Evropa ka një kartë për të luajtur në formën e aseteve sovrane ruse të sanksionuara në vlerën 300 miliardë dollarë, të cilat janë përdorur për të ndihmuar Kievin, edhe pa konfiskimin e tyre të plotë.

Synimi për të pasur marrëdhëniet më të ngushta me Britaninë e Madhe, një partner logjik i BE në fushën e mbrojtjes, pavarësisht nga përplasjet e forta mbi Brexit, duhet të jetë një nxitje tjetër, pasi kryeministri Keir Starmer po kërkon mbështetje kundër tarifave të pritshme të Trump.

Fotoja e Musk në Mar-a-Lago me Nigel Farage dhe Nick Candy të Partisë së Reformave, të cilën Musk mund ta financojë, nuk duhet të bëhet përkufizimi i ri i “marrëdhënies speciale” SHBA-Britani. Së fundi, nëse ekonomia evropiane do të mundet të shmangë rënien, mund të shërbejë si një fije lidhëse midis asaj që ka nevojë Evropa dhe asaj që dëshiron Trump: një kontinent më i pavarur dhe më i qëndrueshëm, që drejtohet nga kërkesat e konsumatorët e tij, dhe jo nga eksportet në Kinë apo importet e gazit rus.

Edhe pse ka pësuar goditje nga mungesa e gjigantëve të teknologjisë, dhe nga një treg kapitali ende i fragmentuar, ai është një treg me kursimet e qytetarëve i barasvlershëm me 33.5 trilionë euro dhe me kompani të fuqishme, nga ASML Holding NV tek Airbus SE.

Disa rekomandime të dhëna kohët e fundit nga Mario Draghi dhe Enrico Letta, tregojnë rrugën që duhet ndjekur për lehtësimin e burokracisë dhe grupimin e kompanive në sektorë të fragmentuar siç është telekomunikacioni. Uljet e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane mund të nxisë kërkesën dhe të rivendosin besimin e dëmtuar të korporatave dhe konsumatorëve.

Ndoshta në Evropë mund të imitohen disa nga elementët e MAGA-s, nga de-burokratizimi tek kundërshtimi i praktikave të padrejta tregtare të Kinës. Shfrytëzimi e këtyre mundësive, do të varet nga mos-thellimi i destabilitetit politike në zemër të Evropës.

Ekziston të paktën një arsye për të qenë optimistë: kandidati më i mundshëm për të pasuar Scholz në krye të Gjermanisë - Friedrich Merz - mund të jetë çelësi për të zhbllokuar afërsisht 0.7 për qind të PBB-së shpenzime shtesë, duke e reformuar kufizimin e borxhit, gjë që do të përmirësonte perspektivat e ekonomisë gjermane.

Megjithatë, duke pasur parasysh atë që po ndodh në Francë, kërkohet shumë kujdes. Ndoshta gjëja më e mirë që mund të thuhet për Evropën e vitit 2025, është se pritshmëritë vështirë se mund të jenë më të ulëta se sa kaq.

Ndërsa do të jetë humori i vetë Trump dhe shëndeti i konsumatorit amerikan, ato që do të diktojnë pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij, evropianët nuk duhet të harrojnë aftësinë e tyre (edhe pse të kufizuar) për të kundërshtuar./Përshtati "Pamfleti" nga “Bloomberg”

Lini një Përgjigje