TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Nëntor 2025, 17:58

Çfarë ka ndodhur si sot në histori?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë ka ndodhur si sot në histori?
Tragjedia e Xhonstaunit

18 nëntor 1978 - 909 njerëz sakrifikohen në sektin e Xhonstaunit

Më 18 nëntor 1978, themeluesi i sektit “Tempulli i Popullit”, Xhim Xhons, udhëhoqi qindra ndjekës të tij në një vrasje-vetëvrasje masive në fermën e tyre në një zonë të largët në Guajana, Amerika e Jugut.

Shumë nga ndjekësit e Xhonsit gëlltitën me dëshirë një përzierje helmuese, ndërsa të tjerët u detyruan ta bënin këtë nën kërcënimin e armëve. Numri përfundimtar i viktimave në Xhonstaun atë ditë ishte 909; dhe një e treta e tyre ishin fëmijë.

Xhim Xhons ishte një klerik karizmatik, themelues në vitet 1950 i “Tempullit të Popullit”, një sekt krishterë në Indianapolis. Ai predikonte kundër racizmit, dhe kongregacioni i tij i integruar tërhoqi shumë afro-amerikanë.

Në vitin 1965, ai e zhvendosi grupin e ndjekësve në Kaliforninë Veriore, duke u vendosur në Ukiah, ndërsa pas vitit 1971 në San Francisko. Gjatë viteve 1970, kisha e tij u akuzua nga media për mashtrime financiare, abuzim fizike ndaj anëtarëve, si dhe për keqtrajtim të fëmijëve.

Për shkak të kritikave në rritje, Xhons, që po bëhet gjithnjë e më shumë paranojak, e ftoi kongregacionin të zhvendosej me të në Guajanë, ku premtonte ndërtimin e një shoqëria utopike të barabartë.

Tre vjet më herët, një grup i vogël ndjekësish kishte udhëtuar në Gujanë për të themeluar atë që do të bëhej Xhonstaun, një vend i fshehtë në xhungël. Por ai nuk doli të ishte parajsa e premtuar.

Anëtarët punonin për orë të gjata në fusha dhe ndëshkoheshin ashpër nëse e vinin në dyshim autoritetin e Xhim Xhonsit. Pasaportat e tyre sekuestroheshin, letrat drejtuar familjeve të tyre censuroheshin, teksa anëtarët inkurajoheshin të spiunonin veprimet e njëri-tjetrin.

Po ashtu, ata detyroheshin të merrnin pjesë në takime të gjata, shpesh në orët e vona të natës. Xhim Xhons, që vuante nga probleme mendore dhe varësi ndaj drogës, besonte se qeveria amerikane dhe të tjerë kërkonin ta shkatërronin.

Për këtë arsye, ai i detyronte anëtarët të merrnin pjesë në mesnatë në stërvitje ku simulohej vetëvrasja. Në vitin 1978, ish-anëtarë dhe të afërm të tyre e bindën kongresmenin amerikan Leo Rajan, një demokrat nga Kalifornia, që të vizitonte fermën Xhonstaun për të hetuar atë çfarë ndodhte realisht atje.

Më 17 nëntor, Rajan mbërriti në Xhonstaun nën shoqërinë e disa gazetarëve dhe vëzhguesve të tjerë. Në fillim vizita shkoi mirë, por më 18 nëntor, kur delegacioni po përgatitej të largohej, disa banorë i kontaktuan duke i kërkuan leje kalimi nga Guajana për në SHBA.

Xhons u tremb shumë nga një dezertim në masë, dhe një nga ndjekësit e tij më besnikë e sulmoi me thikë Rajann. Kongresmeni arriti të shpëtojë pa lëndime, por më pas u urdhërua që ai dhe shoqëruesit e tij të vriteshin në pistën e aviacionit gjatë tentativës për t’u largur.

Rajan dhe 4 persona të tjerë u vranë ndërsa po hipnin në avion. Kur Xhim Xhonsi u kthye në Xhonstaun, i urdhëroi anëtarët të mblidhnin në sheshin kryesor të fermës, dhe të kryenin atë që ai e quajti një “akt revolucionar”.

Fëmijët ishin të parët që vdiqën, ndërsa prindërit dhe infermierët përdorën shiringa për t’u dhënë një përzierje helmuese me cianur, qetësues dhe lëng frutash. Edhe të rriturit u detyruan të pinin përzierjen me helm, ndërsa rojet e armatosura e rrethuan në të gjitha anët fermën.

Kur zyrtarët e Guajanës mbërritën në kompleksin Xhonstaun të nesërmen, gjetën qindra trupa, shumë prej të cilëve ishin përqafuar me njëri-tjetrin në aktin e tyre të fundit në këtë jetë.

Disa banorë arritën të shpëtonin duke u fshehur në xhungël gjatë vetëvrasjeve, ndërsa të paktën disa dhjetëra anëtarë të tjerë, përfshirë disa nga fëmijët e Xhonsit, mbijetuan pasi ndodheshin në pjesë të tjera të Guajanës.

Ngjarje të tjera të rëndësishme të ndodhura më 18 nëntor:

18 nëntor 1421 - Një stuhi e madhe goditi brigjet e Detit të Veriut. Deti hyri në brendësi të tokës, duke çarë digat dhe duke përmbytur fshatrat në atë që tani është Holanda. Deri ditën tjetër, gati 10.000 njerëz vdiqën nga përmbytjet e shkaktuara.

18 nëntor 1863 - Presidenti i SHBA-së Abraham Linkoln mbajti fjalimin e famshëm të Getisburgut gjatë Luftës Civile Amerikane, një moment kyç në historinë e vendit.

18 nëntor 1916 - Komandanti britanik, Sër Dagllas Heig, vendosi t’i japë fund ofensivës së gjatë të Betejës së Somës në veriperëndim të Francës. Kjo betejë, që nisi më 1 korrik 1916, ishte një nga më përgjakshmet e Luftës së Parë Botërore, dhe u karakterizua nga përdorimi i parë i tankeve dhe humbjet e mëdha, mbi një milion të vrarë dhe të plagosur. Me gjithë bombardimet e forta dhe sulmet e vazhdueshme, aleatët arritën të përparonin vetëm pak kilometra.

18 nëntor 1918 - Letonia shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik. Karlis Ulmanis u emërua si kreu i qeverisë së përkohshme.

18 nëntor 1926 - Shkrimtari i famshëm britanik Xhorxh Bernard Shou refuzoi paratë për Çmimin e tij Nobel, duke thënë frazën e famshme: “Më mirë faljani ato njerëzve në nevojë!”.

18 nëntor 1940 - Udhëheqësi nazist Adolf Hitler takohet me Ministrin e Jashtëm italian, Galeaco Çiano lidhur me pushtimin katastrofik të Greqisë nga Musolini.

Sipas ditarëve të Çianos, takimi i tyre u zhvillua nën një “një atmosferë shumë të tensionuar”. Musolini i kishte habitur të gjithë me sulmin ndaj Greqisë. Aleati i tij, Hitleri, u kap në befasi, sepse Duçe e kishte bërë të besonte se ai nuk kishte një qëllim të tillë./ Pamfleti

Lini një Përgjigje