
Pra me fjalë të tjetra, sa më shumë asfalt dhe beton të kenë, aq më shumë do të kontribuojnë në problemin e përmbytjes...
Qyteti Siatëll në zemër të shtetit të Uashingtonit (në veriperëndim të SHBA-së, nuk duhet ngatërruar me kryeqytetin Uashington që ndodhet në verilindje), është i famshëm për qiellin e tij gri dhe për shiun pothuajse të vazhdueshëm.
Dhe pikërisht për këtë arsye, në vitin 2010 qeveria lokale futi një taksë që shkaktoi jo pak polemika në mbarë Amerikën: “Tarifa e Ujërave të Shiut”, e njohur jo zyrtarisht si “taksa e shiut”. Por çfarë është ajo? Dhe përse mijëra qytetarë u detyruan të paguanin për diçka mbi të cilën nuk kishin kontroll?
Ideja që qëndron pas taksës: një logjikë (pak a shumë) ambjentaliste
Teknikisht, nuk ishte një taksë shiu në vetvete. Siatëll, si shumë qytete të tjera amerikane, kishte një problem serioz: sa herë që bie një shi i madh, uji rrjedh nga çatitë, parkingjet dhe rrugët e asfaltuara, duke përfunduar në kanalet e emergjencës dhe duke e mbingarkuar sistemin e kanalizimeve.
Ky fenomen, i njohur si “rrjedhja e ujërave të stuhisë”, ndikon në ndotjen e lumenjve dhe mund të shkaktojë përmbytje të menjëhershme. Zgjidhja? Vendosja e një tarife për pronarët e pronave, në përpjesëtim me sipërfaqen e papërshkueshme nga uji të pronës së tyre.
Pra me fjalë të tjetra, sa më shumë asfalt dhe beton të kenë, aq më shumë do të kontribuojnë në problemin e përmbytjes. Pra... aq më shumë do të paguajnë. Në teori është një masë thjesht ekologjike. Por në praktikë, është një makth burokratik.
Kur absurdi e tejkalon logjikën
Sapo hyri në fuqi, “taksa e shiut” preku shtëpitë, bizneset, kishat, shkollat dhe madje edhe parkingjet bosh. Nuk kishte rëndësi nëse prona ishte në përdorim apo e braktisur: nëse shiu binte mbi të dhe nuk depërtonte në tokë, ajo duhej të paguhej.
Rasti më absurd? Një famulli mori një gjobë prapavepruese prej mijëra dollarësh, sepse ndërtesa e saj e vjetër me tulla kishte një çati të madhe dhe një oborr të shtruar me pllaka. E njëjta gjë i ndodhi një qendre të vogël kujdesi për fëmijët, e cila u detyrua të hiqte një pjesë të oborrit të saj për të shmangur gjobën.
Qytetarët u rebeluan, shumë prej tyre e apeluan gjobën, ndërsa të tjerë filluan të çmontonin vendet e parkimit dhe të instalonin të ashtuquajturat “kopshte shiu” (zona të vogla të gjelbra, të afta që të thithin ujin e shiut), vetëm për të ulur shumën e parave që i detyroheshin autoriteteve lokale.
Një dukuri që ka prekur edhe qytete të tjera
Por Siatëll nuk është i vetmi rast. Portland, Filadelfia, kryeqyteti Uashington si dhe pjesë të qytetit të Nju Jorkut, kanë miratuar gjithashtu masa të ngjashme. Madje disa qytete kanë krijuar në internet ”përllogaritës të taksës së shiut”, ku banorët mund të fusin sipërfaqen e çatisë së tyre, për të zbuluar se sa do të duhet të paguajnë.
Në Gjermani, një ligj i ngjashëm - “Niederschlagswassergebühr” - është në fuqi prej vitesh. Edhe në Angli, disa qarqe kanë filluar të vendosin tarifa për ndërtesat me çati industriale tepër të mëdha.
Por a është vërtet një ligj kaq i çmendur?
Nga një perspektivë mjedisore, logjika është e qartë: ata që kontribuojnë më shumë në rrjedhjen e ujërave të shiut, ndotin më shumë. Dhe ata që ndotin duhet të paguajnë. Por shpeshherë zbatimi praktik i këtij ligji, e ka tejkaluar logjikën e shëndoshë, duke ndikuar në fund të fundit tek bizneset e vogla dhe duke krijuar situata groteske./Përshtati "Pamfleti" nga "Nellanotizia"
Lini një Përgjigje