Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur qëndrimin e fortë të Moskës kundër sulmeve ushtarake të SHBA ndaj objekteve bërthamore iraniane në një takim me zëvendësministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi.
Sipas Putin, ky është një "agresion absolutisht i paprovokuar, pa asnjë bazë dhe absolutisht asnjë justifikim" .
"Ju po vizitoni Rusinë në një kohë të vështirë, gjatë një përkeqësimi të ndjeshëm të situatës në rajon dhe përreth vendit tuaj", theksoi presidenti rus.
Ai tha gjithashtu se Rusia po bën përpjekje për të ndihmuar popullin iranian.
Putin theksoi se qëndrimi i Rusisë është i qartë dhe tashmë është formuluar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme, duke përfaqësuar shtetin rus.
Sipas deklaratës përkatëse të Ministrisë së Jashtme ruse, Moska dënon pa mëdyshje sulmet ajrore amerikane dhe bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të agresionit, duke mbrojtur nevojën për t'u rikthyer në rrugën diplomatike.
Ndërsa Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, falënderoi Moskën për dënimin e sulmeve ndaj Iranit dhe, gjatë takimit me Vladimir Putinin, dhe tha se "Rusia sot është në anën e duhur të historisë dhe të drejtës ndërkombëtare".
Ndërkohë sipas raportimeve më të fundit, objekti bërthamor i Iranit në Fordow është goditur përsëri, këtë herë nga një sulm izraelit.
Centrali i ndërtuar në një mal, ishte shënjestër e bombave amerikane që shkatërronin bunkerët mëngjesin e së dielës.
Një zëdhënës i Shtabit të Menaxhimit të Krizave të Provincës Qom i tha agjencisë së lajmeve Tasnim se Fordow është goditur përsëri.
Mediat izraelite kanë raportuar se ushtria sulmoi një rrugë hyrëse për në impiantin bërthamor.
Sulmi i SHBA-së gjatë fundjavës pritej të kishte shkaktuar "dëme shumë të konsiderueshme" në vend, duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme ndaj dridhjeve të centrifugave të tij, tha më herët sot kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi.
Ai shtoi se askush nuk mund të thotë ende se sa i madh është dëmi nën tokë.
Lini një Përgjigje