Mao Ning, një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze, u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në luftën kundër Iranit që të ndalojnë operacionet ushtarake, pas kërcënimit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për sulme të rënda ndaj Republikës Islamike në javët e ardhshme.
"Mjetet ushtarake nuk mund ta zgjidhin në mënyrë efektive problemin dhe përshkallëzimi i konflikteve nuk i shërben interesave të asnjërës palë", tha Mao në një konferencë për shtyp, duke u bërë thirrje "palëve të përfshira që të ndalojnë menjëherë operacionet ushtarake".
Duke folur para gazetarëve, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme tha se shkaku rrënjësor i trazirave në Ngushticën e Hormuzit janë veprimet e paligjshme ushtarake në det, duke shtuar se palët duhet të përpiqen të shmangin ndikimet më serioze në ekonominë globale dhe sigurinë energjetike.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se “armiqtë tanë po humbasin dhe Amerika po fiton”, gjatë nisjes së një fjalimi drejtuar kombit lidhur me operacionin ushtarak të koduar “Epic Fury”.
Në fjalën e tij, Trump mbrojti vendimin për të shpallur luftë kundër Iranit, duke e cilësuar regjimin e Teheranit si “vrasës” dhe duke e akuzuar për mijëra viktima mes protestuesve ndër vite.
Ai theksoi se ndërhyrja amerikane ka dobësuar ndjeshëm kapacitetet ushtarake të Iranit dhe ka kufizuar kërcënimin bërthamor.
Trump theksoi se nuk mund të lejohet që Teherani të zhvillojë armë bërthamore.
“Gjatë katër javëve të fundit, forcat tona të armatosura kanë arritur fitore të shpejta, vendimtare dhe dërrmuese, fitore që bota nuk i ka parë më parë”, deklaroi ai, duke i cilësuar bombardimet si suksese të jashtëzakonshme ushtarake.
Presidenti amerikan u shpreh optimist për arritjen e objektivave strategjikë, duke thënë se SHBA ndodhet pranë realizimit të tyre. Ai kërkoi gjithashtu durim nga qytetarët amerikanë, duke e konsideruar luftën si një “investim” për të ardhmen e vendit.
Në një ton paralajmërues, Trump deklaroi se sulmet do të intensifikohen në javët në vijim.
“Do t’i godasim shumë fort gjatë dy deri në tre javëve të ardhshme. Do t’i kthejmë në epokën e gurit”, u shpreh ai, duke shtuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA mund të godasë njëkohësisht infrastrukturën energjetike të Iranit.
Ndërkohë, Irani ka refuzuar një plan paqeje të propozuar nga SHBA, i cili parashikonte heqjen dorë nga programi bërthamor dhe kufizimin e raketave balistike.
I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, konfirmoi se Uashingtoni i ka paraqitur Teheranit një plan me 15 pika, por pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e tij.
Në deklaratat e tij, Trump nuk përmendi refuzimin fillestar të planit nga Irani dhe as vendimin për vendosjen e trupave tokësore në Lindjen e Mesme. Ai theksoi se tashmë “topi është në fushën e Iranit” dhe paralajmëroi pasoja të rënda nëse nuk arrihet një armëpushim.
“Nëse nuk e bëjnë këtë, ne jemi makthi i tyre më i keq. Ne thjesht do të vazhdojmë t’i shkatërrojmë, pa u ndalur”, u shpreh Trump.
Lini një Përgjigje